Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi, e ka cilësuar rritjen e forces së lekut si manovër për të cilën duhet të hetohet.
Zusi ka akuzuar Bankën e Shqipërisë për situatën e krijuar:
“Kursi i këmbimit është një krim i cili duhet të analizohet seriozisht nga institucionet. Këtu duhet të ndërhyjnë institucionet e hetimit. SPAK duhet të hetojë Bankën e Shqipërisë për këtë që po ndodh.
Fuqizohet monedha e një vendi kur rritet ekonomia e një vendi. Rritja e monedhës është akt mafioz që po ndodh nën monitorimin e dikujt. Kjo është shkatërrim për eksportet shqiptare dhe për prodhuesit vendas.
Nuk ndodh që kur një vend është në krizë të fuqizohet monedha vendase. Pa rritje ekonomike të fuqizohet monedha? Kjo duhet hetuar pse po ndodh dhe çfarë po ndodh!
Dëmi ekonomik që po i shkaktohet biznesit vendas, është shumë i madh. Dikush të më dëgjojë dhe të fillojë hetimet kryesisht se ky është një krim i pastër ekonomik”, tha ai.
Akuza shkon për favorizim të importeve, diçka që deri më tani është parë si pjesë e lobimit pranë qeverisë, ndërkohë që Banka e Shqipërisë është hera e parë që përfshihet.