Që nga viti 2018, në Tiranë janë dhënë mesatarisht 1.2 milionë metra katror leje ndërtimi në vit për banesa, me rekordin që u arrit në 2022, me rreth 1.6 milionë metra kator, sipas të dhënave të INSTAT.
Për krahasim, për periudhën 2012-2017, mesatarja mujore e sipërfaqes së banesave sipas lejeve të ndërtimit ishte 340 mijë m2.
Rritja pritet të vazhdojë e vrullshme. Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se për 9-mujorin 2024, sipërfaqja totale e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti një rekord të ri prej 1.6 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (rreth 80% e lejeve jepen për banesa).
FMN, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave kanë shprehur muajt e fundit shqetësimin për rritjen e ekspozimit të sistemit bankar ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për pasuri të paluajtshme dhe blerje banesash ka arritur në 50% të totalit të stokut të huasë në tetor 2024, nga 35% që ishte ky tregues një dekadë më parë, ku kërcimi filloi në gjysmën e dytë të vitit 2023.
“Ndërkohë që rreziqet sistemike në sistemin financiar të Shqipërisë mbeten kryesisht të kontrolluara, rritja e ndjeshme e kredive hipotekore dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme”, thotë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë.
“Rritja e shpejtë e kreditimit, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, përbën një burim të mundshëm rreziku për industrinë bankare dhe shqetësimi i shprehur nga Banka e Shqipërisë buron nga pozicioni i saj mbikëqyrës, kontrollues dhe i objektivit të stabilitetit financiar”, thotë Banka e Shqipërisë në prononcimin për “Monitor”.
“Ekspozimi ndaj pasurive të paluajtshme mund të krijojë varësi të tepruar në një sektor që është i ndjeshëm ndaj luhatjeve ekonomike. Në rast të një rënieje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, bankat mund të përballen me një rritje të kredive me probleme”, pohon Prof. Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.