Deputeti demokrat Ivi Kaso, tha se Partia Demokratike ka disa skenarë në zbatim për protestën e opozitës ditën e shtunë, më 28 shkurt, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë “Rama” pas skandaleve të Belinda Ballukut dhe AKSHI-t dhe situatës kaotike ku ndodhet vendi si pasojë e aferave, si dhe zgjedhje të parakohshme pas qeverisë teknike.
I pyetur për strategjinë e protestës, ai shpjegoi se ka disa skenarë në zbatim dhe “do jetë protestë ndryshe nga të tjerat”.
“Ka disa skenarë për protestën e radhës të opozitës. Do jetë një protestë e ndryshme nga të tjerat, ka një skenar. Edhe nga dinamika, jo vetëm nga skenografia, por edhe mënyra se si zhvillohet. Madje jo vetëm me këtë protestë, por edhe më të tjerat, do të jenë të larmishme”, tha ligjvënësi demokrat.
Më tej ai shpjegoi se protestat opozitare do jenë të pandalshme, edhe në varësi të situatës politike.
Madje nëse nuk pranohen kërkesat e opozitës për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe hapjes së rrugës së arrestimit të mundshëm të saj nga SPAK, ato mund të përshkallëzohen dhe intensifikohen më tej.
“Protestat do të mbahen edhe në varësi të situatës politike, ngjarjeve politike, dhe nëse mazhoranca do vijojë të mbrojë politike zonjës Belinda Ballukun duke mos pranuar që t’i heqë imunitetin, por edhe personazheve të tjera që do të jenë të implikuar në vijim se ka një seri dosjesh të tjera. Kështu që do shikoni një mënyrë më kreative dhe një vijim të protestave”, u shpreh deputeti i PD-së.



