Prej datës 1 janar 2023, Shqipëria do të ketë vetëm dy operatorë celularë. Dy operatorët, ONE dhe ALBtelecom do të bashkohen ligjërisht, në përfundim të një procesi të nisur pas blerjes së tyre nga grupi hungarez 4iG.
Bashkimi i tyre do të krijojë kompaninë më të madhe të shërbimeve fikse dhe celulare në vend për nga numri i klientëve.
Sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ONE dhe ALBtelecom në fund të tremujorit të tretë 2022 zotëronin pothuajse 1.8 milionë klientë aktivë të shërbimeve celulare (më shumë se 52% të totalit) dhe 112 mijë klientë të shërbimit të internetit fiks (rreth 20% të tregut).
Numri i operatorëve në treg do të ulet nga tre në dy, numri më i ulët që prej vitit 2008, kur pikërisht ALBtelecom pati nisur aktivitetin në këtë treg, nëpërmjet kompanisë së saj celulare, Eagle Mobile.
Konsolidimi është një tendencë që po ndeshet gjithnjë e më shpesh në tregjet e telekomunikacioneve në dekadën e fundit. Kjo ndodh sepse operatorët më të vegjël e kanë të vështirë të jenë eficientë në afatin e gjatë, sidomos në tregje me përmasa të vogla, si Shqipëria. Tregu celular është një treg shumë konkurrues dhe ku nevoja për investime është e madhe dhe e vazhdueshme.
Po të shohim treguesit financiarë të operatorëve celularë në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, ka një tendencë në dukshme të rënies së fitimeve edhe për operatorët më të mëdhenj, ndërkohë që operatorët më të vegjël kanë rezultuar në mënyrë konstante me humbje.
Mbështetur në të dhënat nga AKEP, operatori ONE e mbylli vitin e kaluar me një fitim ndjeshëm më të ulët krahasuar me vitin 2020, ndërsa Vodafone dhe ALBtelecom regjistruan një vit më humbje. Përkeqësimi i performancës financiare të tregut të vështirë sigurimin e burimeve për të financuar investimet e reja në teknologji.
Nevoja për investime dhe ekzistenca një madhësie kritike është e lidhur shumë edhe me sjelljen konsumatore, sepse përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale.
Statistikat e AKEP tregojnë se në tremujorin e tretë trafiku i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri prej 52 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 14% krahasuar tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazike të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara, ofrimi i shërbimit cilësor të internetit është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe më shumë investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.
Në një të ardhme të afërt, edhe Shqipëria do të tenderojë edhe frekuencat e para për zhvillimin e teknologjisë 5G, që pritet të rrisë shpejtësinë e ofrimit të shërbimit të internetit nga rrjetet celulare. Por, ngritja e këtyre rrjeteve do të kërkojë investime të mëdha nga operatorët celularë, për marrjen në përdorim të frekuencave, si edhe për ngritjen dhe zhvillimin e rrjeteve të bazuar në teknologjinë e re.
Mes operatorëve celularë, ekziston shqetësimi se abonimi i përdoruesit fundor mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm. Madje, disa operatorë mendojnë se duke qenë se një infrastrukturë e rrjetit 5G në Shqipëri do të kishte një kontribut të rëndësishëm në qeverisjen më efektive, shteti duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë me para për investimin në infrastrukturën e nevojshme.
Sfida të ngjashme po kalon edhe tregu i shërbimeve fikse. Numri i operatorëve është më i lartë, sidomos në qendrat e mëdha urbane, por sfidë për tregun ngelet përmirësimi i teknologjisë dhe tranzicioni drejt teknologjisë së fibrës optike deri tek përdoruesi fundor.
Nga ana tjetër, tregu ka nevoja të mëdha për të rritur shtrirjen dhe depërtimin e linjave fikse në zonat rurale dhe periferike të vendit. Statistikat krahasuese tregojnë se, megjithatë rritjen e shpejtë të viteve të fundit, Shqipëria është një nga vendet me depërtimin më të ulët të linjave fikse të internetit në raport me popullsinë në Europë.
AKEP vlerëson se ky tregues në fund të vitit të kaluar arriti në 19.7% të popullsisë, por megjithatë numri i përgjithshëm i lidhjeve të internetit mund të jetë disi i mbivlerësuar, sepse sidomos për operatorët më të vegjël shifrat bazohen në vlerësime të AKEP, se sa në raportime të rregullta dhe të verifikuara prej tyre.
Ç’është më e rëndësishme, hendeku mes zonave urbane dhe atyre rurale vazhdon të jetë shumë i lartë. Të dhënat tregojnë për një normë të depërtimit të internetit nëpërmjet rrjeteve fikse në zonat urbane mesatarisht 30% dhe në zonat rurale mesatarisht 8%./E.Shehu