Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Kinë, ku policia ka ndërhyrë për të “arrestuar” një robot humanoid, pasi ky i fundit kishte frikësuar një grua të moshuar.
Sipas raportimeve te mediave, incidenti ndodhi kur një grua rreth 70 vjeç u përball papritur me robotin, i cili ndodhej pas saj. E trembur, ajo reagoi duke bërtitur dhe duke e goditur robotin me çantë, ndërsa momenti u bë viral në rrjetet sociale.
Pamjet tregojnë se më pas dy efektivë policie ndërhynë duke e shoqëruar robotin larg vendngjarjes. Autoritetet sqaruan se nuk pati përplasje fizike apo lëndime, ndërsa gruaja vendosi të mos ngrejë padi ndaj operatorit të robotit.
Ngjarja, që duket si një skenë nga filmat fantastiko-shkencorë, ka rikthyer diskutimet mbi përdorimin e robotëve në hapësirat publike dhe ndërveprimin e tyre me njerëzit.



