Nga Emirjon Senja
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha sot përmes një postimi në Facebook se ka një tejkalim plani në drejtim të realizimit të të ardhurave në arkën e shtetit përgjatë periudhës janar-korrik 2022.
Sipas ministres, kur bën buxhetin nga vjeshta e 2021, kishin parashikuar të mblidhnin 313.5 miliard lekë, por doli që mblodhën rreth 327 miliard lekë. Rreth 13 miliard lekë më shumë se plani për 2022 dhe rreth 45 miliard lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Deri këtu, të gjitha janë të vërtetë. Po, ka një rritje të ndjeshmë të të ardhurave në buxhet. Ajo që nuk thuhet ka të bëjë me shkaqet se si dalin “tepër” këto para që erdhën si më magji në arkë dhe më e rendësishmja: Çfarë do të bëhet me to?
E para
Nuk thuhet për shembull që krahasimi i periudhës janar-korrik 2022 me janar-korrik 2021 nuk ka kuptim pasi në vitin e kaluar ishim ende në gjysmë regjim pandemia dhe ekonomia nuk ishte tërësisht e hapur për të performuar me të gjithë kapacitetin në mënyrë që të gjeneronte taksa.
E dyta dhe më rendësishmja
Nuk thuhet se rritja e të ardhurave në arkën e shtetit është shkaktuar prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Dhe kjo e ka një shpjegim që lidhet me rritjen galopante të çmimeve gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sa më shumë rritet çmimi i një produkti, aq më shumë të ardhura siguron arka e shtetit prej TVSH-së, nëse do të na duhet ta shpjegojmë sa më thjeshtë. Duhet parë pastaj sasia e importuar me detaje, por të dhënat e INSTAT thonë paraprakisht se ka një rënie të importit kryesisht të karburanteve dhe ushqimeve gjatë tremujorit të dytë 2022.
Rrjedhimisht, kjo vërteton që rritja e të ardhurave në buxhet ka ndodhur prej shtrenjtimit dhe jo prej rritjes së konsumit.
Dhe e treta, po aq e rendësishme
Me +13 miliard lekë të paplanifikuara në buxhet, një qeveri e përgjegjshme duhet të mendoje se si t’ua rikthejë ato qytetarëve, sidomos në një periudhë si kjo ku të gjithë janë këputur duke paguar çmime stratosferike. Mbetet për t’u parë se si do t’i përdorë qeveria këto para ekstra në buxhetin e shtetit.