Gazetarja Ola Xama i ka shpallur “luftë” partisë së Arlind Qorit.
Ajo shkruan se nuk do votojë për këtë parti, pasi ka lidhje me oligarkët.
Postimi i Xamës
Situatën ku ndodhet sot Shqipëria jam e bindur që nuk e ndryshojnë dot as programet, as ideologjitë dhe as premtimet utopike që janë bërë zakon i fushatave – ku kandidatët na shfaqen si magjistarët që mbajnë shkopin magjik, e me të mund ta kthejnë vendin në një tokë të premtuar.
Sa i takon përplasjes së ideve mbi praninë e shtetit në sferën publike dhe vendosjes së kufijve mes publikes dhe privates, prapë besoj se nuk është koha dhe as vendi (Shqipëria) që meriton këto diskutime, kur sot po rrezikojmë të rrëshkasim në një sistem autokratik. Vlerat e meritokracisë janë përmbysur, cilësia e shërbimeve publike është ulur, korrupsioni është rritur dhe është instaluar modeli ku për të larë duart ligjërisht pasuritë e vendit jepen me ligj apo vendime kolegjiale.
Prandaj besoj se përpara se të flasim se çfarë modeli e shpëton vendin, duhet të kërkojmë zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë, funksionimit të organeve të pavaruara nga Kuvendi e deri te agjencitë e dorës së dytë e tretë dhe garantimin se ligjet zbatohen dhe shteti nuk kapet.
Një nga problemet më shqetësuese të ekonomisë shqiptare është kapja e saj nga një dorë biznesmenësh të cilët në sajë të lidhjeve dhe ndihmës nga pushteti kanë arritur të marrin toka, leje, licenca, të drejta shfrytëzimi, tendera, kontrata etj. duke u vendosur në krye të piramidës së vendit. Që në këtë moment nuk mund të flasim dot as për demokraci dhe as për parime nëse tregu nëse duhet të jetë më i lirë – apo më i kontrolluar nga shteti. Sot jemi në situuatën që shteti të bën të pasur, shteti të bën të varfër – kjo varet nga dëshira e udhëheqësit.
Lëvizja Bashkë ka patur në thelb të denoncimeve të saj sistemin oligarkik të vendit. Ndryshe nga kjo linjë e tyre, unë mendoj se në Shqipëri nuk ka oligrakë të mirëfilltë që vendosin drejtuesit, por anasjelltas- biznemenë që ofrohen të shërbejnë sa më mirë dhe të marrin shpërblimin e të qënit të pasur duke mbajtur në emër të tyre pasuri të politikanëve. Por kjo është një tjetër çështje.
Lëvizja Bashkë më ka pëlqyer për këto denoncime dhe sidomos për faktin që në fushatën e Zgjedhjeve Vendore 2023 ishte e vetmja forcë politike që denoncoi shkeljet dhe lidhjet kriminale në të gjitha kullat që po ndërtohen në kryeqytet.
Lëkundjet mbi vërtetësinë e denoncimeve së kësaj force politike më erdhën disa muaj më pas, kur shihja që për çështjet ku ndaje një mendim ndryshe – ktheheshe papritur në armik (asnjë ndryshim nga mendësia e partive tradicionale). Një tjetër përshtypje jo për mirë më ka lënë dhe insistimi për denoncimin e mediave që nuk shfaqin aktivitetet e kësaj partie duke i ikur tinëzisht thelbit nëse mediat janë të kapura nga interesat ekonomike, apo ishin të kapura vetëm ato që nuk transmetonin aktivitetet e saj; e deri te protesta ku në vend që të prevalonte ngjarja e rëndë e policit, u pa një sherr se kush ishte pronari i saj.
Bindjen se unë nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë nuk e krijova as kur lexova programin paradoksal në disa çështje, sepse siç e thashë më lart Shqipërinë nuk e bën as niveli i taksimit, e as qasja në politikat sociale- bindjen e krijova kur pashë që në listën e Tiranës ishte renditur i pari Redi Muçi, djali i një prej ortakëve të oligarkëve që Lëvizja Bashkë denoncon dhe thotë se do t’i luftojë – ndërsa në Gjirokastër është kandidate në listën e hapur motra e tij Stela Muçi.
Sondazhet sugjerojnë se mundësitë janë që Lëvizja Bashkë do të arrijë të marrë vetëm 1 kandidat në Tiranë, ndaj çdo votë e atyre që simpatizojnë këtë forcë do të shkojnë për z.Redi Muçi i cili është i renditur në listën e mbyllur. Redi Muçi është djali i Fredi Muçit, ndërtues në kryeqytet dhe aksioner në disa firma të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe betonit, por dhe një nga ortakët në kompaninë “Arameras” shpk, bashkë me kompaninë Concord Investimet të vëllezërve Dulaku.
Kjo firmë ka ndërtuar një resort në Ksamil, në zonë të mbrojtur – ndërsa toka është dhënë me qira modeste vite më parë nga qeveria shqiptare si subjekt “i simuluar”. Kompanitë Concord Investiment dhe Edil Al të ortakëve të Fredi Muçit, kanë përfituar toka me qira 1 euro, koncesione të shumta, leje ndërtimi, kontrata publike, tendera etj. dhe janë pjesë e listës të sistemit oligarkik që kjo forcë denoncon.
Ndaj unë nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë. Nëse në krye të fushatës së saj është eleminimi i sistemit oligarkik, dhënia e vendit të vetëm që pret të marrësh në parlament një prej fëmijëve të atyre që denoncon, të rrëzon çdo parim!
Reagimi i Redi Muçit
Në 3-4 ditët e fundit është përhapur lajmi se babai dhe xhaxhai im janë ortakë me oligarkët që kanë përfituar toka publike me 1 euro, se janë ndërtues dhe përfitues “me një përqindje të konsiderueshme” në një resort turistik në Ksamil. Madje jo vetëm kaq, por aludohet që vendin e parë në listën e Tiranës unë e paskam blerë me paratë e oligarkëve.
Në radhë të parë dua të them se nuk më shqetëson aspak fakti se dikush ka shkuar dhe ka kërkuar mbiemrin Muçi në arkivën e QKB, sepse besoj se kushdo që merret me politikë duhet të ndodhet vazhdimisht nën syrin mbikëqyrës të publikut dhe duhet ta ketë gjithçka transparente: marrëdhënie pronësie, pasuri, llogari bankare, e shumëçka tjetër.
Sidoqoftë, kur lajmi i sponsorizuar doli nga një portal anonim, nuk e mora seriozisht për faktin se në aktivitetin tonë politik jemi mësuar me akuza nga më të ndryshmet: sikur na paguan Sorosi, sikur na paguan Erion Veliaj, pastaj na paguan Sali Berisha, sikur na financon Putini, pastaj komunistët gjermanë, madje sikur Arlind Qori eshte pronar i pallatit që u ndërtua aty ku u shemb vila 1-katëshe që dikur ishte Logu ynë i përbashkët.
Megjithatë, kur këtë lajm e shpërndan një gazetare investigative si Ola Xama, për të cilën – për hir të së vërtetës – deri sot kam ushqyer një farë respekti për punën e saj, e madje e përdor si argument se përse nuk do ta votojë Lëvizjen BASHKË, atëherë detyrohem të bëj një sqarim publik.
Ku ka zë, nuk është pa gjë, thotë populli. E pikërisht, më duhet të sqaroj atë gjënë, atë qimen që këto ditë është bërë tra. A e dini se sa është “përqindja e konsiderueshme” me të cilën im atë na qenka ortak me Tan Dulakun?! 0.8%! Po, 0.8% si pronar toke! Me të drejtë shtrohet pyetja se pse im atë është pronar toke në Ksamil dhe këtu më duhet të kthehem pas në kohë, për të sqaruar ngjarjet me sa mundem në rend kronologjik.
