Nga Ergys Mërtiri
Që me mëngjes portalet u shqyen nga lajmet që tregonin një të ri në Astir, përplasur llahtarshëm nga një makinë në lëvizje, gjatë kalimit të rrugës duke kapërcyer trafikndarësen. Pamjet makabre, të bëra screenshoot në momentet më domethënëse të horrorit, shoqëroheshin me tituj “tundues” që ftonin publikun për të klikuar videon në një orgji nekrofilie falas: “Momenti kur makina hedh në ajër të riun”.
Pa dyshim, këtu nuk ka asnjë lajm. Ka vetëm spektakël dhune për të kënaqur nevojën perversive të publikut për sehir. Lajme të tilla nuk na ofrojnë kurrfarë informacioni, përveç kënaqjes së kurshtjes perverse, sesi makina godet dhe hedh në ajër kalimtarin, apo sesi kafka e tij përplaset mbi asfalt duke na ofruar skena horrori live. Tofjalëshi “hedh në ajër”, prëbën fjalët kyçe që marketojnë e vdekjen e tjetrit si produkt argëtimi.
Përtej shfaqjes, viktima është njeri konkret i cili meriton të trajtohet me dinjitet duke e mbajtur larg epshit të spektaklit të dhunës që provokon publikun për disa klikime më shumë. Përtej të gjithave, viktima ka familjarë e të afërm ndaj të cilëve kemi, të paktën, detyrimin minimal njerëzor t’ua kursejmë këtë zhgërryerje sehirxhinjsh me fatkeqësië e tjetrit. Kjo lloj antropofagie me kufoma tregon dehumanizimin e komunikimit mediatik të një shoqërie që ka humbur vlerat elementare.