Nga Enver Robelli
Një tribunë që i pëlqen të fishkëllejë: dje himnit të Sllovenisë, një vend mik i Kosovës, sot Granit Xhakës, më të mirit futbollist me origjinë shqiptare ndonjëherë në histori. Turp i madh!
Albian Hajdari, i lindur në Binningen të Zvicrës, dhe Leon Avdullahu, i lindur në Solothurn të Zvicrës, të dy të përgatitur si lojtarë në kuadër të infrastrukturës sportive zvicerane, vendosën të luajnë për Kosovën.
Askush në Zvicër nuk i quajti tradhtar. Vendim i tyre. E drejtë e tyre.
Granit Xhaka dha një vlerësim nga aspekti sportiv. Tha që ata do të mund të luanin edhe për Zvicrën po të kishin durim, por do t’u duheshin tri deri katër vite për të siguruar një vend të përhershëm në fushën e lojës të kombëtares zvicerane.
A është kjo arsye që t’i fishkëllehet Granit Xhakës 75 minuta? Jo, nuk është.
Natyrisht në tribunë vlejnë do “rregulla” të tjera dhe komunikimi nuk është i ngjashëm si në ndonjë klub anglez debati, por prapëseprapë këto britma Granit Xhaka as nuk i meriton, as nuk ua ka borxh.
Është i njëjti që i ka bërë krenarë miliona shqiptarë me karrierën e tij brilante si futbollist – dhe këtë e ka bërë sidomos falë Zvicrës.
Nëse ndokush që është rritur në Zvicër mendon se, pas vendimit të tij për të luajtur për Kosovën, bëhet patriot më i madh se të tjerët që luajnë për Zvicrën, atëherë kjo tregon infantilizëm edhe përtej fushës së futbollit.
Para 12 viteve, më 13 tetor 2013, kur Kosova s’ishte fare anëtare e UEFA dhe FIFA, në Luzern luajti Zvicra kundër Shqipërisë.
“Trimat” shqiptarë nga tribuna nuk patën ide më të mirë se sa të brohorisnin: “Valon magjupi”. Turp atëherë, turp sot kundër Granit Xhakës.
Ah, Granit Xhaka para ndeshjes tha edhe këtë: Kosova po luan në nivel shumë të mirë. Por këto fjalë meraklitë e fishkëllimave nuk i kanë dëgjuar, as lexuar, as kuptuar.



