27.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Oficeri hero futet në mes të flakëve në Gramsh, merr në krahë të moshuarën dhe e largon nga zjarri

    Gjatë ditëve të fundit Gramshi është duke u përballur me orë të vështira, ndërsa zjarri përpin pyje dhe shtëpi. Në këtë skenë frike, ankthi, tymi të zi e flakësh “përbindëshe” në ndihmë të forcave të zjarrfikëses kanë ardhur qytetarë e oficerë policie.

    Në prej tyre ka qenë oficeri i krimeve, Alfred Zhupani, i cili u hodh në mes të rrezikut për të shpëtuar jetë. Nga fotot e bëra virale në rrjet, por dhe nga dëshmitë e gramshiotëve, Zhupani, djali i Gramshit, mbajti në krahë një grua të moshuar dhe vrapoi mes flakëve të cilat përhapeshin me shpejtësi, pa menduar as për rrezikut, as për lodhjen.

    Sekondat ishin vendimtare, ndërkohë që oficeri i Krimeve vraponte si “vetëtimë” për të larguar të moshuarën nga banesa që po shkrumbohej.  Sipas banorëve, Alfredi nuk ndaloi asnjë çast derisa arriti që ta vendoste në një zonë të sigurt.

    Burime për mediat bëjnë me dije se mëngjesin e kësaj të enjte zjarrfikësit kanë mundur të neutralizojnë zjarret në fshatin Skëndërbegas aty ku dhe situata paraqitej alarmante përgjatë orëve të fundit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se në ndihmë të zjarrfikësve të zonës kanë shkuar dhe zjarrfikës nga Korça si dhe Pusteci.

    “Në Skënderbegas të Gramshit, çdo minutë ka rëndësi. Në ndihmë të emergjencave lokale dhe Forcave të Armatosura në zonë, janë dislokuar edhe zjarrfikës nga Korça dhe Pusteci , për të mbyllur përfundimisht një front të vështirë dhe për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi të zjarrit”, shkruan Vengu.

    Ndërkohë që banorët në disa fshatra të Gramshit janë duke u kthyer nëpër banesat e tyre. Sakaq situata alarmante thuhet se është në pyjet e Sojnikut dhe Snomsit. Gjithashtu, flakët kanë dalë jashtë kontrollit edhe në malin e Komjanit ku si pasojë e erës dhe bimësisë të thatë zjarri po përhapet me shpejtësi.

    Kujtojmë se përgjatë ditëve të fundit Gramshi ishte dhe zona e cila u “mbërthye” nga zjarret ku dhe u dogjën 7 fshatra. Zjarri në Gramsh shënoi dhe viktimën e parë në vend, një 80 vjeçar i cili dyshohet të jetë dhe autori i këtij zjarri.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit