Shqipëria është vendi i dytë në Europë për burime ujore për frymë.
Por pavarësisht kësaj shqiptarët përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë dhe probleme të infrastrukturës.
Sipas Entit Rregullator të Ujit, furnizimi mesatar është 17.3 orë në ditë, me përmirësim prej 1 ore krahasuar me vitin e kaluar.
Qytetet bregdetare si Vlora dhe Durrësi furnizohen me ujë vetëm 13 orë në ditë, ndërsa Saranda 19 orë në ditë. Problemet përfshijnë humbje të mëdha në rrjet, me rreth 60% të ujit që humbet pa u regjistruar.
Reformat e ndërmarra nuk kanë arritur të zgjidhin problemet themelore të sektorit. Në vitin 2024, për më shumë se 61% të ujit të harxhuar nuk u mblodh asnjë lek. Riorganizimi në vetëm 15 nga 58 shoqëri ujësjellësish nuk solli rezultate të dukshme në drejtim të mbulimit me ujë.
Pavarësisht pasurive ujore të Shqipërisë, mungesa e investimeve dhe keqmenaxhimi vazhdojnë të pengojnë përmirësimin e furnizimit me ujë. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa potenciali i vendit mbetet i pashfrytëzuar.
Në përpjekje për të adresuar kaosin dhe fragmentimin e sektorit, qeveria shqiptare shpalli së fundmi një reformë të re që parashikon ngritjen e një operatori të vetëm kombëtar për ujin, duke synuar të unifikojë të gjitha ndërmarrjet lokale të ujësjellës-kanalizimeve.
Kjo nismë shoqërohet edhe me një plan për të eliminuar depozitat individuale nëpër pallate, duke e cilësuar atë si një simbol të dështimit institucional dhe një burim rreziku për shëndetin.
Qeveria premton një standard të ri furnizimi 24 orë në ditë, me rrjet të rinovuar dhe matje të saktë, por kritikat janë të shumta: mungesa e transparencës, pasiguria për punonjësit ekzistues dhe skepticizmi për aftësinë e administratës për të menaxhuar një reformë kaq ambicioze në një sektor që, për dekada, ka qenë simbol i korrupsionit dhe paaftësisë.