Disa momente që ndoshta do të mbeten gjatë në memorien e edicionit të sivjetshëm të “Big Brother VIP Albania” kanë ndezur debat në rrjet – dhe me të drejtë.
Gjesti, në një skenë që tronditi shikuesit ditë më parë, mori varësen me kryq të Jozit dhe e hodhi në pishinë. Për Jozin, një besimtar katolik, kjo varëse nuk është një aksesor që mund të hidhet në ujë si pa të keq. Ndonëse Gjesti u justifikua në prime duke thënë se nuk e pa zinxhirin, Jozi e akuzoi se ka bërë tre herë veprime të tilla, duke e fshehur dhe duke thënë “do të ta thyej atë që ke në qafë (referuar kryqit)”. Kaq mjaftoi që rrjeti të shpërthente në kritika të ashpra dhe banorët të përfshiheshin në një debat edhe më të zjarrtë.
Por situata mori një tjetër kthesë së fundmi, kur Laerti i tha Gjestit: “Pse the “Allahu Ekber”? E di kush e thotë? Ata që presin koka! Çfarë je ti, terrorist je këtu?”.Disa ndjekës shkruajnë se Laerti e qartësoi se të thënit tre herë “Allahu Ekber” gjatë një veprimi kundër besimit tjetër, duket sikur përfaqëson një veprim terrorist. Sidoqoftë, është e gabuar që një shprehje që për miliona njerëz është një formë adhurimi ndaj Zotit, barazohet me dhunën dhe terrorin. Shtojmë se nuk dihet nëse Gjesti ka thënë “Allahu Ekber” apo në cilat momente e ka thënë.
Pra, ne u bëmë dëshmitarë të dy ekstremeve: nga njëra anë, një banor që hedh një simbol të shenjtë në ujë, dhe nga ana tjetër, një tjetër që kur dëgjon “Allahu Ekber” mendon automatikisht për lajme me terroristë. Për kujtesë: “Allahu Ekber” do të thotë “Zoti është i madh”. Nuk është slogan lufte. Se disa e kanë përdorur keq, për radikalizëm dhe jo në raport me atë që feja islame përcjell, kjo nuk e bën vetë frazën me konotacion negativ – njësoj siç nuk e bën kryqin simbol të dhunës fakti që është keqpërdorur gjatë historisë (kujto Hitlerin dhe kryqin e thyer).
Përplasja mes injorancës, fyerjes dhe vetëbesimit për të folur pa ditur është shokuese. E nëse dikush ka ende dyshime: po, të dy ishin gabim. Patjetër! Veprimet e Gjestit dukshëm janë veprime të vetëdijshme që kanë qëllim përdhosjen e besimit tjetër (sepse nuk mund të jetë rastësi që merret kaq shumë me varësen me kryq), ndërsa komentet e Laertit ishin një shembull i përhapjes së stereotipeve.
Por, nëse këto skena prodhojnë klikime, ndonjë diskutim sipërfaqësor në prime dhe vazhdojnë të tolerohen si “thjesht lojë” ose “për pak puls”, atëherë ndoshta problemi s’është veç në shtëpinë e Big Brother-it. Problemi qëndron më përtej atij murit me kamera. Problemi është jashtë, te audienca që duartroket dhe justifikon. Te produksioni që vendos të mos e adresojë seriozisht. Ai qëndron te ne, që e përtypim si normalitet.
Sepse kur përdhosja e një besimi dhe përhapja e stereotipeve fetare shiten si content, atëherë s’po flasim më për një reality show. Po flasim për realitetin tonë. Dhe ky realitet, për fat të keq, nuk ka prime për ta shpëtuar. (Anabel)