Nga Adrian Thano*
Jo. Nuk duhet të jesh pro-rus. Por duhet të jesh i dobishëm ose i rrezikshëm për interesat amerikane. Kjo është diferencë thelbësore.
Po ta them pa shumë rrotulla ashtu si e mendoj. SHBA nuk ndëshkon orientimin ideologjik, por mungesën e leverage-it. (Ta shpjegoj në fund çfarë është).
Pse duket sikur “pro-rusët” shpëtojnë?
Sepse vende si Serbia kanë kapacitet destabilizues, kanë aleatë të fortë si Rusia ose Kina dhe krijojnë kosto gjeopolitike nëse goditen fort.
Prandaj trajtohen me kujdes strategjik, jo me sanksione të shpejta.
Pse vendet “pro-amerikane” si Shqipëria goditen më lehtë? Sepse nuk reagojnë. Nuk kanë alternativa strategjike. Nuk krijojnë krizë nëse penalizohen.
Unë do ta quaja këtë asimetri pushteti.
Në një forum online në një media amerikane lexova që formula reale sot është: Je pro-rus? Të negociojnë. Je i pavendosur? Të testojnë. Je i bindur? Të injorojnë.
E thonë ata vetë.
E padrejtë? Po. Reale? Absolutisht.
Konkluzioni ndoshta duket brutal, por ashtu si e kuptoj unë, SHBA nuk shpërblen besnikërinë, shpërblen dobishmërinë. Kush nuk është problem, trajtohet si detaj pa rëndësi.
Nuk po zgjatem në takatin e diplomacisë sonë. As në sjelljen tonë. Po mjaftohem të të them që gjithkush duhet ta kërkojë fajin te vetja.
Sa për termin “leverage“. Të kesh leverage do të thotë, nuk të injorojnë, nuk të trajtojnë si të dhënë, duhet të negociojnë me ty.
Të mos kesh leverage do të thotë që vendimet merren pa ty, pasojat i paguan ti, askush nuk shqetësohet për reagimin tënd.
Shembullin politik sapo e dhe vetë. Serbia ka leverage sepse mund të destabilizojë rajonin dhe të afrohet realisht me Rusinë ose Kinën..Shqipëria ka pak leverage sepse është e rreshtuar pa kushte dhe nuk krijon kosto politike nëse penalizohet.
E përdora sepse sinonimet në shqip janë të gjata, por kuptimi gjithsesi mbetet peshë negociuese, mjet presioni, fuqi ndikimi, avantazh strategjik, etj.
*Ky shënim i shkurtër është për mesazhin e një lexuesi që më shkruante se është në fund të procedurës për bashkim familjar dhe se i vjen habi si mund të futet Shqipëria vendi më proamerikan i rajonit në listën e zezë të pezullimit të vizave, kurse Serbia jo. Më pyet me pezmatim të kuptueshëm: A duhet të jesh prorus që të shpëtosh nga ndëshkimi amerikan.



