Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, riktheu në vëmendje një ngjarje të viteve më parë, kohë kur dhe ishte gazetar.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, ai sulmoi ambasadorin e karrierës, Ferit Hoxhën i cili nga sot do të jetë ministri i Jashtëm i Shqipërisë.
Blushi tha se Hoxha kishte qenë kryenegociatori i marrëveshjes së detit me Greqinë, duke e firmosur atë sipas kërkesave të palës greke, ndërsa njëkohësisht i kishte transmetuar deputetit, asokohe gazetar, informacione të pavërteta me qëllim për të nxjerrë “tradhtar”, Sali Beirshën.
“Zoti Hoxha 17 vite më parë, si kryenegociator firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë sipas kërkesave të palës greke, dhe nga ana tjetër, nxiste qëndrime të ashpra kundër marrëveshjes së detit. 17 vite më parë kur isha gazetar te Gazeta Shqiptare, ditën e nesërme kam publikuar një shkrim me titull “Berisha shet Greqinë”. E kam bërë këtë shkrim i bindur se ishte Berisha ai që po tradhtonte interesin kombëtar.
Marrëveshjen Tedi Bushit ia dha Ferit Hoxha, ai i cili më vonë mësova që ishte ai që kishte firmosur dhe kishte rënë dakord me palën greke, që ma vuri në dispozicion me orientimin e qartë “Berisha shiti detin”.
Të gjithë informacionin e merrja nga Ferit Hoxha. Më vonë mësova që marrëveshjen nuk e kishte negociuar Berisha, por Hoxha”, tha Blushi, duke e cilësuar këtë si një lojë të dyfishtë dhe kritikoi Bajram Begajn që e emëroi atë pa marrë parasysh informacionet e mëparshme për këto role të tija.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi duke thënë se sulmet ndaj Hoxhës nuk i bëjnë mirë askujt dhe se përgjegjësitë për marrëveshjet ndërkombëtare janë politike, jo personale. Ai theksoi se Hoxha ka pasur një karrierë të suksesshme dhe se është një ambasador i njohur pranë institucioneve ndërkombëtare.
“Zoti Blushi, më vjen shumë keq që degraduat në një sulm të natyrës personale dhe shpresoj shumë që grupi Parlamentar i PD-së të dijë të distancohet nga një sulm ndaj një njeriu që mendoj se edhe ju mendoni si unë, ambasador i suksesshëm, me mandate të suksesshme edhe pranë BE-së si ambasador i Shqipërisë”, i tha ai.
Blushi: Zoti Hoxha 17 vite më parë, si kryenegociator firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë sipas kërkesave të palës greke, dhe nga ana tjetër, nxiste qëndrime të ashpra kundër marrëveshjes së detit. 17 vite më parë kur isha gazetar te Gazeta Shqiptare, ditën e nesërme kam publikuar një shkrim me titull “Berisha shet Greqinë”. E kam bërë këtë shkrim i bindur se ishte Berisha ai që po tradhtonte interesin kombëtar. Marrëveshjen Tedi Bushit ia dha Ferit Hoxha, ai i cili më vonë mësova që ishte ai që kishte firmosur dhe kishte rënë dakord me palën greke, që ma vuri në dispozicion me orientimin e qartë “Berisha shiti detin”. Të gjithë informacionin e merrja nga Ferit Hoxha. Më vonë mësova që marrëveshjen nuk e kishte negociuar Berisha, por Hoxha. Për herë të parë këtë sekret e ndava me presidentin e Republikës të kohës, një burrë shteti. Kur ministrja e Jashtme i solli Metës emrin e Hoxhës për ambasador në OKB, ndjeva detyrimin moral për ta informuar se çfarë loje kishte bërë në kurriz të Republikës së Shqipërisë, duke cenuar edhe marrëdhëniet me fqinjët tanë jugorë.
E kam të pashpjegueshme sesi presidenti aktual, Bajram Begaj, i cili bisedën e fundit që ka pasur në zyrë me Metën, ku po ndodhte rokada mes tyre, ka qenë çështja e detit me Greqinë. Meta e ndau këtë informacion edhe me Begajn, i cili sot, edhe pse ka të gjithë informacionin se çfarë ka ndodhur, e firmosi emrin e tij për ministër të Jashtëm. Si ka mundësi që keni mbi tavolinë një letër të presidentit për çështjen e detit, që keni të gjitha mundësitë të keni të gjitha informacionet për kandidaturat, votuat sot një kandidaturë si Ferit Hoxha, që ka mbi supe edhe zhdukjen e laptopit të NATO-s në OKB. Kujt po ia dorëzoni shtetin shqiptar? A mund të mbrojë sot Hoxha çështjen e detit me Greqinë, që është ai që firmosi dhe gjithashtu denoncoi? Lojën e kujt bëri Ferit Hoxha 17 vite më parë? I nderuar president, jam në dijeni që ke mbi tavolinë informacion të klasifikuar lidhur me Ferit Hoxhën. Anulo seancën e betimit të tij nesër si ministër të Jashtëm.
Balla: Sulmet ndaj Ferit Hoxhës nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë. Pjesës më të mirë i ka rënë mundësia që të punojë me të gjithë ju. Sa i përket ish presidentit Meta, e ka dekretuar tre herë zotin Hoxha tre herë ambasador. Ky zoti Meta kur i ka pasur këto informacione që ju i pretendoni? Sa i përket akuzave lidhur me marrëveshjen e detit, në asnjë administratë nuk fajësohen përfaqësuesit teknikë, përgjegjësitë janë politike. Nuk ka askush dyshime se marrëveshja e Detit e vitit 2009.
Zoti Blushi, më vjen shumë keq që degraduat në një sulm të natyrës personale dhe shpresoj shumë që grupi Parlamentar i PD-së të dijë të distancohet nga një sulm ndaj një njeriu që mendoj se edhe ju mendoni si unë, ambasador i suksesshëm, me mandate të suksesshme edhe pranë BE-së si ambasador i Shqipërisë.
Blushi: Unë nuk bëj sulme personale ndaj kërkujt. S’kam asgjë personale me Ferit Hoxhën, nëse do kisha gjë personale këtë fakt do e ndaja 17 vite më parë. Por dua t’ju kujtoj se kryenegociatori i marrëveshjes me Greqinë ka qenë Ferit Hoxha, ky është fakt. Siç është fakt, i kam emailet akoma. Marrëveshjen ma dha Ferit Hoxha, me orientimin “Berisha shiti detin”. Kryenegociatori që firmosi marrëveshjen orientoi gazetarin se çfarë kishte ndodhur. I vetmi faj imi ishte se nuk e dija, s’kisha nga ta dija kush po negocionte me Greqinë, janë teknikët që bien dakord, pastaj politika shpreh vullnetin dhe firmos. Ferit Hoxha ka qenë kryenegociator, ai i cili firmosi atë marrëveshje që e denoncoi te unë si tradhti kombëtare. Kë Ferit Hoxha duhet të besojmë? Ferit Hoxha ka bërë lojë të dyfishtë dhe është fakt që për shkak të kësaj loje të dyfishtë Edi Rama e emëroi Ministër të Jashtëm.



