20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Përbindësh politik: Rama si kopje më e sofistikuar e Berishës

    Nga Edmond Arizaj

    Niçe ka një shprehje: Kush lufton gjatë me përbindësha, duhet të ketë kujdes që të mos bëhet vetë përbindësh. Dhe nëse shikon gjatë në një humnerë, edhe humnera fillon të shikojë brenda teje.

    Berisha si përbindësh politik

    Edi Rama është në luftë me Sali Berishën prej 1991.

    Sali Berisha u perceptua si përbindësh politik shumë herët, pothuaj që në 1993, e me kohën dhe vitet e përforcoi nofkën e përbindëshit duke eliminuar edhe dhunshëm zërat kundër në parti, duke marrë kontroll të plotë mbi qeverinë, duke ushtruar kontroll direkt mbi pushtetin vendor, duke përdorur stil autoritar, duke kontrolluar drejtësinë, duke u përpjekur të kontrollojë median.

    Rama u ngrit si kundërshtar i tij. Ishte alternativa kundër këtij modeli shkatërrues. Ishte shpresa për ndryshim për shumë vetë.

    Kujdes se bëhesh vetë përbindësh!

    Me kalimin e kohës, Rama tregoi për sytë dhe mendjen e atyre që i kanë, se është aktori më i mirë për të luajtur të keqen. Një përbindësh i sofistikuar. Teksa luftonte për ta rrëzuar e më pas për ta zhbërë Berishën, Rama përthithi, apo më saktë perfeksionoi, shumë nga metodat e përdorura nga Berisha që dikur i kritikonte:

    -Kapja e institucioneve (deri tek drejtorët e gjelbërimit ndërhyn publikisht tashmë);

    -Centralizim ekstrem i pushtetit (kush mund të thotë sot se që nga karrigia e Presidentit, deri tek përgjegjësat e vatrave të kulturës në fshatra, nuk diktohen nga Rama);

    -Përdorimi i gjuhës përçmuese ndaj kundërshtarëve (jo më familje si Berisha, por prandaj është më i sofistikuar);

    -Eliminimi i zërave kritikë brenda partisë (e çuditshme çfarë ngjashmërie me Berishën!);

    Përdorimi i drejtësisë në mënyrë selektive (kjo tashmë është evidente dhe nuk po përpiqet më të fshihet).

    Vetëm disa po përmend, sa për ta vërtetuar Niçen katërcipërisht:

    Rama nuk është thjesht kundërshtar i Berishës, pavarësisht deklarimeve, ai u përthith nga kjo energji dhe u shndërrua, apo ajo që unë kam parë prej kohësh: kjo energji thjesht zmadhoi të dhënat që ai tashmë i kishte.

    Rama duket si admirues i Berishës

    “Nëse sheh gjatë në një humnerë, edhe ajo sheh brenda teje”, tha Niçja.

    Rama ka mbi 34 vjet që sheh Berishën, edhe kur nuk ia përmend emrin, edhe kur bën sikur nuk ekziston, ai është marrë gjithë kohës me të, publikisht, apo në prapaskenë, ka reaguar përgerë ndaj tij.

    Ndoshta, ndoshta edhe e ka admiruar fshehurazi për pushtetin absolut që kishte mbi shtetin dhe ka mbi partinë.

    Ky vëzhgim i gjatë i Ramës në këtë humnerë të quajtur Berishë, e ka deformuar atë, apo i ka nxjerrë në pah tiparet e errëta të fshehura me kujdes pas fjalëve të bukura, sjelljeve atipike dhe përgjërimeve për demokracinë.

    Humnera që sheh brenda Ramës

    Shumë e shumë njerëz që shpresuan se Rama do të ishte kundërpesha ndaj Berishës dhe sjelljes e trashëgimisë së tij politike si përbindësh, ndihen të tradhtuar.

    Rama, në vend që ta transformonte politikën, në vend që ta zhbënte Berishën, jo si njeri, por si fenomen politik, u transformua vetë.

    Ai është i përthithur nga humnera dhe ka marrë tashmë me vete gjithë PS-në.

    Është kaq trishtuese që me mijëra të rinj, me qindra prurje të reja drejtuese, me dhjetëra deputetë të rinj në Partinë Socialiste, askush nuk ka një kritikë për kryetarin dhe kryeministrin.

    Qoftë edhe me të qeshur.

    Qoftë edhe për gjatësinë e mjekrës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit