12.5 C
Tirana
E premte, 13 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Operatorët turistikë shqiptarë bëhen gati për shtrenjtimin e biletave të avionëve

    Tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në Ngushticën e Hormuzit kanë ngritur alarmin në industrinë e turizmit dhe të transportit ajror, ndërsa operatorët turistikë në Shqipëri po përgatiten për mundësinë e një rritjeje të çmimeve të biletave të avionëve nëse nafta vazhdon të shtrenjtohet.

    Konflikti i fundit në rajon ka shtuar presionin mbi tregjet globale të energjisë dhe çdo rritje e çmimit të naftës prek drejtpërdrejt edhe industrinë e aviacionit, ku karburanti përbën një nga kostot kryesore të operimit.

    Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, përvoja e krizave të mëparshme tregon se shtrenjtimi i naftës mund të rrisë ndjeshëm kostot e linjave ajrore, pasi karburanti përbën rreth një të tretën e shpenzimeve të tyre.

    Ai shpjegon se nëse kriza mbetet afatshkurtër, kompanitë ajrore kanë kapacitet ta përballojnë rritjen e kostos pa e reflektuar menjëherë në çmimin e biletave.

    “Duke parë mënyrën se si operojnë linjat ajrore ndërkombëtare dhe përvojën e rasteve të mëparshme, një rritje e çmimit të naftës rrit edhe kostot e operimit. Megjithatë, nëse situata zgjat vetëm pak javë, kompanitë zakonisht e absorbojnë këtë kosto në operimin e tyre global. Për një periudhë prej katër deri në tetë javë ato kanë mundësi ta përballojnë pa ndryshuar menjëherë çmimet e biletave”, shprehet Gjokutaj.

    Sipas tij, vetëm në rast të një përshkallëzimi të gjatë të konfliktit dhe një rritjeje të fortë të çmimit të naftës, linjat ajrore do të detyrohen ta transferojnë këtë kosto te pasagjerët.

    Megjithatë, industria e turizmit përballet me një problem tjetër po aq të rëndësishëm: pasigurinë që krijojnë konfliktet dhe ndikimin e saj në vendimmarrjen e njerëzve për të udhëtuar.

    Eksperti i turizmit Besnik Vathi thotë se në situata të tilla kërkesa për udhëtime bie ndjeshëm, shpeshherë shumë më tepër sesa ndikimi i drejtpërdrejtë i rritjes së kostos së karburantit.

    “Industria e udhëtimit është shumë e ndjeshme ndaj pasigurisë. Kur shpërthen një konflikt ose krijohet perceptimi i rrezikut për fluturime apo destinacione të caktuara, njerëzit frenohen menjëherë për të rezervuar udhëtime. Në raste të tilla kemi parë ulje të rezervimeve deri në 70 apo edhe 80 për qind menjëherë pas fillimit të luftës”, shprehet Vathi.

    Sipas tij, kjo rënie e kërkesës ndikon edhe në strategjinë e linjave ajrore. Në vend që të rrisin menjëherë çmimet për të kompensuar shtrenjtimin e karburantit, kompanitë shpesh zgjedhin të ofrojnë zbritje apo oferta për të nxitur udhëtimet.

    “Kur kërkesa bie, linjat ajrore nuk kanë interes të rrisin çmimet. Përkundrazi, shpesh hedhin oferta për të mbajtur gjallë tregun e udhëtimeve. Vetëm nëse çmimet e karburantit mbeten të larta për një periudhë të gjatë dhe bëhen pjesë e realitetit të ri ekonomik, atëherë kjo rritje do të reflektohet gradualisht edhe në çmimet e biletave”, thotë ai.

    Për momentin, sipas ekspertëve, është ende herët për të folur për një shtrenjtim të menjëhershëm të biletave të avionëve. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme zgjaten dhe çmimi i naftës qëndron për një kohë të gjatë në nivele të larta, industria e aviacionit mund të detyrohet të rishikojë tarifat.

    Deri atëherë, operatorët turistikë dhe kompanitë ajrore po ndjekin me kujdes zhvillimet në tregjet globale të energjisë, ndërsa për udhëtarët shqiptarë situata mbetet për momentin pa ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e fluturimeve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit