Nga Aranit Muraçi
Albin Kurtit i duhet dhënë ajo që i takon Albin Kurtit, merita e një lideri i cili e nisi nga zero dhe po i fiton zgjedhjet; me garë. Siç tregon edhe rezultati i fundit zyrtar, ashtu si në Shqipëri: pa kundërshtarë.
Gara e fundit vërtetoi atë që pritej; Partia Vetëvendosje e kahut të majtë, e udhëhequr nga Albin Kurti, siguroi një fitore akoma më të madhe e më bindëse në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit pas ngërçit politik 10-mujor që e pengoi të formonte qeverinë në shkurt.
Partia Vetëvendosje (LVV) e Kurtit fitoi afërsisht 50% të votave, gati 15 për qind më tepër se votat që mblodhën dy partitë e qendrës së djathtë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21%, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me gati 14%, sipas të dhënave paraprake zyrtare të autoritetit shtetëror zgjedhor pas numërimit të pothuajse të gjitha fletëve të votimit.
Fitorja e fundit bindëse e Albin Kurtit nxjerr në pah një fakt interesant: E djathta nuk ekziston as në Kosovë dhe as në Shqipëri!
Rastësi?!
Prej 2013 në Shqipëri e majta e drejtuar nga Edi Rama erdhi me votë në pushtet dhe nga 2017 deri në zgjedhjet e 11 majit 2025, PS i ka fituar e vetme të gjitha zgjedhjet, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale. Arriti të fitonte këtë vit mandatin e saj të katërt radhazi përmes një rezultati akoma më bindës!
Nëse të “vetshpartalluarit” ose të vetshpallurit ‘të djathtë’ në Shqipëri fajësojnë komunizmin për disfatat e njëpasnjëshme, duke mos gjetur asnjë “njollë” në biografinë e tyre, ku janë ata në Kosovë?
Kosova nuk ka pasur të kaluar komuniste, ndryshe nga Shqipëria. Albin Kurti e nisi aktivitetin e tij politik nga zero, madje nuk i ka pasur edhe aq të lavdërueshme marrëdhëniet me Edi Ramën.
Albin Kurti në Kosovë nuk erdhi në pushtet me revolucion, por me votë. Nuk po e mban pushtetin me forcë. Por po fiton bindshëm sa herë që shkon në zgjedhje.
Partitë e majta të udhëhequra nga Albin Kurti në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë, pavarësisht dallimeve të mëdha, po vërtetojnë në 10 vitet e fundit se kanë një emërues të përbashkët: rezultatin, fitoren.
Është kohë e artë për ‘analistët’ që janë të punësuar në “zbulimin e armiqve të popullit dhe të partisë” veçanërisht në Tiranë, që të përgjigjen:
Ku është e djathta në trojet shqiptare?
Çfarë përfaqëson ajo?
Kush e përfaqëson atë?
Apo… mos ndoshta “të djathtët” kanë dështuar në zbulimin ‘e armiqve të brendshëm’, për t’i dhënë shpjegim inekzistencës së tyre?



