Deklaratat mes familjarëve dhe miqve të banorëve të “Big Brother VIP Albania” vazhdojnë të ndezin debat. Babai i Selin Bollatit, Jeton Bollati, u shpreh një ditë më parë në “Big Brother Fan Club” se nuk është aspak pishman për deklaratat që kishte bërë më herët për Mirin gjatë një daljeje në “Shqipëria Live”.
Nga ana tjetër, miku i Mirit, Roland Hysi, theksoi se familjarët duhet të qëndrojnë larg lojës dhe të shmangin sulmet e vazhdueshme nga jashtë.
I ftuar në një lidhje direkte në “Shqipëria Live”, Landi i “West Side Family” reagoi për situatën, duke theksuar se ai dhe familjarët e Mirit nuk do t’i përgjigjen me të njëjtën mënyrë deklaratave të babait të Selin.
Sipas tij, gjithë kjo situatë dhe mllefi i shprehur nuk ka kuptim.
“Miri është ngritur dhe po vazhdon lojën e tij. Ai po sulmohet si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj. Duket sikur po zhvillohen tre ‘Big Brother’ paralelisht. Miri është në rrugën e tij dhe po përballet me të njëjtat akuza të përsëritura”, u shpreh Landi.
Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë komunikim me familjen e Selin dhe se nuk kanë ndërmend t’i përgjigjen deklaratave në të njëjtën mënyrë, pasi sipas tij kjo nuk ka sens.
Landi tregoi gjithashtu se ishte shumë i lumtur për faktin që Miri doli i pari në një nga kuizet në shtëpinë e BBVA, duke theksuar se e kishte pritur një gjë të tillë prej tij.
“E dija që Miri është një djalë me botë dhe me kulturë. Ne kemi një filozofi tjetër: nuk jemi tipat ‘kap çfarë të kapësh’. Nuk themi që jemi më të mirët dhe nuk kërkojmë vëmendje të panevojshme. Jemi njerëz të përulur dhe do përpiqemi t’i shmangim sulmet sa më shumë”, tha ai.
Në fund, Landi theksoi se familjarët duhet të qëndrojnë jashtë lojës, duke shtuar se familja e Mirit e ka ndjekur këtë qasje që nga fillimi.
Sa i përket deklaratës së fundit të babait të Selin, ai preferoi të mos japë koment, duke thënë se nuk dëshiron të krijohen tituj apo polemika të panevojshme.
“Miri është i shkëputur nga kjo situatë. Të mbash gjithë atë mllef të akumuluar nuk më duket normale. Ajo që dëgjova dje nuk më mërziti shumë. U mërzita vetëm nga reagimi i parë, por kur vazhdon e njëjta qasje dhe Miri thjesht bën lojën e tij, nuk ka shumë çfarë të thuhet. Ai po sulmohet rregullisht, si brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë saj. Në fund të fundit, kjo u jep mundësinë të gjithëve të tregojnë veten”, përfundoi Landi.



