Nga Bedri Islami
Ka një gëzim të egër në disa nga portalet e krijuara rishtas apo të hershme, jo vetëm brenda Shqipërisë, por më shumë jashtë saj, që, duke vetë besuar se turizmi në Shqipëri po kalon një kolaps, kjo do të jetë edhe shkatërrimi i qeverisjes së Edi Ramës. Pasi e kanë provuar me zgjedhje, ku kanë humbur, edhe këto që janë në opozitë, edhe ata që kanë synuar të importojnë “ revolucionin”; pasi kanë synuar të krijojnë frontin e përbashkët , ku nuk janë të aftë as të bëjnë një të tillë brenda vetes, dhe përsëri kanë humbur; kur e kanë provuar të ngrenë gjithfarë mitesh të paqena, për liderë “ mbi kombëtarë,” për patriotë dhe tradhtarë, tani i janë rikthyer një qëndrimi të hershëm, bojkotit të turizmit në Shqipëri, që, aq sa nxitet nga pozita në Tiranë, aq edhe nga politika , firmat turistike dhe portalet e mediat në Kosovë.
U duket sikur u ka mbetur vetëm një gur për të rrëzuar qeverinë Rama, dhe ky gur është në bojkotin e plazheve dhe viseve malore të shtetit shqiptar, në të cilat qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, të Malit të Zi , nga trojet e tyre në Maqedoni, nuk kanë ardhur thjeshtë si shenjë e patriotizmit apo se nuk kanë pasur rrugë tjetër, por se janë ndjerë mirë, të qetë, në mjedise si të tyre, ku gjendja e tyre ka qenë më e qetë, përballimi financiar më i mundshëm, rrugëtimi më i shpejtë.
Nuk e di pse e kanë këtë bindje, por fakti është. Prej disa muajve ka nisur kjo eufori ndjellë keqe dhe nuk mund të thuash se nuk ka pasur ndikimin e saj. Duke shtuar makutërinë e disa resorteve në jugun e vendit, me çmimet e çmendura, për fat jo të shumtë, liberalizimin e vizave për shqiptarët në Kosovë, euforia e shembjes së qeverisë Rama, e nisur që më parë, me thirrjen halucionante të një këshilltare të qeverisë së tanishme në Kosovë, për të refuzuar bregdetin shqiptar, dhe tani me gëzimin e egër të shembjes së mitit turistik, do të jetë jetëshkurtër, por mëkati i madh i keq përdorimit të idesë së ndarjes së kombit do të jetë shumë i rëndë.
Në të vërtetë kam pasur dyshimet e natyrshme për këtë lëvizje të çuditshme, që, mrekullisht nuk ka zënë vendin që menduan se do të ketë.
Ditën e djeshme isha në Velipojë. I ftuar nga një koleg i dikurshëm vjenez shkuam që në mëngjesin e herët. Shkuam si i thonë, së bashku me mëngjesin.
Deti ishte i qetë, njerëzit ishin ende në banesat e tyre apo në kafenetë e shumta buzë detit apo në qendrën e plazhit. Është një ndër qendrat më të studiuara, përmes dhjetëra pallateve, ndërtuar nga firma Fishta , me bulevardin e gjerë mes tyre dhe shërbimet e shumta.
Zakonisht unë eci gjatë bregut të detit. Të josh hapësira e pafund prej disa kilometrash, rëra e shtrirë në gjerësi, mbi të gjitha deti, që, më shumë se kudo tjetër, më duket i pafund.
Ende nuk është ora shtatë e mëngjesit dhe çadrat janë me pak pushues. Përballë tyre një djalë i ri, ndoshta jo më shumë se 25 vjeçar, kishte para vetes kamera, filmonte dhe fliste.
Po mundohem të sjell fjalët e tij, që ende më shkaktojnë dhimbje.
“ Jemi në plazhin e Velipojës. Shikoni! Nuk është askush. Çmimet e ngritura dhe sjellja e turpshme e qeverisë Rama ka sjell dështimin e turizmit shqiptar. Miku i Vuçiçit, njeriu që kërkoj të falë veriun e Kosovës, që më mirë e ndjen veten në Beograd se sa në Prishtinë, kundërshtari i liderit tonë Albin Kurti, po sjell dështim e vetëm dështim”.
Iu afrova dhe e pyeta se për cilin kanal televiziv e bën këtë reportazh. Nuk u përgjigj. Filmonte çadrat ende bosh dhe njerëzit e pakët që ishin në det. Kishte gëzimin e egër të njeriut të kënaqur me devocionin e tij përkulës.
I thasë se, nëse këtë reportazh e ka për një kanal a portal serb, po e bën mirë detyrën, por ai vazhdonte të ishte i kënaqur me atë çfarë bënte.
Pas pak plazhi u mbush. Ndoshta jo si një vit më parë.
Velipoja është një plazh i madh dhe një ndër mrekullitë shqiptare. I rritur furishëm, në fare pak vite, ai ka sot një fuqi akomodimi prej më shumë se 120 mijë pushues. Aty i gjen të gjitha. Resortet e luksit, dhe, kuptohet më të shtrenjtë se të tjerët, banesat me çmime normale, deri tek ato që kanë çmime krejt të lira, sidomos në kulmin e sezonit turistik.
Sidoqoftë, edhe pse shpesh herë jam në këtë plazh, i nisur nga ajo që po bënte një djalë i ri, që ndoshta prindërit e tij e kanë pasur ëndërr Shqipërinë dhe të përbashkëtën e kombit, hulumtova në disa hotele, restorante dhe qendra të tjera të shërbimit.
Në Velipojë ndodhen disa nga firmat më të njohura të shërbimit ushqimor. Që nga SPAR, te Big Market, të tjera vendase, të shumta dhe me çmime të përafërta. Perimet janë të freskëta, produktet e qumështit, po ashtu; frutat të shumëllojshme dhe , me përjashtim të fiqve të parë të stinës, të tjerat janë si në qytetin e Shkodrës.
Në restorante mund të shërbehesh sipas mundësisë që përballon gjendja financiare. Askush nuk është i njëjtë.
Por është një fakt tepër interesant. Tre nga restorantet më të njohur në Velipojë, “ La Marola” – nuk e di nga ka ardhur ky emër, “ Beks 2”, dhe Red Bull, megjithëse kanë çmimet më të shtrenjta, kanë edhe më shumë konsumatorë. Nganjëherë në “ La Marola” duhet të presësh deri në lirimin e një tavoline. Por, edhe këtu , nuk janë pmimet për të cilat spekulohet. Por, nëse dëshiron peshk të freskët, çmime më të përballueshme, mund të ecësh pak më tej, në restorantin , i cili njihet si “ Tek Sandri”, dhe, nën hijen e pishave të provosh se çfarë mrekullie mund të shijosh.
Në hotel restorantin “ Katër stinët” të vëllezërve Muja , njëri nga më të mirët që kam njohur, do të gjesh një veçanti tjetër. Aty prej disa viteve praktikohet paketa e plotë, d.m.th fjetje, ushqim , argëtim. Çmimi, deri në ditën e djeshme, për fjetje, ushqim të plotë në mëngjes, drekë dhe darkë, pije dhe fruta, shërbim dhoma, internet, është vetëm 30 euro për person, e ndoshta edhe më pak se kaq. Ushqimi është tradicional, i gatuar nga mjeshtër, dhe, është interesant se të njëjtin ushqim konsumojnë edhe pjesëtarët e familjes. Pra, si për vete. Vetëm kjo mjafton të dëshmojë seriozitetin e saktësinë.
Më tej, krejt pranë është pastiçeri dhe furrë buke “Arishta”. Është pa dyshim njëra nga më të njohurat , jo vetëm në Shkodër. E gjithë shumëllojshmëria e gatimit të Shkodrës në ëmbëlsira është aty, por edhe nga më të rejat. Gërshetimi i dy hapësirave të kësaj fushe. Njëri nga djemtë, Endi , ende i ri, ka titullin “ Mjeshtër”, sepse është vërtet i tillë.
Nuk e di se si mund të mposhtet një qeveri duke ndjellë kobin , pra të keqen, jo për pjesëtarët e këtij kabineti, por për ata mijëra e mijëra njerëz që presin stinën e tyre.
Nuk mund të synosh të djegësh mjekrën e Edi Ramës dhe të besosh se ke djegur Shqipërinë.
Shqipëria është përtej Edi Ramës, ashtu si Kosova është përtej Albin Kurtit, ashtu si opozita është përtej Sali Berishës.
Mjerimet e politikës nuk mund të bëjnë të ardhmen e një vendi, ashtu si nuk mund të rrëzojnë një qeveri. Edhe kur ajo është e ngarkuar me mjaft mëkate të tjera, për të cilat një ditë do të gjykohet nga votuesit e saj.
Nuk më hiqet nga mendja ai djalë i ri, që ishte i bindur se po bënte një akt atdhetar, kur në fakt asgjë e tij nuk kishte lidhje me atdheun.
Shpesh herë renegatët fshihen pas perdes së patriotizmit.
Deri sa perdja të bjerë.