Kreu i PL-së Ilir Meta ka mbushur me komplimenta Sali Berishën. Sipas Metës, Berisha është një legjendë me kontribute të jashtëzakonshme në 32 vite në historinë e vendit tonë, ndërsa shton se po bën një punë shumë të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe rivendosjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë.
“Berisha është një legjendë me kontribute të jashtëzakonshme në 32 vite në historinë e vendit tonë. Nuk është i rastësishëm por për arsye të cilësive që një liderpship të lindur dhe kultivuar me pasion e këmbëngulje. Aktualisht po bën një punë shumë të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe rivendosjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Berisha ka disa cilësi të karakterit që nuk i kanë shumë persona, nuk ka patur dhe s’ka nevojë të jetë kryetar që të jetë lider, pasi është një lider i lindur. Mendoj që është i përkushtuar ndaj interesit kombëtar në mënyrë shumë pasiononte dhe pa asnjë diskutim që ka disa vlera të cilat të bëjnë që ta respektosh dhe pse për disa çështje politike mund të mos kesh të njëjtat mendime me të.
I ka bërë shërbime të mëdha demokracisë në vend, rikthimin e tij në PD, rikthim transparent. Po flasim për procese që janë zhvilluar në prezencë të qytetarëve, mediave dhe është konfirmuar në mënyrë legjitime si lider”, është shprehur Meta.
Mesa duket Meta ka harruar se Berisha u shpall ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politik, përfshi familjen.
Po ashtu Berisha është shpallur ‘non grata’ nga Mbretëria e Bashkuar, pasi akuzohet për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB.