8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Parashqevia, një zog i trembur, apo aktore kryesore e kësaj historie!

    Nga Amarda Muskaj

    Në këto ditë ku shumë syresh e kanë bërë një status, kanë sjellë në vëmendje të publikut kujtime të vërteta apo histori të stisura, kanë hedhur baltë, apo janë kujdesur fisnikërisht të rrëfejnë atë çfarë nën një qasje thellësisht dashamirëse e humane është e rrëfyeshme, kur të tjerë janë nxituar t’i vënë situatës apo edhe vetë subjektit të historisë epitete aspak dashamirëse, kur një shumicë aspak e papërfillshme nga ata që ne edhe i konsideronim artistë, japin mend e zgjedhje hipotetike nga poltrona e studiove të televizioneve ku shumica e këtyre të fundit thirrën “Eureka!” ndërsa kapën një lajm të tillë në këtë fundviti për të tjerrë deri në teprim një pëlhurë që herë mban përsipër pluhur të vjetër zilie të dikurshme (sot përkthyer në vetkënaqësi për dështimin e tjetrit), herë griset me thonj ligësie nga grykëçjerrët zemërzinj të ekraneve që si nihilistë të thekur janë mësuar të mohojnë e pështyjnë gjithçka, sidomos diçka të bukur e të vlerë.

    Sigurisht që video e transmetuar nga kanali i një televizioni amerikan për mua ish një tronditje. Si fillim s’doja ta besoja, por duke qënë dje dhe sot një adhuruese e artit të saj, fillova të mos kem mëdyshje. Pjesa tjetër që më pas vijoi të bëhej publike mu duk e tepërt, mediatike, megallomane, dashakeqe, përfituese dhe mund të rendisja shumë mbiemra të panyjshëm në vijim…

    Sigurisht në përplasje të parë ajo që trondit ish gjendja fizike dhe emocionale në të cilën ne pamë Parashqevi Simakun, sepse kujtimet tona ajo i kish “ngrirë” në pamjen e saj më tepër se tërheqëse prej bukurosheje të ëmbël e të thjeshtë, me veshjen e saj gjithnjë që na befasonte siç na befason një vetërimë, me sjelljen e saj në skenë gjithë hir, por përmbi të gjjtha, me zërin e saj poaq të ëmbël sa buzëqeshja e saj unike dhe forcën e atij zëri në skenë, poaqsa personaliteti i saj si artiste. Ne e kishim “ngrirë” atë aty po ti shtosh edhe ardhjen e saj në një festival bashkë me të shoqin ku dukej aq e dashuruar dhe përkëdhelej thjeshtësisht ngase publiku ende e donte.

    Duke e njohur vetëm nëpërmjet ekranit, unë mund të flas për të vetëm si artiste duke nënvizuar se ish e parapëlqyera ime në gjjthçka dhe këngët e saj dua t’i dëgjoj e t’i kéndoj sa herë mundem.

    Opinioni im sendërtohet vetëm vetëm mbi ato pak fakte që kemi mësuar të njohim këto ditë.

    Kam dëgjuar shumë të intervistuar që në fillim i rendita në kategori, por vetëm dy morën vëmendjen dhe vlerësimin tim. E para ish Inida Gjata e njohur për publikun edhe me emrin Zhaku, e cila duke e njohur, u kujdes që herën e parë “ta mbronte”. Ta mbronte duke thënë si fillim që ajo nuk është Parashqevia dhe unë e kuptova përse e bëri këtë dhe u kujdes poashtu të thosh që ajo po të kish nevojë për ndihmë edhe Elon Musk do ja kish dhënë. Sigurisht kjo ish një hiperbolë metaforike për të thënë se kjo që ka zgjedhur të jetë këto vite, është vërtetë zgjedhja e saj, sepse ne nuk dimë asgjë për jetën e saj të para këtyre viteve. Dhe ajo i qëndroi këtij mendimi në çdo dalje të saj duke shtuar edhe të tjera opinione në varësi të ngjarjeve të mëpastajme.

    Qëndrimi i dytë i fortë dhe i një analize psikologjigje e sociologjike ish ai i mikut të saj të vërtetë që prej Akademisë së Arteve, Herion Mustafaraj. Pasi e dëgjova, kuptova shumë gjëra edhe sepse Herioni e kish takuar më parë në Amerikë edhe gjatë jetës së saj martesore, pas ndarjes e madje shkonte e takonte edhe atje ku ajo kish vendosur të kalonte gjjthë këto vite.

    Pas rrëfimit të tij kuptova pse ish një dështim emisioni i moderatores së “Top Story”, ku askush nuk kuptoi asgjë edhe pas pyetjeve këmbëngulëse të moderatores, sepse zoti Nolfe u përpoq të ish shumë “diplomat”; ja duke iu shmangur pyetjeve, ja duke thënë të pavërteta, ja duke thënë që s’dua të hyj në detaje.

    Herioni tha se pas lindjes Parashqevia pësoi një formë depresioni që mund të mos jetë kuruar e madje mund të jetë rënduar më pas. Ai foli edhe për momentin e ndarjes të cilin ajo po e përjetonte dyfish keq, sepse edhe emocionalisht ish e dobët, madje Herioni la të kuptohej që mund të ish ky shkaku që ish bashkëshorti po ndahej e pasi kish bërë një bisedë me këtë të fundit, i kish thënë që po e lë në momentin kur ajo ka më shumë nevojë për ty.

