Belind Këlliçi është kandidati i parë brenda opozitës që hyn në procesin e primareve. Ai është gati të lërë mandatin e deputetit për të garuar përballë Velajt. Ambicien për të garuar në procesin e primareve brenda PD gjithashtu e ka shprehur edhe mjeku Ilir Alimehmeti, ish-deputeti Gert Bogdani dhe aktori Julian Deda.
Por a është një kandidaturë politike si e Këlliçit më e avantazhuar në Tiranë në raport me dikë nga shoqëria civile apo jo politikisht aktiv? Deputeti tha se një model si kryebashkiaku Veliaj, tërësisht politik, duhet të ketë përballë një figurë politike.
“Një model si Erion Veliaj përballë, tërësisht politik, që në fakt tentoi të hynte si pjesë e shoqërisë civile dhe u fut në PS, ne duhet t’i përballemi politikisht. Kjo është një betejë politike. Gjykoj se kushdo që pretendon se përballja me Veliajn nuk është politike, nuk është i sinqertë” – tha ai.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Log.” në ABC ai sqaroi pse e shpalli kandidaturën pikërisht 1 orë pas firmosjes së marrëveshjes PD-PL.
“Nuk ka lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes. Unë kërkova paradite që të shpallja kandidaturën. Për mos i paraprirë marrëveshjes, kam pritur me deklaratën gati për ta bërë deri sa mbaroi konferenca. Nuk ka lidhje” – tha ai.
Deputeti theksoi se ka padurim nga ana e tij për të rrëzuar Erion Veliajn në Tiranë. Vendimin për të kandiduar në bashkinë e Tiranës, tha se e mori në 10-ditëshin e fundit pas takimeve me demokratët.
“E kam ndarë mendjen dhe çështja e fundit që kam pasur problem është mandati. Unë kam derdhur shumë mund dhe djersë por gjykoj se ky është një moment historik për të rrëzuar një model që është krijuar me Erion Veliajn” – shtoi Këlliçi.
Vendimi i Këlliçit për të hyrë në garën për Bashkinë e Tiranës erdhi 24 orë pasi Partia Demokratike hapi procesin e primareve për bashkinë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Emrat zyrtar të opozitës për këto 3 bashki pritet të zgjidhen brenda muajit nëntor.