Sali Berisha e ka njoftuar më herët hapjen e një platforme parlamentaro-qytetare para godinës së Kryeministrisë, ndërsa deputeti demokrat Belind Këlliçi dha më shumë detaje mbi aksionin e opozitës, në studion e Opinion.
Sipas tij, demokratët do të kenë një reagim të fortë për aferën e tunelit të Llogarasë, me protestë fillimisht.
“Sot kemi pasur një mbledhje në të 61 degët e PD-së në të gjithë vendin, besoj do ketë edhe një mbledhje të Këshillit Kombëtar, besoj brenda javës do dalim me një vendim. Unë kam qenë për një protestë permanente para Ministrisë së Infrastrukturës, por do të zhvendoset para Kryeministrisë. Njerëzit janë të ftuar të na bashkohen”, tha Këlliçi.
Më tej, shtoi se paralelisht me aksionin në terren, “beteja” do jetë prezente edhe në sallën e Kuvendit.
“Ajo që ka ndodhur në Parlament nuk do të ndodhë më! Nuk do të jemi më fasadë, ose parlament nuk do të ketë më, ose do të ndërthuret aksioni me atë në terren”, tha deputeti, duke pretenduar se opozita nuk është lejuar të marrë fjalën dhe se janë rrëzuar mocionet me debat.
Fevziu: Zoti Këlliçi jeni keq me degët e partisë, zgjedhjet lokale ishin katastrofë…
Këlliçi: Ishte një provë se këtu nuk ka zgjedhje!
Fevziu: Ju nuk bindni dot asnjë njeri, mos është edhe përgjegjësia juaj, duhet të nxirrni njerëzit në rrugë! Si do e bëni këtë?
Këlliçi: Është vendim politik pa kthim pas, jemi shumë të matur, nuk është thjesht afera e radhës, është kapur kryeministri në vjedhjen e të paktën 50 milion eurove, kemi folur për një platformë qëndrese ku do diskutohen të gjitha detajet që nuk i flasim dot në Parlament!
Fevziu: Çfarë do bëni, konkretisht?
Këlliçi: Një aksion të fortë politik në terren! Do të vazhdojmë protestën deri sa të ketë reagim.
Vlen të theksojmë edhe disa detaje të bëra publike nga mbledhja me dyer të mbyllura e Berishës me krerët e degëve. Mësohet se në këtë mbledhje është propozuar grevë urie jo vetëm nga deputetët, por edhe familjarët e tyre.
“Doktor, besimi ndaj politikës në përgjithësi është përtokë, por në veçanti ndaj PD. Çfarë duhet bërë që qytetarët të kenë besim tek PD? Janë provuar protestat por kanë rezultuar vetëm peligrinazh. Shumë demokratë kanë ikur drejt maxhorancës dhe nuk mund t’u vësh faj në këtë situatë. Mendoj se zgjidhje e mundshme për të rikthyer besimin tek PD është sakrifica jo vetëm e deputetëve, por edhe familjarëve të tyre. Të hyjnë në grevë te Kuvendi bashkë me familjet e tyre. Ndryshe si mund të rikthehet besimi kur të gjitha format janë provuar”, mësohet të ketë thënë një prej kryetarëve të degëve.
Ndërsa për kreun e PD-së, “nevojitet një protestë në formatin e asaj që është zhvilluar para bashkisë Tiranë, 1 herë në javë para Kuvendit”.



