Nga Orgen Peci
Lexova artikullin e z.Berat Buzhala që përpiqet të shpjegojë sulmet ndaj Edi Ramës për shkak të vizitës së tij në Izrael, duke e paraqitur shumicën e kritikëve si “analistë ekstremë” ose si të fokusuar te Solidariteti me Palestinën mbi interesat kombëtare shqiptare.
Kjo qasje meriton një sqarim më të thellë dhe më të drejtë pse një pjesë e opinionit publik ndjehet e shqetësuar dhe jo thjesht “e sulmon” kryeministrin.
Së pari, vizita e z. Rama në Izrael dhe fjalimi i tij në Knesset u prit me bojkot nga ligjvënës arabë, një fakt që tregon se përtej mesazhit diplomatik që ai dëshiron të dërgojë, ajo gjithashtu ka impakte reale politike dhe perceptuese në arenën ndërkombëtare, jo vetëm brenda Shqipërisë.
Së dyti, kritikat nuk burojnë vetëm nga solidariteti me Palestinën, por nga mungesa e balancës diplomatike që shumë qytetarë presin nga politika e jashtme e vendit.
Në një konflikt kaq të ndjeshëm si ai në Gaza, njerëzit kërkojnë që zëri i Shqipërisë të mos duket vetëm si mbështetje e një pale, por si nxitës i paqes dhe respektit për jetën e civilëve të pafajshëm, pavarësisht përkatësive politike apo fetare. Kritikët e tij vlerësojnë mbrojtjen e të drejtat njerëzore universalë, jo vetëm pozicionet strategjike.
Së treti, një qeveri duhet të jetë e vetëdijshme se politikat e jashtme lidhen ngushtë me perceptimin e brendshëm të drejtësisë, moralit dhe pozicionit të vendit tonë në komunitetin ndërkombëtar.
Nuk është “e padrejtë” të kërkosh që një udhëheqës të konsiderojë ndikimet humane të politikave ndërkombëtare, kjo është pjesë e debatit demokratik, jo thjesht një reagim emocional.
Për më tepër, një qeveri që dëshiron të jetë serioze në diplomaci duhet të mos fshihet pas idesë se vendi është “rëndom pa fuqi”. Edhe pse është i tillë, nuk është turp të shprehësh solidaritet me viktimat e konfliktit apo të kërkosh paqe për të gjithë pa paragjykim.
Shqipëria historikisht ka pasur një traditë të respektit për të drejtat e njeriut dhe të besimit ndërfetar dhe ruajtja e këtij ekuilibri është po aq e rëndësishme sa miqësitë strategjike.
Kështu, zoti Berat. Në vend që ta paraqesim kritikën si çështje të një pale “politike ose ekstremiste”, duhet ta kuptojmë si shprehje të një shqetësimi të vërtetë qytetar për rolin moral të Shqipërisë në botë, shqetësim që kërkon drejtësi, barazi dhe paqe, jo vetëm “interesa”. S’e di a më kupton.
Shkrimi i Berat Buzhalës: Pse po sulmohet Edi Rama prej disa shqiptarëve për vizitën në Izrael?
Turqia, Egjipti, Emiratet, Katari, Bahreini, Iraku, Jordania, Arabia Saudite, bashkë edhe me 22 shtete, janë pajtuar në muajin tetor të vitit të kaluar që Hamasi duhet të zhduket si forcë e armatosur, kurse një numër jo i vogël i ekstremistëve shqiptarë iu janë turrur kryeministrit Edi Rama, që e kërkoi këtë gjë në fjalimin e tij në Knesset, duke i injoruar krimet e Izraelit.
Nuk është i vogël numri i shqiptarëve që më shumë preokupohen me problemin e Palestinës sesa me problemin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Nejse, nuk e di sa prej jush e mbajnë mend Samitin për Paqen në Gaza që u mbajt në Sharm El Sheikh të Egjiptit, e i cili u bashkëdrejtua nga Presidenti i Egjiptit Fatah El Sisi, Presidenti i Amerikës Donald Trump, Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al Thani, si dhe Presidenti i Turqisë Erdogan.
Irani, i cili në vitin 2022 e ka sulmuar Shqipërinë me sulme kibernetike, me dekada e ka financuar dhe e ka përdorur Hamasin për dy qëllime politike:
Nëse dikush mendon që aleanca Hamas–Iran ka qenë dhe është një lloj koalicioni me prapavijë fetare, e ka shumë gabim.
Koalicioni Hamas–Iran është koalicion i pastër politik, që i shërben vetëm Iranit dhe krerëve të Hamasit, por jo edhe palestinezëve. Që nga viti 2006, kur Gaza sundohet nga Hamasi, jeta e palestinezëve vetëm ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e pajetueshme.
Palestinezët janë figura shahu dhe viktima të implikimeve ideologjike dhe financiare, nga jashtë dhe nga brenda.
