Nga Bedri Islami
Nuk ka ndodhur asnjëherë që intervista e një zëvendëskryeministri në arrati, ish ministër i disa dikastereve, i vetë quajtur “ tigri”, i kërkuar nga drejtësia shqiptare, të ketë kaq pak interes dhe thuajse asnjë jehonë. Arben Ahmeti , edhe pas daljes së tij të tretë në televizionin e familjes Berisha, mbetet përsëri një i kërkuar dhe , e gjithë stuhia që mendoj se do të ngrihej prej tij, përfundoi, si ishte pritur, në një furtunë në gotën e zbrazur.
Edhe përkrahësit më të afërt të tij, që gjenden në opozitë tashmë, të cilët pritën bubullima dhe stuhi në politikën shqiptare, kiamet dhe rënie piramidash, e kanë harruar.
Edhe analistët pranë familjes, që, sa shohin një të dhënë kundër qeverisë Rama , sidomos kundër kryeministrit, sulen si demat mbi bezen e kuqe – në fakt shumë prej tyre vijnë nga një e shkuar flakë e kuqe – , pasi synuan të bëjnë hatanë e natës së parë, e ndjenë se gjithçka kishte qenë një farsë e përgatitur , jo për të bërë gjëmën e qeverisë, por si alibi e ish zëvendëskryeministrit për të pasur edhe një shans më shumë në kërkesën e tij për strehim politik.
Qeveritarët , po ashtu, nuk u trazuan nga fjalët e Ahmetit, në të kundërtën e asaj që kishte pritur ekipi mbrojtës i tij, ata nuk e trajtuan fare si ngjarje, reagimi i kryeministrit në Kongres ishte një shpëlarje goje, më shumë aforizmat e njohura të tij , duke i rënë muri të dëgjojë dera.
E qëlluara e Ahmetit nuk ngjiti, gjë që do të kishte dashur më shumë se gjithçka, bile një mallkim të tij në disa breza, sulme politike pa fund, që një ditë të nesërme t’i paraqesë në gjykatën e veçantë të shtetit ku është tani, i strehuar në një hotel të kategorisë së tretë, pasi ka lënë në atdhe vilat superiore. “ Kjo është jeta” , thonë francezët dhe ai , në kohën që ka qenë në postet e larta të shtetit, duhet ta ketë mësuar këtë.
Përse as pushkaliqja e tretë e Ahmetit nuk ndezi dhe kaloi si një çast i shkurtër flakë kashte?
Që nga largimi tinëzisht i tij janë bërë shumë muaj. Kohë e mjaftueshme për të reflektuar dhe për të gjetur veten. Ose, më saktë, të vërtetën e vetes. Çka është gjithnjë e vështirë për një njeri, që krejt befas, vetëm nga huqet e një kryeministri, ngjit shkallët e karrierës, bëhet ministër e më lart se kaq. Ata janë mësuar të besojnë se e vërteta janë vetë ato, edhe kur vjedhin pa mbarim, edhe kur shfrytëzojnë postin pa asnjë ndëshkim, edhe kur aktet e tyre korruptime janë të ditura, e në fund të fundit, edhe kur përfitojnë që nga vilat luksoze, deri në udhëtimet falas në qendra luksi me pesë yje.
Koha ishte e mjaftueshme për Arben Ahmetajt. Për të gjetur dhe saktësuar rrugën e tij.
Mes tri zgjedhjeve: bashkëpunëtor i drejtësisë, përballje e hapur me drejtësinë, fshehje si burracak, ai ka zgjedhur këtë të fundit, duke besuar se do të ketë një amnisti për të, nëse ai fillon e pickon pjesë të pushtetit, përmes të vërtetave që di, gjysmë të vërtetave përcjellë me mashtrim, ose mashtrimit të hapur.
Ai nuk kishte këllqe të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë. Të dhënat që mund të ketë për aferat e ndryshme, ku edhe mund të ketë qenë pjesë, e di se e fundosin edhe më tej. Rruga e gjatë në pushtet e ka joshur atë me pasuri dhe sundim, kështu që mundësia e “ një harakiri” të tij, duke pastruar veten, e në këtë rast edhe segmente të shtetit, është e pamundur.
Kjo e bën atë të pabesuar. Bile, edhe më tej se kaq. Të padenjë. Dalja e tij, përmes seriale tv në Çim Peka apo diku tjetër, nuk i vendosin aurorën e njeriut të guximshëm, përkundrazi, të frikacakut, që, edhe tani, krijon mjedisin e tij për të pa vërtetat dhe frikën e tij.
Përballja e tij me drejtësinë është, po ashtu, një
opsion i pamundur. Askush më mirë se sa vetë ai nuk i di rrengjet që ka luajtur, përfitimet që ka pasur, pasurinë që ka vënë, dallgëzimet e një jete të prapështe, që nuk mund të bëhet e denjë thjeshtë se ke vendosur të rrëfesh atë që nuk je i besuar.
Akuzat e tij ndaj drejtësisë, sidomos për lidhjet e SPAK me politikën, një lajtmotiv i përnatshëm i opozitës, nuk mund të bindin askënd, as vetë atë. SPAK deri tani, si institucioni më i besuar aktual i shtetit, më shumë ka goditur në sipëroret e qeverisë, se sa në garazhet e opozitës. Figura të njohura të së majtës, ministra apo ish ministra, funksionarë të lartë, drejtues bashkie edhe zyrtarë të rëndësishëm të tyre, tani janë të dënuar, të burgosur, në hetim, në paraburgim, në ndjekje. SPAK dhe Dumani, si njeriu i besuar i ditës, e kanë kapur me piramidën e shtetit nga lart deri në thellësi, kështu që Ahmeti nuk përbën as risi dhe as kuriozitet.
Trembja e tij nga drejtësia është shkaku i vërtetë i arratisjes, që nuk ishte as e bujshme, as e papritur dhe as nuk shkaktoi asnjë shqetësim.
Trembja e tij nga drejtësia në Shqipëri është njëri nga shkaqet përse ai rend në një ekran, që, po ashtu, për shumë institucione jashtë Shqipërisë, është po aq i pa besuar sa është edhe vetë Ahmeti. Në këtë rast shkon shprehja e vjetër se , “ u rrokullis tenxherja dhe gjeti kapakun”. Ahmeti është në tenxheren e tij, e cila dikur kërkonte ta bënte copë e çikë, ta dërmonte, tani e lëmon, pasi mendon se renegatët janë gjithnjë më të vlefshëm se sa luftëtarët.
Ahmeti është renegat i forcës politike që e bëri gjithçka. Që nga njeriu anonim, i pas skenës së politikës, doli në radhën e parë, me poste të larta, gjithnjë ku ishin investimet më të mëdha, ku tenderët lëviznin sipas dëshirës së ministrit, ku taksat, tatimet, doganat, financat, rindërtimi ishin të gjitha në një dorë, dhe kjo ishte dora e tij.
Nëse do të kishte dashur të mbronte forcën e tij politike do të mund të kishte bërë dy gjëra: së pari, të mos përbaltej deri në qenien e tij më të vogël me akte të rënda korruptuese, dhe, së dyti, të kishte burrërinë të përballej, nëse do të kishte qenë vërtet i pafajshëm. Kështu do të hiqte baltën nga vetja dhe të justifikonte besimin që i kishte dhënë një forcë politike, të cilën e deshi kur e zhveshi dhe e mallkoi kur ia ndaluan vjedhjet.
Ai ka gjetur tani rrugën e tretë. Të deklamojë, pa denoncuar. Të sjellë të dhëna, pa fakte. Të gjurmojë hijet, duke qëndruar vetë në errësirë.
Nga dalja e tij e parë në TV, deri në të tretën, ai nuk solli asgjë që të tronditë mjedisin politik.
Sepse ai mendon, edhe sot e kësaj dite, se daljet e tij publike nuk janë për të sjellë një debat real mbi qeverisjen, krisjet e saj, korrupsionin, harbimin me paratë e shtetit dhe taksat qytetare, klanet e krijuara apo pas skenat rrezuese.
Ai kërkon alibi për të fituar statusin e një të përndjekuri politik.
Mundet që ia vlejnë të gjitha mundimet e harxhimet.
Por, nëse një figurë si ai ka qenë, qoftë edhe një çast të vetëm, i përndjekur, atëherë askush nuk do e dinte se kush është i lirë.
Tigri, thonë e ka origjinën nga macet, maçokët. Është krejt e mundur që të kthehen në origjinën e largët.
Evolucioni njerëzor është i pa kuptueshëm.