    Ka një përkitje tek ky fakt se edhe zotit Nolfe i rrëshkiti si përgjigje kur tha se nuk mund të kujdesej për dy njerëz njëjohësiaht; edhe për djalin që ish i mitur, edhe për të që nuk ish mirë.

    Ne martesë dy njerëz kalojnë edhe momente shumë të vështira, momente që prekin edhe shëndetin tonë fizik dhe emocional ku ne nuk jemi as për veten tonë e jo më për bashkëshortin apo bashkëshorten, por çfarë do të thotë kjo; që ta braktisimin tjetrin e ta hedhim në plehra. Martesa, e më shumë sesa martesa, dashuria i ka provat më të forta kur jemi keq.

    Zoti Nolfe tha që Parashqevia se ka kërkuar djalin, por tha poashtu qe as djali se ka kërkuar dhe unë jam përpjekur ta mbroj djalin tim (kupto nga e ëma), sepse kështu jam këshilluar nga profesionistë përfshirë edhe ata të Gjykatës.

    Unë di që një nënë ka të drejtën të takojë fëmijën e vet dhe kur ka kryer një krim dhe vuan dënimin në burg dhe ky takim kryhet e administrohet në praninë e një punonjësi social dhe profesionistëve të tjerë. Por përse Gjykata ja besoi kujdestarinë zotërisë? Këtu duhet ndaluar dhe investiguar. Përse nëna nuk e takoi kurrë të birin dhe më ulëritësja që ky zotëri thotë: s’e përse djali s’e kërkoi kurrë të ëmën? Si ka mundësi që një fëmijë i vogël nuk e kërkon nënën? Përvoja dhe mijëra histori thonë se kjo ndodh vetëm nëse fëmija manipulohet. Zoti Nolfe mu duk një narcizist i vërtetë, sepse gjatë gjjthë intervistës nuk ja përmendi kurrë emrin dhe këtë e bën narcizisti. Një narcizist i shmanget poashtu pyetjeve. Ju kujtoj se ai nuk ju përgjigj pyetjes nëse i kish folur djalit për nënën e madje shmangu edhe pyetje të tjera. Narcizisti ja hedh edhe fajin viktimes dhe ai tha që ajo nuk bëri zgjedhje të mira për veten dhe s’e kërkoi kurrë djalin. Edhe kur moderatorja i bënte me dije disa fakte në vite, ai pati guximin me nënqeshje të thosh se paskeni investiguar mirë.

    Problemi tjeter që ka marrë formën e groteskes e ndoshta edhe të përfitimit prej Parashqevisë, është “shpëtimi” i saj. Herioni që e takonte prej vitesh, thotë se ajo e kish zgjedhur vetë këtë realitet dhe nuk i interesonte sensi i kokës: viti, muaji, sepse ajo kish zgjedhur të jetonte pa kohë duke pritur djalin e duke falur edhe ata që i kishin bërë keq. Herionit çdo herë i thosh se po pres avokatin të më sjellë djalin dhe ai nuk i binte në sy e bënte sikur e besonte dhe ketë sipas tij Parashqevia e bënte për dy arsye: ose me fisnikëri donte të largonte çdo të njohur, që të mos kuptonte statusin e saj, ose kish vendosur vetë të jetonte brenda kësaj kohe “ të ngrirë” si një Princeshë e veshur keq, por duke na bindur që kish jetuar brenda një kohe “të ngrirë” sepse rierdhi e bukur si dikur.

    Ajo nuk gjeti suksesn që donte në Tokën e Premtuar, por ajo nuk mund të largohej si disa, sepse tashmë kish djalin.

    Ajo sipas Herionit nuk donte ndihmë dhe shpëtimtari i saj me taka sot e ka izoluar edhe nga miqtë: i lejon të shohë ato programe që do ai dhe nuk e lejon që të flasë në telefon me miqtë. Kështu më shumë se e shpëtuar, duket e rrëmbyer.

    Por me ditët që do të shkojnë ndoshta do kuptojmë më shumë se çfare do të rrjedhë si e vërtetë në mënyrë që të kuptojnë nëse kjo histori shpëtimi është vërtetë e tillë e jo e inskenuar tani kur shumë e dinin mekohë ku jetonte ajo dhe nëse nuk është aspak ajo aktorja kryesore e kësaj historie, por veç një zog i trembur i hutuar.

    Biseda e saj me djalin mu duk më shumë e detyruar nga një presion mediatik, por edhe për shkak të mijëra mesazheve për fat të keq edhe kërcënuese që i kanë destabilizuar qetësinë dhe krejt jetën familjes së re të zotit Nolfe, ndaj ai, i ndodhur në syrin e ciklonit, bindi këtë herë të birin tashmë njëzetë vjeç që të flasë me të ëmën, duke mos e bërë këtë kur ai sh vetëm dhjetë.

    Askush nuk mund të gjykojë askënd dhe jeta e gjjthsecit ka ditë-hijet e veta dhe kur faktet janë të errëta, ose të panjohura, opinionet tona përfshirë timin, mëpastaj bëhen pluhur në erë.

    Çdo njeri nuk është vetëm vetvetja; është edhe pika unike, shumë e veçantë, në çdo rast e rëndësishme, ku dukuritë e botës kryqëzohen vetëm një herë, pa përsëritje. Prandaj historia e çdo njeriu është e rëndësishme, e përjetshme dhe e denjë për çdo vëmendje.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit