Kreu i qeverisë, Edi Rama ka vizituar këtë të enjte Bashkinë e Vlorës. Burime për mediat bëjnë me dije se paraditen e sotme, kryeministri i ka shkuar në zyrë kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredhës, aty ku dhe pritet të zhvillojë një mbledhje me të gjithë stafin e institucionit.
Gjithashtu, mësohet se pjesë e këtij takimi do të jenë edhe deputetët dhe ish-deputetët e qarkut Vlorë ku në fokus të diskutimeve do të jenë problematikat e qytetetit dhe sfidat e qeverisjes vendore. Tre prej problemeve më alarmante që shqetësojnë vlonjatët, por edhe kryeministrin Edi Rama, është uji i pijshëm, kanalizimet edhe menaxhimi i mbetjeve.
Kryeministri Rama me bllok në dorë, është pritur nga kryebashkiaku Dredha, me të cilin gjatë përvjetorit të 34-të të Partisë Socialiste pati dhe një debat i cili u kthye dhe në kryefjalën e mediave.
Kryesocialisti “i tërhoqi veshin” Dredhës, ndërkohë që nga pamjet që u bënë virale në rrjet ky i fundit rrinte me duart kryq dhe e dëgjonte.
Ata u panë teksa konsumuan një bisedë të gjatë mes tyre, ku kryeministri u shfaq me tone të ashpra dhe i irrituar.