Shumica e vendeve arabe, posaçërisht Arabia Saudite, as nuk e kanë përkrahur, e as nuk e përkrahin Hamasin, por e përkrahin Fatahun. Hamasi është bërë faktor politik në vitin 2006, kur i ka fituar zgjedhjet.
Javët e para pas kësaj fitoreje, Hamasi i ka vrarë përfaqësuesit e Fatahut në Gaza.
Pra, palestinezët janë të copëtuar politikisht nga brenda dhe nga jashtë, dhe për këtë nuk është fajtor Izraeli, por janë vetë.
Qytetarët e thjeshtë palestinezë tash e dy dekada janë të detyruar të zgjedhin mes një organizate terroriste dhe të korruptuar si Hamasi dhe një organizate ultra të korruptuar si Fatahu.
Pasuria e Mahmud Abbasit të Fatahut llogaritet disa miliarda, kurse krerët e Hamasit jetojnë në luksin e pafund të Katarit.
Faktori i tretë, pas Arabisë Saudite dhe Egjiptit në njërën anë dhe Iranit në anën tjetër, është Turqia. Turqia është vendi i vetëm me shumicë myslimane sunite që e mbështet haptazi Hamasin.
Sigurisht, as Turqia këtë mbështetje nuk e ka sepse solidarizohet me vuajtjet e palestinezëve për shkak të fesë. Nuk e ka Erdogani këtë hall.
Turqia dhe të gjitha këto vende që po i përmend, aktivisht i luftojnë, i vrasin dhe i lënë pa shtet kurdët, të cilët gjithashtu janë myslimanë dhe janë sunitë, por që për fatin e tyre të keq janë komb i vogël dhe pa krah.
Edhe nuk u ka rënë ndonjë xhami me emër në territoret ku ata jetojnë.
Apo jo?
Sepse kauza kurde nuk është mjaftueshëm “seksi”. Nuk është as kauza jemenite. Nuk ka shumë publik të interesuar, sepse edhe vrasësi edhe i vrari janë myslimanë.
Që të apelojë, që të ketë sukses, vrasësi duhet të jetë i një feje tjetër.
Kurdët edhe po t’i vrasësh të gjithë, askush nuk ankohet, prandaj ata jetojnë në katër-pesë shtete. Pse?
Sepse palestinezët janë arabë dhe arabë ka shumë nëpër botë. Pra, gara më e madhe mes katër-pesë fuqive kryesore në botën islame është kush po fiton terren politik më së shumti.
Dhe terren politik fiton më së shumti kur paraqitesh si gardian i palestinezëve, sepse apriori e merr vëmendjen e qytetarit të thjeshtë nga Magrebi deri në Gjirin Persik, e madje edhe në Amerikën Latine, ku jetojnë shumë arabë të krishterë që janë shpërngulur nga Palestina pas Luftës së Dytë Botërore, por që kanë shumë vota. Po flas për Kilin, Kolumbinë dhe jo vetëm.
Pra, a e keni pyetur ndonjëherë veten pse shtetet katolike të pastra, posaçërisht ato të Amerikës Latine, por edhe Spanja e Irlanda, janë shumë më pro-palestineze sesa ato protestante ose ato më sekulare?
Sepse, përveç të tjerash, është çështje votash dhe parash.
Pra, Turqia dhe Irani e mbështesin Hamasin për dominance.
Egjipti e dinë që kjo është lojë e jo parim.
I pakënaqur dhe me plot rezerva për paqen e arritur në Egjipt ka qenë edhe Rusia, e cila e ka përdorur Hamasin për ta shpërqendruar vëmendjen e botës nga Ukraina, duke hapur një front të ri.
Nuk ka dyshim, gjatë dy viteve të fundit ishin palestinezët e Gazës që e kanë paguar çmimin më të lartë, si me jetë njerëzish, ashtu edhe me cilësi jete për ata që ende janë gjallë.
Palestinezët e thjeshtë kanë qenë dëm kolateral i lojërave të mëdha globale për dominancë, dhe unë nuk e kuptoj pse Shqipëria dhe Edi Rama duhet të vallëzojnë sipas instrumenteve muzikore të shteteve të tjera.
Pse Shqipëria nuk guxon të rreshtohet në këtë krizë sipas interesit të saj?
Shqiptarët as nuk janë arabë, as turq, as persë e as latinë. Feja nuk është identiteti më i rëndësishëm i shqiptarit, sepse nëse do të ishte feja, atëherë kurrë mes nesh nuk do të ndaleshin luftërat. Ne jemi shqiptarë sepse flasim shqip, dhe nuk jemi shqiptarë sepse jemi myslimanë apo të krishterë.
Kjo rrugë është trasuar në mënyrë gjeniale nga rilindasit, para njëqind e kusur vjetësh.



