Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, avokati Adriatik Lapaj, debatoi me gazetarin Andi Tela në emisionin “Të Paekspozuarit”. I pyetur pse dështoi Aleanca Kuq e Zi, ku Lapaj ishte kandidat për deputet në qarkun e Vlorës, ai nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë se nuk e di se pse dështoi kjo lëvizje dhe se për këtë duhet pyetur Kreshnik Spahiu.
Debati në studio
Ylli Rakipi: Ju keni qenë te Aleanca Kuq e Zi.
Adriatik Lapaj: Kjo ka qenë një nga krenaritë e mia. Në moshën 22 vjecare, kur isha në përfundim të studimeve të mia, është themeluar kjo lëvizje. Kam qenë ndër të parët që i jam bashkuar. Përse iu bashkuam dhe çfarë arritëm? Në moshën 22 vjeçare unë kam luftuar kundër ligjit për gjendjen civile, që përcaktonte ndryshimin e kombësive me deklarata dhe dëshmitarë. Merrje tre vetë dhe ndryshohej kombësia. Luftuam kundër kësaj. Vijmë te e dyta, ka qenë beteja për detin, unë e kam besuar fort dhe gjykata kushtetuese i dha të drejtë.
Andi Tela: Pyetja ishte tjetër, pse dështoi? Kjo partia që dilte me flamuj, që na dilte me shqiponjën, pse dështoi? Sipas teje pse dështoi? Ku gaboi Kreshnik Spahiu me lëvizjen e vet, Aleanca Kuq e Zi?
Adriatik Lapaj: S’e di. Ajo që di unë është se kjo që po bëj sot është vazhdimi i një ideologjie dhe mendimi që unë kam patur dhe më ka thirrur gjithmonë për të ndikuar..
Andi Tela: Ku gaboi, se ti ishe aty brenda?
Adriatik Lapaj: S’e di, nuk kam ardhur për Kreshnikun këtu, kam ardhur për Adriatikun.
Andi Tela: Po ti ishe pjesë e një partie politike.
Adriatik Lapaj: Jo unë isha pjesë e një lëvizjeje politike që u shndërrua në parti.
Andi Tela: Ti dole kandidat për deputet dhe u votove. Kjo partia që doli në të gjithë Shqipërinë me flamurin kuq e zi, mblodhi shumë njerëz pas, hyri në garë..
Adriatik Lapaj: Tani do më kërkosh llogari për Kreshnikun? S’e di. Nuk kam mendim.
Andi Tela: Kjo do të thotë se s’do që të përgjigjesh. Ti ke mendim se si duhet bërë Shqipëria, se si duhet të ndryshojë..
Adriatik Lapaj: Njerëzit menduan se nuk duhet ta votojnë.
Andi Tela: Po pra, ky është fakti. Ku gaboi Kreshnik Spahiu që kjo lëvizje dështoi?
Adriatik Lapaj: Nuk e di. Nëse një ditë, Adriatik Lapaj dështon.. unë nuk po i kërkoj votë njeriu.
Andi Tela: Po çfarë po bën?
Adriatik Lapaj: Po bëj një grumbullim vullnetesh dhe kohezion të ri social për të imponuar ndryshime demokratike.
Andi Tela: Shoqatë!
Adriatik Lapaj: Në këtë vend ku pushteti tallet, të bën atë që të bën në bashkinë e Kukësit dhe ku opozita është aq e paaftë sa, pasi i bënë atë që i bënë në bashkinë e Kukësit, i humbet në një nga zonat që është bastion, po bëjë që në këtë vend të ketë një kohezion social mes shtresave të ndryshme për të kërkuar procese demokratizuese.