Të gjithë individët që kanë blerë makina luksoze, por që nuk e justifikojnë një pasuri të tillë me të ardhurat e deklaruara, për hërë të parë, janë vënë në sitën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Deri më tani, rezultojnë 400 automjete luksoze të blera gjatë viteve 2023-2024 nga persona që nuk kanë asnjë të ardhur të deklaruara.
Tatimet u bëjnë thirrje këtyre individëve të tregojnë se nga e kanë burimin e të ardhurave më të cilat kanë blerë automjetet, kur nuk figurojnë as të punësuar dhe as me biznese të deklaruara.
“Të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së: Të ardhurave të deklaruara pranë Administratës Tatimore, përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara dhe dokumentacionit justifikues të burimit financiar”, njofton Drejtoria e Tatimeve.
Në cdo rast që këto të dhëna nuk përputhen, tatimet paralajmërojnë penalitete, por pa e specifikuar masën dhe llojin e ndëshkimit.
Tatimet i janë vënë pas edhe personave dhe bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore. Sipas një marrëveshje të firmosur me Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor kushdo që nuk paguan taksat dhe tatimet në kohë, dhe ka një automjet, ai do të bllokohet, dhe as nuk mund të shitet, derisa detyrimi të shlyhet
Këto masa ndërmerren në kuadër të planit kundër evazionit fiskal, me qëllim uljen e informalitetit dhe goditjen e fenomenit të mos deklarimit të të ardhurave.