7.5 C
Tirana
E martë, 23 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Opozita një “Absurditetit shqiptar”…

    Nga Fejzo Subashi

    Veprimtaria dhe qasja e Opozitës  shqiptare, të kujton atë rastin  e vetm në botë ku pacienti shkon te mjeku vetëm për t’i rritur temperaturën vetes. Ooozita jonë, përpara se të merret me Ramën, Qeverinë Rama, Shqipërinë, hallet, çmimet, krizën, skandalet, e gjithë lista me dertet kombëtare , opozita duhet të merret me veten. Sepse sot ajo nuk është jo vetëm një parti  politike, por as edhe  organizim politik;  Ajo sot është katandisur në  një shtëpi, ku mbanë  dritat ndezur, por pa njeri brenda dhe aq më pak të presësh ndonjë dasmë të madhe.

    Si mund të mendosh e të besosh te kjo Opozitë të marrësh drejtimin e vendit, kur nuk është  në gjendje të marrë  drejtimin e vetes? Si mund të pretendosh se kjo opozitë mund të bëjë  rotacion, kur nuk ke as orientim? Si të vish në pushtet, kur nuk e di cilën derë të partisë sate hap më parë?

    E ndërsa opozita grindet për vulën, karrigen, sallën, radhën e fjalës, marshimin, mënyrën e dorëzimit të mikrofonit, apo mes formacionit opozitar se si bëhet opozitë, Rama jo vetëm që s’i çan kokën, por siguron i qetë vazhdimësin në mandatin e katërt. Pa pasur nevojë të bëjë ndonjë heroizëm. Sepse kur kundërshtari është vetë problemi i vetes, qeverisë i zgjidhen problemet falas.

    Skandalet? Ato që kudo në botë rrëzojnë një qeveri, këtu shërbejnë si oksigjen për jetëgjatësinë e saj. Sepse një opozitë pa lider, pa projekt, pa strategji, pa qeveri hije, pa frymë, pa idenë bazë të aksionit politik… nuk është opozitë. Është dekor. Skenografi e kotë në një teatër ku protagonisti i vetëm është kryeministri.

    Në vend që skandalet e mazhorancës të ktheheshin në armën më të fortë të luftës politike, këto bëhen boomerang dhe godasin opozitën në kokë. E çuditshme? Jo shumë. Se kur humbet rrugën në oborrin e shtëpisë tënde, s’ke nga shkon tjetër veçse bie brenda gropës që hape vetë.

    Dhe realisht, një opozitë që lufton më shumë me veten sesa me qeverinë, është luks… për qeverinë. Një luks që nuk e gjen dot as mazhoranca më e korruptuar në botë. Me këtë ritëm, opozitës sonë i mbetet vetëm të kërkojë statusin e organizatës joqeveritare, se opozitë nuk mund të quhet pa funksionin elementar të ekzistencës: sfidimin e pushtetit.

    Prandaj, çfarë rotacioni, çfarë ndryshimi pushteti? Me këtë opozitë, më shumë gjasa ka të ndryshojë klima se të ndryshojë qeveria. E në fund del pyetja e pashmangshme:

    A është mazhoranca kaq e fortë… apo opozita kaq e dobët?

    A e zgjat Rama pushtetin me meritë… apo opozita ia dhuron me dorë?

    Dhe ç’kuptim ka fjala “opozitë”, kur skandalet e qeverisë i dëmtojnë më shumë kundërshtarët e saj sesa vetë qeverinë?

    Në Shqipëri, edhe absurditeti ka opozitën e vet. Dhe fatkeqësisht… edhe ajo e ka humbur busullën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit