Adriatik Lapaj ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale pasi kandidati për deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, i ka dërguar një letër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku shpreh vullnetin për të pranuar mandatin, në rast se do të shpallet fitues i tij.
Kandidatët e këtij koalicioni në listën e mbyllur kishin nënshkruar para zgjedhjeve një deklaratë noteriale ku deklaronin se hiqnin dorë nga mandati, në mënyrë që të futeshin në Parlament kandidatët nga lista e hapur me më shumë vota.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj në rrjetet sociale.
Pasi sherri në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” për mandatin e deputetit plasi publikisht, akuzave të Adriatik Lapajt Endri Shabani iu përgjigj me ironi.
Në Facebook-un e tij ai postoi poezinë e mëposhtme:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”.
Endri Shabani, në një reagim tjetër, i është përgjigjur Adriatik Lapajt, pas deklaratës së këtij të fundit, kun ë të, sipas Shabanit, ka kërcënuar dajën e tij, pse nuk po i hap rrugë për të marrë mandatin e deputetit.
“Ndjej keqardhje nga deklarata e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.
Gjithësesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.
E para, mandati i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet nuk ka qënë kurrë i Adriatikut. Unë e di që Tiku është mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, Adriatiku nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!
Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.
E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit. Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatiku është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij.
Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.
Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Adriatikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.
E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjerrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale. Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, dhe as nga Adriatiku.
Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, kërkoi t’i tërhiqte vëmendjen. Por kur u përball me kërcenime ndaj fëmijëve të tij, ai shkoi një hap më tej”, thotë Shabani.
Unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e tij, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët, mendoj që Zeqiri ka bërë shumë mirë që i ka dalë përballë dhe i ka prerë rrugën. Në fund të fundit për 100 vite ne kemi patur politikanë që të vrasin për pushtet, nuk na duhet të rrisim të rinj.