Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë seancës së sotme parlamentare, ka sfiduar kryeministrin Edi Rama që të qëndrojë në zyrë të shtunën, në kohën kur opozita do të mbajë protestën kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”..
“Por kjo nuk ka lidhje sepse e lehtëson Edi Ramën, lëreni se po bën gjithçka të shpëtojë, por në mënyrë absolute data 24, ju që jeni këtu shkoni e thoni, po je burrë qëndro në zyrë. I thoni rrini në zyrë dhe prite popullin që po vjen. Shkoni dhe ju me të”, tha Berisha në fjalën e tij në Kuvend.
Por kësaj deklarate të kryedemokratit, iu përgjigj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili i quajti kërcënime fjalët e kryedemokratit. Balla tha se do t’i ishte përgjigjedhe ndryshe Berishës, por s’ia lejon etika e Kuvendit.
“Sa i përket atyre kërcënimeve të tua, që ti do bësh hatanë me datë 24, unë do të ta kisha dhënë një përgjigje, por kam shumë respekt për kodin e etikës së Kuvendit. Një gjë nuk të kemi marrë ty në konsideratë, edhe kur na ke kërcënuar publikisht, që në atë dritare është një snajper që do të godasë në ballë këdo që do i afrohet Kryeministrisë.
E ke thënë ti këtë apo jo? Ti ke dalë dhe pastaj më rezulton që je zbythur kur ke shkuar atje deponosh, se ke thënë që ti s’ke dhënë ndonjë urdhër për të qëlluar më 21 janar, por s’e di ç’ka bërë Luli”, tha Balla.



