Drejtoria e Përgjithshem e Burgjeve ka çelur tenderin për blerjen e uniformave të reja të policisë së institucioneve. Gara për tenderin me vlerë 926 milionë lek, ose 8 milionë euro është hapur këtë të hënë.
Shuma është e ndarë në dy lote, një për uniformat dhe tjetra për këpucët, që përbëjnë totalin prej 8 mln eurosh.
Por, sa është kostoja për një efektiv? Policia e Burgjeve numëron rreth 3 mijë efektivë. Nëse 8 milionë eurot pjestohen me 3 mijë, atëherë për veshjen e një polici burgjesh do të shpenzohen 2600 euro.
Kjo është shifra që do të shpenzojë Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve për të veshmbathur policinë e këtyre institucioneve, që veç veshjes kanë ngritur prej kohësh problematikën e mungesës së stafit dhe rrogave të ulta.
Vetëm pak javë më parë qeveria bëri prapakthehu dhe hoqi kriterin e moshës 35 vjeç për rekrutimin e gardianëve të burgjeve, kriter i vendosur vetëm në vitin 2019.
Aktualisht janë rreth 400 vende shtesë që kërkohen në radhët e kësaj policie, por për të cilat nuk ka interes prej rrogave të ulta, mungesës së bazë logjistike e materiale dhe për më tepër vështirësisë në punë.
Procedura në fjalë ngjason shumë me atë të uniformave të Policisë së Shtetit, për të cilin SPAK nisi hetimet. Kostoja e tenderit për uniformat blu ishte 24 milionë euro për katër vite. SPAK nisi hetimet në 2020 pas denoncimit jo vetëm të fryrjes së kostos, por edhe të shkurtimit me 200 mijë të sasisë së uniformave që duhet të dorëzonte kompania, pa shkurtuar fondin limit.
Dëmi që përllogaritet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga kjo është nga 500 deri në 1 miliard lek, nëse përfshihet këtu edhe cilësia e dobët e uniformave të prodhuara.