Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, ka lexuar një “nen” të draft Kodit të ri Penal, i cili bën fjalë për “martesat me zor” dhe burgosjen e personave që ushtrojnë presion ndaj të rinjve për t’u martuar.
Por ajo që në fakt Sali Berisha e konsideroi “një nen absurd”, është një meme qe qarkullon në rrjetet sociale dhe që ka ngatërruar edhe shumë të tjerë të cilët s’kanë arritur ta kuptojnë ironinë.
Berisha në reagimin e tij nuk ka kursyer kritikat për krijuesit e Kodit Penal, duke shënjestruar veçanërisht Edi Ramën.
Në fund të konferencës bashkëpunëtorët e tij i kanë sjellë një letër me një shënim, por kreu i PD nuk bëri ndonjë sqarim të mëtejshëm, duke mbyllur konferencën për mediat.
“A mund të imagjinoni tani, më thuaj mua? Ju jeni me fat se jeni të martuara”, iu drejtohet Berisha gazetareve në konferencë, duke shtuar se: “Nëse do kishit qenë beqare nënat tuaja do mund të shkonit, për ndjenjat më të dashura për ju e të ardhmen tuaj, mund të shkonin në burg për 3 vite nëse guxonin t’u thoshin ‘bijë e nënës koha është për t’u martuar, nëna do të shohë çift’, si çdo nënë që e ka për djalin dhe për vajzën. E imagjinoni ju ku shkon ky dhe kjo quhet martesë me zor. Është e shkruar, e kam këtu nenin.”