Babai im, Fredi Muçi, është pensionist, por në profesion ka qenë inxhinier ndërtimi. Njëjtë edhe xhaxhai, Maksi, i cili pa mungesë modestie duhet të them se është një ndër inxhinierët më të aftë që ka patur Shqipëria në këto 34 vjet. Në vitin 1993, të dy ata së bashku me një inxhinier tjetër të nderuar, Bujar Qirkon, ngritën një firmë ndërtimi me emrin SCAI – Societa construttiva albano-italiana, në bashkëpunim me investitorë italianë. Investitorët italianë ishin të interesuar në ndërtimin e një fshati turistik në Ksamil. Italianët kishin kapitalin investues, ndërsa shqiptarët ishin thjesht ndërtues, zbatues të punimeve, e detyrimisht jo pronarë.
Në vitin 1995 pra u mor leja e ndërtimit dhe në vitin 1996 nisi ndërtimi i disa prej vilave të pushimit në Ksamil, diku te 70. Për fatin e keq të gjithë shqiptarëve, erdhi viti 1997 dhe gjithçka u ndërpre. Qeveria që e pasoi i zvarriti procedurat dhe diku aty nga fillimi i viteve 2000, pronari i kompanisë italiane vdiq. Pasardhësit e tij, jo vetëm që nuk donin ta vazhdonin projektin, por palës shqiptare – pra babait, xhaxhait dhe ortakut të tyre – nuk u shlyen as koston e punimeve që kishin bërë: diku te 80 mijë euro, që për ato vite ishte goxha kapital. Pala italiane e shiti projektin, me ndërtesat e gjithçka qe bërë deri atëherë, te një italian tjetër, i cili ishte ortak me Artan Dulakun.
Nuk e di për ç’arsye as italiani i dytë nuk e çoi përpara këtë projekt. Di që Artan Dulaku u bë pronar i më shumë se 50% të tokës dhe është përgjegjës për të gjithë investimin që është bërë në tërë këto vite në atë zonë të Ksamilit. Ama Dulaku, njëkohësiht ftoi rreth 7-8 firma të tjera ndërtimi për të blerë aksione si pronarë toke, mes tyre edhe SCAI-n. Arsyeja kryesore pse firma SCAI u bë pjesërisht pronare toke ishte sepse nga ato 80 mijë eurot e investuara në vitin 1996 s’kishte parë gjë me sy, e në këtë mënyrë mund të kompensohej pjesërisht.
Për ta mbyllur këtë rrëfim: xhaxhai dhe babai im morën secili nga 3.33%, por marrëveshja me pronarët e tokës u bë e tillë që ata do përfitonin vetëm 24% të investimit. Pra 3.33% të 24%, baras me 0.8% të investimit. Xhaxhai vendosi që t’ia shiste pjesën e tij Dulakut, ndërsa im atë është ende pronar “në letër” i 0.8%. Them në letër, sepse deri më sot nga ai investim babai im ka përfituar ekzaktësisht zero lekë. Pavarësisht se aty janë bërë investime dhe vijnë turistë, asnjëri prej pronarëve të vegjël nuk ka një hipotekë (në dijeninë time e të tim eti) apo një përfitim të drejtpërdrejtë nga investimi që ka bërë Dulaku. Shpresa e im ati është që një ditë, kur ta vendosë Dulaku, edhe atij do t’i takojë një 0.8%.
Unë sfidoj këdo investigues profesionist, punonjës të FBI-së, apo gazetar shqiptar që të nxjerrë një letër të vetme ku thuhet se im atë ka përfituar 1 euro nga kjo “ortakëri”. E cila në fund të ditës është totalisht legjitime. Me të njëjtën logjikë, gjithkujt që është pronar toke në një shesh ndërtimi, mund t’i ngjitet akuza e “ortakërisë me oligarkët”.
Unë nuk e di se çfarë do të ngelë në mendjen e opinionit publik nga ky rrëfim. Dashakeqët, ata që përnjëmend e kanë kafshuar bregdetin shqiptar me “investitorë strategjikë” duke zhvatur banorët lokalë, ata që duan të zbojnë “ata që vijnë nga mali për të ngulur çadrën”, ata që duan të marrin ujin e banorëve të fshatrave për të mbushur pishinat e tyre; ata padyshim do të vazhdojnë të ngrenë akuza. Dashakeqët, sidomos ata të cilët përnjëmend financohen nga Sorosi, përnjëmend kanë legalizuar me firmat e tyre plaçkitjen e bregdetit shqiptar, të cilët potencialisht janë vegla në duart e partive të vjetra, ata padyshim se do t’i fryjnë tymit të ngritur.
Sido qoftë puna, unë jam krenar për babanë dhe xhaxhanë tim, për modelin e tyre të të qenit njëkohësisht edhe ndërtues me profesion, edhe të ndershëm në xhunglën shqiptare të 34 viteve. Inxhinier ndërtimi është edhe profesioni im, pavarësisht se unë në jetë zgjodha të merresha me botën akademike dhe me aktivizmin politik. Është sidomos falë prindërve të mi që unë jam sot këtu, duke kërkuar të përfaqësoj popullin e Tiranës në parlamentin shqiptar. Është falë mundësisë që më dhanë për t’u shkolluar jashtë shtetit, por edhe falë mbështetjes së tyre financiare pa të cilën edhe unë do detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi, siç bëjnë qindra kolegë e ish-studentë të mitë.
Po sidoqoftë, mos prisni që tymi të venitet. Edhe pse kompania SCAI ka 10 vjet që nuk ushtron aktivitet, për “të birin e ortakut të oligarkut” do të thonë se i ati ka ndërtuar kulla. Po u paraprij unë gjithë kuisjeve duke thënë se në ato vite aktivitet ndërtimor, kompania SCAI ndërtoi në vitin 2003 pallatin 9-katësh ku unë banoj, dhe tre pallate banimi te Pazari i Ri. Atëherë kur ende tregu nuk ishte zaptuar nga ata pak oligarkët rrotull Edi Ramës, oligarkë të cilët lejen nuk e kërkonin më për të ndërtuar apartamente banimi, por për kulla 60-katëshe. Mes tyre edhe Tan Dulaku.
Unë nuk kam frikë ta përmend emrin e Dulakut, e të askujt prej oligarkëve të tjerë të ndërtimit: Ulaj, Fusha, Salillari, Gjoka, etj. Kjo është arsyeja pse në programin qeverisës të Lëvizjes BASHKË ne kërkojmë moratorium për të pezulluar ndërtimet brenda Unazës së Tiranës, pse propozojmë rritjen e taksave ndaj investitorëve të ndërtimit, pse kërkojmë që kapitali të mos vazhdojë të investohet në këtë sektor spekulativ por në sektorët prodhues.
Por të gjitha këto nuk i interesojnë Ola Xamës, e cila e ka ndarë mendjen të mos e votojë Lëvizjen BASHKË. E në punën e saj kolosale investiguese, zbuloi edhe që Stela është motra ime, e që ajo garon në listën e hapur të vendlindjes sonë, Gjirokastrës. Por Ola nuk arriti të zbulojë se Stela është edhe aktiviste në Lëvizjen BASHKË pothuajse po aq gjatë sa edhe unë, se është diplomuar në Paris në arkitekturë, e më tej në urbanistikë, e më tej në shkenca sociale, e se aktualisht po zhvillon studimet e doktoratës në Paris me temë zhvillimin urban të Tiranës pas viteve ‘90. Të gjithë këto gjëra nuk i zbuloi dot Ola, e cila nuk do të votojë Lëvizjen BASHKË.
Këta jemi ne. Kjo është politika dhe gazetaria shqitare.