Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë për t’i kërkuar pronarëve të Facebook dhe Twitter që të marrin masa ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili sipas tyre po i keqpërdor këto platforma.
Meta, nëpërmjet një statusi në Twitter, ka shprehur mbështetjen ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha drejtuar Mark Zuckemberg për të kufizuar kryeministrin Edi Rama me përdorimin e rrjeteve sociale.
“Mbështes thirrjen e Sali Berishës, kreut të Partisë Demokratike, drejtuar Mark Zuckerberg, Elon Musk dhe platformave të tjera mediatike për t’i hequr aksesin qeverisë së Edi Ramës për shkak të praktikës së abuzimit me platformat e tyre globale” shkruan Meta në anglisht.
Berisha ka denoncuar Ramën se ka “shpikur një aplikacion që mat like-t dhe komentet e punonjësve të administratës, që i bëjnë qeverisë në rrjetet sociale” dhe kërkoi nga Mark Zuckenberg që të ndalojë këtë praktikë abuzimi në rrjetet e tyre sociale.
“U bëj thirrje Mark Zuckerberg dhe Elon Musk, dhe platformave të tjera, që të heqin aksesin e qeverisë së Edi Ramës për shkak të abuzimit me platformat e tyre globale.
Shembulli i fundit, i përdorimit të një aplikacioni për të kontrolluar dhe terrorizuar punonjësit e zakonshëm, është një thirrje për ndërhyrje.
E drejta për të përdorur këto platforma duhet anuluar derisa të hiqet ky aplikacion famëkeq për kontrollin e qytetarëve, i quajtur Akt1vist.
Në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, Partia Demokratike do të konsiderojë një proces ndërkombëtar kundër Edi Ramës për këtë çështje.
Ky është terror, është turp, është depersonalizim!
Punonjësit e qeverisë shqiptare po monitorohen dhe humbasin punën nëse nuk pëlqejnë postimet e Edi Ramës dhe ministrave të tij në rrjetet sociale.
Unë ju jap këtë aplikacion ku duhet të bëni abonim, dhe nëse nuk më bëni ‘like’, mbeteni pa punë!
Nuk ka turp më të madh!” thuhet në letrën e Berishës.
Berisha ka publikuar edhe videon e titruar në anglisht, nga konferenca e së premtes, ku denoncoi këtë ‘skandal’.