I sinqertë dhe pa filtra si përherë këngëtari Robert Berisha ka ndarë detaje të reja mbi raportin që vazhdon të ketë me ish-bashkëshorten Nora Istrefi, gjatë një interviste në emisionin e Rudina Magjistari në TV Klan.
I pyetur drejtpërdrejt për mundësinë e një ribashkimi, ai u përgjigj pa hezitim, duke lënë gjithçka të hapur, por pa e dramatizuar situatën:
“Nëse bashkohemi, bashkohemi, por unazë s’ka nevojë me pas. E kemi Renen, duhet me e shkollu, s’kemi nevojë me ba harxhime.”
Berisha theksoi se marrëdhënia mes tyre ka mbetur e qëndrueshme dhe korrekte ndër vite, pavarësisht ndarjes:
“Raportet kanë qenë mirë dhe gjithmonë do të jenë mirë. Është shumë keq që një çift që ka kaluar 15 vite bashkë të mos flasin.”
Ai ndau edhe një realitet të thjeshtë, por domethënës për jetën në Kosovë dhe Shqipëri, ku ish-partnerët shpesh kryqëzohen në përditshmëri:
“Kosova është e vogël, Shqipëria është e vogël. Takohemi në aeroporte, në klube ku këndojmë, në festivale, në rrugë. Nuk është si në New York, ku ndahesh dhe nuk e sheh më për muaj të tërë.”
Duke reflektuar mbi marrëdhëniet në përgjithësi, ai pranoi se koha dhe ndryshimet personale mund të ndikojnë ndjeshëm:
“Ndonjëherë, me kalimin e kohës, edhe vetë njeriu ndryshon dhe kjo mund të bëhet problem.”
Në të njëjtën intervistë, këngëtari foli edhe për një periudhë të rëndësishme të jetës së tij, kur jetoi për disa vite në Shtetet e Bashkuara:
“Vite më parë kam jetuar edhe në Amerikë për 6-7 vite vetëm. Kur u ktheva në Kosovë, e pata të vështirë të jetoja përsëri me prindërit, jam mësuar të jetoj vetëm.”
Në fund, duke folur për të ardhmen dhe mundësinë e një rikthimi me Norën, ai zgjodhi të mos japë një përgjigje përfundimtare, por la gjithçka në dorë të kohës:
“Nuk i dihet, po i afrohemi pleqnisë… nuk i dihet.”



