Anglezët dhe spanjollët janë dy grupe që po shihen masivisht në Vlorë këtë vit.
Vlora ka qenë e preferuara e italianëve vitet e fundit. Enrik Mehmeti, gazetar dhe njohës i sektorit, pohon se kjo tendencë me flukse të reja turistike i ka dhënë qytetit nxitje për investime të reja në formatin që këta turistë kërkojnë, duke gjallëruar jetën e natës, festat dhe lokalet e formatit “lounge”.
Ndërkohë italianët janë kthyer në “investitorë” duke blerë pasuri të paluajtshme dhe duke i lëshuar ato me qira për bashkëkombësit e tyre që vizitojnë qytetin bregdetar për pushime.
Sipas z. Mehmeti, italianët befasohen nga Shqipëria për çmimet dhe ofertën turistike, por nuk mungojnë as ata që e prisnin edhe më të lirë.
Në total, rajoni i Vlorës po përjeton një rritje të interesit turistik si kudo po ndodh në Shqipëri dhe investimet e bizneseve në pasurimin e ofertës nuk kanë munguar, me shërbime të reja si në industrinë detare, edhe në guidat në rajonet rreth qytetit.
Si ka nisur sezoni veror në Vlorë këtë vit në këndvështrimin tuaj dhe cilët janë turistët që vërehen më shpesh?
Viti 2023 paraqitet me rritje të numrit të turistëve, kryesisht ata të huaj, për të cilët, Jugu ngelet i preferuar.
Ashtu siç e kam thënë dhe herën e kaluar, italianët vijojnë që ta mbajnë “stafetën” madje po investojnë në pasuri të patundshme, duke blerë banesa dhe më pas duke ua dhënë me pagesa ditore bashkëkombësve të tyre.
Nga ajo që shikoj në komentet e rrjeteve sociale te faqet apo grupet me numër të lartë italianësh, ka reagim shumë të mirë.
Ka dhe nga ata që prisnin një Shqipëri me çmime më të ulëta duke shprehur edhe zhgënjim, por janë vetë bashkëkombësit e tyre që mbrojnë Shqipërinë dhe i përgjigjen se kjo nuk është më Shqipëria e viteve më parë dhe se përmirësimi infrastrukturës i ka shtyrë bizneset të bëjnë investime të mëdha.
Është vërtet e bukur të shikosh se si italianët në rrjete sociale mbrojnë vendin tonë ndaj disa komenteve negative. Një faktor tjetër i rritjes së çmimeve, siç e dimë, është dhe ndikimi i luftës nga viti i kaluar, por sërish mbeten shumë më të lira se në Itali.
A vini re ndonjë grup të ri turistësh sa i takon kombësisë, që po haset më shpesh dhe është bërë tendencë?
Surpriza e këtij viti janë spanjollët dhe anglezët. Ka pasur raste që kanë ardhur dhe më parë, por këtë vit është parë një rritje e numrit të tyre.
Spanjollët janë kryesisht çifte të rinjsh, që i pëlqen eksplorimi i plazheve të ndryshme, ndërsa anglezët janë kryesisht grupe shoqërie, vajzash ose djemsh.
Spanjollët zgjedhin kryesisht Lounget dhe nuk janë shumë konsumatorë, ndërsa anglezët nuk pyesin se sa konsumojnë kur bëhet fjalë për të pirë dhe për festa. I gjen në radhët e para të festave por e rëndësishmja është që nuk krijojnë probleme, ndryshe nga fotot që shikojmë në internet me rrëmujat në vendin e tyre.
Po vendasit a i shihni më të pranishëm në Vlorë apo më të tërhequr?
Për vendasit përfshi turistët nga Kosova, Vlora mbetet e preferuar. Dy grupimet janë turizmi familjar dhe ai hotelier.
Zgjidhja nëpërmjet Booking dhe adresa të tjera kanë bërë që edhe shqiptarë si dhe të huajt, të rezervojnë më shumë nëpërmjet internetit se sa nëpërmjet miqve.
Po ashtu, edhe hoteleria tregohet shumë e kujdesshme me cilësinë, pasi vazhdimësia e prenotimeve lidhet me përshtypjet. Hotelierët janë bërë më të ndjeshëm ndaj përshtypjeve të Booking sepse e kanë parë që tashmë çdo gjë lidhet me përshtypjet. Kontrollet nga ana e Ministrisë së Turizmit e kanë rritur ndjeshëm cilësinë.
Pak ditë më parë, një operator turistik shtoi një ashensor të tretë sepse ishte kërkesë e turistëve vitin e kaluar për shkak të rritjes së numrit. Pra po vihet në praktikë ajo shprehja “klienti është mbret”, sepse po u rritën notat negative, ai biznes shmanget.
Nga përshtypjet që keni nga strukturat akomoduese si janë rezervimet në zonën e Vlorës dhe çfarë preferohet më shumë, e ndarë edhe sipas kategorisë familjar, çifte, grupe shoqërore?
Vlora si zonë, nga Zvërneci deri Orikum hyn te “zona familjare” për sa i përket plazhit, ndërsa akomodimi zgjidhet nga të gjitha grupimet. Pra, frekuentuesit e plazheve janë kryesisht familjarë, përjashtuar disa që janë plazhe posaçërisht për të rinj, me muzikë verore, kokteje etj.
Të rinjtë preferojnë plazhet nga Palasa deri në Jal, qëndrojnë në Vlorë për shkak të çmimeve më të ulëta apo kapaciteteve të pakta në këto zona dhe më pas atje shkojnë për plazh.
Në lidhje me jetën e natës është rritur numri i Lounge-ve në Vlorë të cilat qëndrojnë hapur deri më 12:00 dhe janë vetëm disa diskoteka jashtë zonave të banuara që shkojnë më tej me orarin. Edhe nga Himara deri në Sarandë, grupimet që e preferojnë janë kryesisht familjarë.
Ka një rritje çmimesh që vihet re kryesisht në restorante, por edhe në hotele edhe këtë vit. A konstatoni diçka të tillë dhe sa është mesatarisht kjo rritje?
Rritja e çmimeve si kudo në botë ka prekur edhe turizmin tonë me rritje që shkojnë nga 20 deri në 30% nga dy vite më parë, sepse kjo rritje ka nisur që vitin e kaluar.
Mund të them se kjo rritje më shumë ndikim pati vitin e kaluar, që erdhi si “surprizë” ndërsa këtë vit është “pranuar”. Këtë e them pasi shumë plazhe në zonat e klasifikuara si të preferuara u braktisën prej turistëve, pasi nuk arritën të pranonin rritjen e çmimeve.
Operatorët tentuan gjatë sezonit të ndryshonin strategji, duke ulur çmimin e çadrave apo produkteve, por për turistët kjo rritje ishte e papërballueshme.
Këtë sezon duket se ka një mirëkuptim nga të dyja palët, operatorët që i kanë rritur në linjë me situatën dhe nga ana tjetër, turistët që e “mirëkuptojnë” këtë rritje, sepse është në çdo vend tashmë.
Ndikim pozitiv ka dhe ulja e çmimit të karburantit në nivelet e para luftës në Ukrainë, e cila bën që qytetarët të mos ngurojnë për udhëtimet e tyre dhe eksplorimin e destinacioneve të ndryshme turistike.
Si janë aktivitetet argëtuese apo plotësuese në Vlorë sa u takon tureve me anije, aktiviteteve në darkë (koncerte, shfaqje)? Si ka ndikuar ky plotësim pakete në turizmin në Vlorë?
Aktivitetet detare zënë vendin e parë në atraksionet turistike si Vlorë, Himarë apo Sarandë. Gati të gjithë turistët e planifikojnë një shëtitje me anije të mëdha por edhe mjete të vogla turistike. Plazhet që janë në distancë dhe arrihen me mjete ujore, preferohen shumë.
Disa operatorë detarë kanë rritur shërbimet e tyre me lojëra ujore që tërhiqen pas mjeteve. Bashkitë e kanë rritur numrin e aktiviteteve duke shtuar ndjeshëm edhe ato për fëmijë.
Edhe vetë operatorët turistikë po organizohen më mirë, duke krijuar ture të mirëfillta. Një prej tyre për shembull ka përfshirë për herë të parë një autobus panoramik si ata që shikojmë në çdo kryeqytet europian, duke përfshirë destinacione prej Kaninës deri në Zvërnec.
Çfarë parapëlqejnë më shumë të vizitojnë turistët në qytetin e Vlorës dhe cilat janë turet më të mira për të vizituar brigjet?
Ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit janë në krye të listës për sa u përket destinacioneve nga Vlora, nga Himara është Gjipe dhe nga Saranda, është Krorëza. Janë plazhe të virgjëra nga ndërtimet dhe shërbimi është i thjeshtë.
Ndërsa destinacionet e tjera të vizituara janë Kalaja e Kaninës, Oriku i vjetër, Zvërneci, Amantia.
Hapja e rrugës së Lumit të Vlorës që del në Qeparo dhe po frekuentohet nga të gjithë ata që duan të shmangin qarkullimin e bregut, ka gjallëruar dhe fshatrat si dhe disa vende që më parë vizitoheshin shumë rrallë, siç është “Ura e Bratit”, një atraksion i veçantë si dhe shumë pika të tjera.
Sa të kënaqur janë bizneset me qarkullimin që kanë a kemi një turist cilësor që shpenzon apo një turist që na viziton, sepse jemi një vend i lirë dhe preferon të jetë me buxhet të kufizuar?
I kemi të dy llojet e turistëve, si ata që konsumojnë, por edhe ata që nuk konsumojnë. Ata që nuk konsumojnë në radhët e të huajve janë kryesisht italianë, nga Jugu i Italisë apo nga Napoli. Shumë prej tyre nuk para shpenzojnë.
Po ashtu edhe ukrainasit rezervohen në konsum, kjo edhe për shkak të gjendjes financiare pasi më parë ata zinin vendin e parë si për turizëm, edhe për konsum.
Për pjesën tjetër të turistëve të huaj, italianë, spanjollë apo kombësi të tjera, çmimet janë të pranueshme dhe më të lira krahasuar me destinacione fqinje si Greqia e Italia.
Ajo që është e rëndësishme është fakti që komentet për Shqipërinë janë mjaft pozitive.
Si ka qenë administrimi i plazheve këtë vit? A po funksionojnë plazhet publike sikurse po lakohet këto kohë për qytete të ndryshme nga përfaqësues të qeverisë?
Ka një organizim shumë të mirë të plazheve ndryshe nga vite më parë. Çdo metër matet me metra dhe nuk i lejohet të dalë nga territori i përcaktuar.
Institucionet janë në monitorim çdo ditë mesa kam parë duke bërë verifikim të plazheve, që mos të ketë abuzime si për territore apo dhe zaptimin dhe në shumë raste të konstatuara si problematike, është ndërhyrë me masa.
Çdo vit e më shumë po shikojmë plazhe me kushte cilësore dhe jo më të sajuara, kjo është ajo që do turisti.
Disa problematika që janë shfaqur në plazhe kanë qenë të krijuara edhe nga Bashkitë që nuk kanë pasur koordinim me AKB.
Këtë vit ka dhe një organizim shumë të mirë dhe për mjetet ujore me përcaktimin e stacioneve të ankorim bregëzimit, të cilat janë larg plazheve dhe plazhistëve duke mos shfaqur rrezik për plazhistët.
Nga ana tjetër, policia kufitare mbikëqyr gjatë gjithë kohës me mjete të reja dhe motorë deti, lëvizjet e mjeteve turistike për të mos abuzuar, si me afrimin në plazhe dhe deri te mos tejkalimi i kapaciteteve.
Ky mund të quhet një hap i madh i hedhur në drejtim të turizmit detar dhe sigurisë në plazhe. Gjithashtu ka dhe plazhe publike në të cilat ka çadra apo shezlone falas, si në Vlorë, Himarë apo Sarandë.



