Zgjedhja e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit është një moment që ekspozon qartë mënyrën sesi funksionon mekanizmi politik shqiptar. Një figurë që deri dje qëndronte në krah të protestave, kritikonte qeverinë dhe i sfidonte publikisht të dy kampet politike, sot ngjitet në krye të institucionit të pavarur që ka për mision mbrojtjen e qytetarit nga abuzimi i pushtetit.
Ironikisht, pushteti dhe një opozitë e cila prej vitesh ka humbur çdo profil koherent politik, u bënë së bashku zgjedhjen e tij. Duket paradoks.
Marrëveshja e heshtur mes Partisë Socialiste dhe grupimit të Sali Berishës e e zhvesh edhe njëherë politikën nga retorika. Aty ku interesat përkojnë, armiqësitë zhduken brenda natës.
Në publik e portretizojnë njëra-tjetrën si rrezik kombëtar, si simbol të korrupsionit apo kapjes së shtetit, por bien dakord pa hezitim për një emër që për vite të tëra i ka denoncuar të dyja.
Për qeverinë, Shabani është një investim në imazh. Një figurë akademike, pa ngarkesë politike dhe me kredenciale qytetare i shërben narrativës së hapjes dhe reformimit. Për grupimin e Berishës, është një mundësi për të treguar se ende mban peshë në procese shtetërore, pavarësisht izolimit dhe problemeve të dukshme.
Rreziku nuk qëndron tek Shabani si individ. Rreziku qëndron te konteksti që e rrethon zgjedhjen e tij. Avokati i Popullit është një institucion që ka nevojë për pavarësi dhe për aftësinë për t’i rezistuar çdo presioni politik. Historia institucionale e vendit tregon se figurat që vijnë nga marrëveshje të tilla shpesh përfundojnë të neutralizuara: të kujdesshme në deklarata, të buta në kritikë dhe të rezervuara në çështjet ku kërkohet përplasje me qeverinë.
Shumëkush e lexon këtë marrëveshje si një shembull tjetër të funksionimit të politikës sonë: një rreth i mbyllur ku edhe kundërshtarët më të ashpër arrijnë mirëkuptime të shpejta sa herë që u intereson, ndërsa qytetari mbetet jashtë ekuacionit.
Me shumë gjasë, emri i Shabanit iu është pëshpëritur në vesh Ramës e Beeishës nga dikush që ka peshë – ndoshta edhe ndërkombëtar – dhe që për ironi të fatit u shërben njëkohësisht interesave të dy figurave: Edi Ramës, i përfshirë në akuza korrupsioni, dhe Sali Berishës, i shpallur non grata.
Berisha bëri hapin formal duke hedhur firmat, për të qenë korrekt me premtimin e pazarit, dhe më pas i mohoi ato, në një përpjekje për t’iu paraprirë reagimeve të militantëve të tij më të zhurmshëm. Nga ana tjetër, pala e Ramës e vijoi lojën duke u shtirur sikur tërheqja e firmave nuk ekzistonte.
Në thelb është një tjetër pazar, ku institucionet përdoren si monedhë dhe transparenca mbetet viktima e zakonshme.
Është ky realitet që ushqen zhgënjimin kolektiv dhe ndjesinë e thellë se institucionet e pavarura janë më shumë dekor sesa mekanizma të vërtetë kontrolli ndaj pushtetit.
Përtej perceptimeve, sfida e vërtetë i takon tashmë vetë Shabanit. Por kjo do të kërkojë vendimmarrje të vështira, distancim nga palët që e votuan dhe përballje me administratën dhe me aparatin e pushtetit sa herë që shkelet e drejta e qytetarëve. Nëse jo, do të përfundojë në listën e gjatë të figurave që nisën me pritshmëri të mëdha dhe u shkrinë shpejt në rutinën e sistemit.
Një sistem që di të prodhojë konsensus vetëm kur i shërben vetes.



