Sonila Meço ka një thirrje për ata që po vrasin njëri-tjetrin këto ditë.
“Mirë kur i sheh shtrembër tjetri dhe nuk durojne, ia kërcasin me ç’t’u gjendet aty për aty, diagaç, biçak, snajper, karrige, kallash, tallash…
Po kur i sheh shtrembër e i dhunon pushteti me soj e sorrollop dhe breza pse janë kaq mirëkuptues?
D.m.th çfarë janë këto ekstreme ku pozicionohet shqiptari”, shkruan e revoltuar ajo.
Ndërsa më pas vijon po e revoltuar, pas një shkrimi pozitiv në prestigjiozen CNN, për plazhet shqiptare.
“Dhe ndërsa CNN e rendit Ksamilin si njërin mes 7 destinacioneve, që ia vlen të konsiderohet për pushimet verore në Europë, pra teksa mahniten të huajt nga plazhet me rërë të bardhë, mu në mes sezoni kërcet pushka e thika si në luftë guerrile.
Si ta zgjidhim tani këtë nyjen ku na ngecin patriotizmi e tmerri bashkë? Bekuar Perëndie e çartur njeriu ky vend…
“Mos e shani Shqipërinë jashtë!”, apelojnë disa. “Po nuk po e gëzojmë dot ne që jetojmë në të”, gjegjen të tjerë.
Unë vijoj t’i mbetem idesë se patriot i mirë është ai që e mbron vendin nga qeveria e vet. Përfshi Ksamilin që na e duan fort të pushtetshmit e jashtëm. Përshi Butrintin që s’na e duan fort të pushtetshmit e brendshëm”, shkruan Sonila.