Pas ngjarjes së 6 dhjetorit ku një 31- vjeçar goditi me grusht kryetarin e opozitës, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka ngritur shqetësimin se kryeministri Rama mund të arrijë në ekstrem, në vrasje politike.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” Biberaj, duke u ndalur te sulmi ndaj Berishës në protestë tha se ngjarja e paprecedentë dhe e rëndë ishte e orkestruar. Mes të tjerash, ai pohoi se ka ardhur koha që qeveria e Ramës të rrëzohet me çdo mjet dhe kusht nga pushteti para zgjedhjeve.
“Nuk është problemi se Rama e ka urdhër, por e ka nxitur. Nëse nuk reagojmë, situata do të dalë jashtë kontrollit. Ajo situatë që u krijua do të kthehet në bumerang. Shkaktari është Edi Rama, që ka 10 vite në qeverisje. Nuk mund t’i justifikojë askush. Është luftë ndaj opozitës, ndaj medias, ndaj bizneseve të ndershme, për t’i shërbyer një grupi oligarkësh që nuk janë më shumë se 10 persona. Janë një sërë ngjarjesh shkak-pasojë. Është goditur Sali Berisha, jemi goditur ne të gjithë si opozitarë. Ai është sulm i programuar, pak rëndësi ka që Rama është apo ideatori, por e ka frymëzuar këtë klimë dhune. Ju e keni provuar këtë, e keni provuar në shpinën tuaj.
Të dhunon dogana, apo Tatimet. Është sulm i organizuar, e synim të caktuar për të bërë që të dështonte protesta e asaj dite, e cila la në hije samitin që ishte një ngjarje për Ballkanin, për të intimiduar opozitën apo qytetarët. Ishte gjakftohtësia e Berishës që qetësoi situatën, pasi mund të agravohej situata. Rama po synon ta blejë opozitën, apo ta përçajë, siç bën një grup mafioz. Unë mbetem për një revolucion. Ka ardhur momenti që ta përmbysim dhe t’i vëmë gishtin kokës. Duhet shkuar me një qeverisje tjetër. Me çdo mjet, me çdo çmim, ky do larguar nga pushteti. Kjo që ndodhi, do ketë agravim situate. Ky mund të vazhdojë me vrasje politike. Situata mund të dalë jashtë kontrollit. Ka grupe kriminale të kontrolluar nga qeveria. Jemi në fije të perit për qëndrueshmëri stabiliteti”, tha Biberaj.
Biberaj mendon se protestat e opozitës me deklarata dhe fjalime të forta duhet të marrin fund. Sipas tij, Edi Rama rrëzohet vetëm me protesta të përditshme dhe të përjavshme, pasi kreu i qeverisë “është frikacak”. Në një analizë të tij për situatën politike në vend, Biberaj në prononcimin për “News 24” tha se opozita duhet të bllokojë portet e aeroportet në skenarin e protestave. “Vë re që Berisha po qartësohet për këtë situatë, u bë në 7 korrik një provë gjenerale, nuk duhet të kishte gjithë këtë kohë të gjatë për te mitingu i 12 nëntorit, duheshin protesta të përditshme, të përjavshme për ta përmbysur. Besoj se opozita ka nxjerrë mësime e do konkludojë, është kollaj për ta rrëzuar.
Qasja, blloko portet, aeroportet gjithçka për një javë që të zhbllokosh atë që ka bllokuar Rama për 10 vite. Blloko çdo aktivitet në këtë vend, kështu kanë ndodhur revolucione në gjithë botën jo duke çuar qirinj apo flamuj te kryeministria. Protesta ‘non stop’ dhe populli është gati. Për mua Berisha e Meta duhet të marrin përgjegjësi si drejtues te opozitës. Nëse s’e bëjnë të hapin krahun, është përgjegjësi shumë e madhe. Ka frymë revolucioni, pardje kur ndodhi ngjarje një fjalë e Berishës e do shikoje një Shqipëri tjetër por Berisha u ngrit në përgjegjësinë që i takon, e amortizoi, qetësoi situatën, por ka një pakënaqësi të jashtëzakonshme.
Çdo ditë që rri Rama në pushtet dëmi që i bëhet këtij vendi është i jashtëzakonshëm. Rama është shumë frikacak problemi është që ne nuk i kemi treguar akoma çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Protestat mund ta trembin, po foli populli s’ka qeveri që reziston. Populli ka rrëzuar junta e diktatura, por Rama s’ka parë akoma, i them Ramës që akoma s’ke parë ti rezistencë popullore”, u shpreh Biberaj.
Ndërkohë nda ana tjetër, ish-deputeti demokrat i bën thirrje edhe eksponentëve të opozitës për ta kanalizuar nervin opozitar në një drejtim.
“Kryeministri rrëzohet me protesta, sepse ky ka bllokuar rotacionin politik, votimet e lira dhe të ndershme. Ne natyrisht duhet të bashkohemi dhe përgjegjësia bie mbi Sali Berishën. Kur je në opozitë s’ke luksin për të pasur askënd kundër. Ne duhet të jemi të unifikuar dhe të krijojmë një koalicion sa më të madh, me çdo faktor politik, organizata të ndryshme për të krijuar një koalicion që sjell fitoren. Berisha është i hapur për bashkëpunim, ndoshta ka pasur në një moment të caktuar presion nga pjesa e foltores. Për mua, gjëja kryesore është largimi Edi Ramës. Unë s’kam asnjë dashuri për pushtetin se kam profesionin tim. Zoti Alibeaj dhe shumë emra të tjerë në politikë janë prej mbështetjes që kanë gjetur nga Berisha. Unë jam optimist se do bashkohemi. Nuk është çështje luksi, por nevojë emergjente”, u shpreh Biberaj për “News 24”.