21.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    “Nuk kam plan që të kthehem”: Mijëra të rinj dhe studentë po planifikojnë që të largohen nga Shqipëria

    Mijëra të rinj dhe studentë po planifikojnë që të largohen nga Shqipëria për shkak të arsimit, mungesës së të ardhmes dhe perspektivës, ndërsa ekspertët shprehen të shqetësuar se shumica prej tyre nuk dëshirojnë që të kthehen më në vendlindje.

    Nga Lazarino Pjetri

    Ela Marku, studente e vitit të fundit në degën e Infermierisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës po planifikon që ta ndërtojë karrierën e saj në Gjermani. Mosbesuese për të ardhmen që i ofron vendi, Marku synon të marrë një biletë pa kthim.

    “Fokusi im është drejt Gjermanisë, edhe nëse nuk e marr diplomën,” thotë ajo. “Kurrë mos thuaj kurrë, por nuk e kam në plan që të kthehem në Shqipëri”.

    Instituti i Statistikave, INSTAT, vlerëson se Shqipëria ka humbur mesatarisht 42 mijë persona çdo vit përgjatë dekadës së fundit si pasojë e emigracionit, i cili ushqehet nga kërkesa për mundësi më të mira pune, arsimimi dhe kujdesi shëndetësor.

    Megjithatë, numri potencial i personave që po planifikojnë të largohen nga vendi konsiderohet shumë herë më i madh.

    Marku është vetëm një nga mijëra studentët shqiptarë që synojnë të largohen nga Shqipëria për të ndërtuar një të ardhme në Perëndim. Ajo i përket grupmoshës 20-28 vjeç, e cila sipas anketimeve të viteve të fundit, po emigron gati tre herë më shumë se grupmoshat e tjera.

    Largimi i studentëve dhe i të rinjve shpjegohet nga studiuesit me ndryshimin e shkaqeve të emigracionit gjatë dekadës së fundit. Ndonëse vihet re një zbutje e faktorëve ekonomikë, numri i personave që synojnë të largohen për shkak të mungesës së perspektivës është në rritje.

    “Vërehet një rritje e numrit të njerëzve që theksojnë faktorët arsimorë, mungesën e së ardhmes në Shqipëri dhe në një masë më të vogël, përkujdesjen shëndetësore që kanë për perspektivën e tyre në vendlindje,” thekson Ilir Gëdeshi, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale.

    Sipas një studimi të realizuar në vitin 2018 nga Gëdeshi dhe pedagogu britanik, Russell King, Shqipëria është ende larg përfundimit të tranzicionit të saj migrator dhe po aq larg mbajtjes së një balance krahasuar me vendet e tjera fqinje.

    “Migrimi shqiptar vazhdon dhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku synimi për të migruar është rritur me 52% që nga 2007,” theksohet në studim.

    Në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, shumë prej studentëve synojnë të ndjekin të njëjtën rrugë si Ela Marku dhe për këtë japin arsye të ndryshme.

    Klevisa Bardeli sapo ka përfunduar studimet Bachelor në Gjuhë-Letërsi dhe po përballet me vështirësi të shumta për nisjen e karrierës së saj. Ajo ankohet se studentëve ekselentë u mungon mbështetja nga qeveria për vazhdimin e Masterit, ndërsa shkolla të ndryshme në qytet refuzojnë për kryerjen e stazhit.

    “Punën shpresoj ta vazhdoj në një vend jashtë Shqipërisë që ofron më shumë mundësi dhe të vlerëson për atë që bën,” tha ajo.

    Ndërsa Jozef Uldedaj, student i vitit të tretë në degën e Gazetarisë synon që edhe studimet Master t’i kryejë jashtë vendit, për shkak të “kurrikulës së zhvilluar dhe mundësive të shumta të punësimit”.

    Sipas të dhënave të vitit 2018 të publikuara nga UNESCO-s, numri i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë është rreth 18 mijë. Gëdeshi thotë se dëshira për emigracion është e theksuar në masë tek studentët shqiptarë, por ai e konsideron shqetësues faktin se 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen më në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

    Ai e rendit qeverinë mes faktorëve nxitës të emigrimit, ndërsa thekson se nevojiten politika të posaçme për reduktimin e këtij fenomeni apo kthimin e tij në migrim qarkullues.

    “Personat më të shumtë që po largohen janë ato me arsim të lartë, të kualifikuar dhe më profesionistë, duke e lënë vendin pa fuqi punëtore dhe praktikisht në mjerim,” tha Gëdeshi për BIRN.

    “Përmes ikjes së të rinjve, shteti shqiptar po humbet investimin dhe të ardhmen e tij,” përfundoi ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit