Mjeku Doris Sholla raportohet se është dhunuar nga një punonjës i Spitalit të Lushnjës, për shkak të dyshimeve të këtij të fundit, se i thërriste gruan orar pa orar në punë. Gruaja e agresorit Altin Alla, punonte si infermiere në spital.
Ndërkohë, vetë 54 vjeçari ishte punonjës oksigjenist dhe për shkak të dyshimeve se mjeku Doris Sholla e thërriste qëllimisht gruan e tij në orare të ndryshme në punë, kanë pasur fillimisht debat verbal.
Duke qenë se situata kishte shkuar në pikën ku nuk mund të zgjidhej gjë me dialog, oksigjenisti Altin Alla është përfshirë në një përleshje fizike me mjekun 31 vjeçar Doris Sholla.
Rasti ka përfunduar në Polici dhe raportohet se efektivët e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë arrestuar punonjësin Altin Alla, sepse dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar me mjekun e spitalit, Doris Sholla.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lushnjës, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, situata e rënduar në Spitalin e Lushnjës është denoncuar dhe nga deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili kërkon që menaxhimi të jetë rajonal, jo më bashkiak.
“Sot situata është dramatike. Pamjet flasin vetë – le të vijnë dhe ta shohin vetë. Së pari, duhet ndryshuar statusi i spitalit nga bashkiak në rajonal, që të ketë më shumë investime dhe buxhet. Diferenca është rreth 150 milionë lekë.
Analizat i kanë dhënë privatit, duke e degraduar qytetin. Nuk ka as medikamente; ky ka qenë një spital i jashtëzakonshëm – kanë ardhur pacientë nga të gjitha zonat, rreth 250 mijë njerëz”, ka denoncuar sot deputeti Saimir Korreshi.



