Pas lirimit nga detyra me një firmë të pa dëgjuar më parë nga Stambolli të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, emërimi i Bajram Begajt në krye të Presidencës nuk ishte me lajm, por vetëm formalitet.
Në Kuvend ishin fillimisht 103 deputetë. Më pas u rrudhën (83) kur deputetët e Rithemelimit ngritën kartonët e kuq dhe braktisën sallen me pretekstin se Berisha nuk u lejua të fliste për procedurë.
Berisha doli i pari jashtë duke rreshtuar të vetët.
Sepse ashtu ishte PD-ja në votimin e së shtunës.
Secili i përçarë në më shumë se tre grupime.
Rithemelimi nuk mori pjesë në votim.
Berisha leshoi nje mori akuzash duke sulmuar për herë të parë edhe Ilir Metën se kishte shkelur Kushtetutën me dekrete “jashtë territorit”.
Sipas tij, mos pjesëmarrja në votim tregonte mbrojtje të Kushtetutës kundër ‘juntës ushtarake’.
Por paralelisht përmes një postimi nga shtëpia, Gazment Bardhi kishte kohë të ironizonte Berishën se ai nuk po bojkotonte por as nuk do të votonte.
Më herët (por nga oborri i Kuvendit) foli Grida Duma. Edhe ajo deputete më vete që nuk tregoi votën por tha se nuk e paragjykonte kandidaturën e Bajram Begajt. Duma më vonë nuk mori pjesë në votim.
Më pas mbërriti Ervin Salianji. Edhe ai, më shumë i pakënaqur me të vetët sesa për mënyrën se si kishte luajtur mazhoranca, kur shpotiti Alibeajn se kishte qenë naiv në proces apo kur opozita duhet të ishte e bashkuar me një qëndrim.
Salianji tha se do të merrte pjesë në Kuvend por jo në votim duke e konsideruar bojkotin një eksperiencë të keqe për opozitën.
Agron Gjekmarkaj ishte gjithashtu në sallë si ‘elektron i lirë’, por nuk votoi.
Diku më tej një tjetër grupim i mbledhur bashkë, aleatët e PD-së.
Mediu foli në emër të Vangjel Dules, Agron Dukës e Dashamir Shehit.
Kryerepublikani tha se nuk kishte vërejtje për kandidaturën, por ishte kundër procesit ‘të njëanshëm’.
Mediu tha se aleatët në bllok nuk do të merrnin pjesë në votim. Te pakten ata qe kishte mbledhur Mediu.
Sepse mungoi zëri i një tjetër aleati PDIU-së Shpëtim Idrizi që bashkë me Mesila Dodën dhe deputetin tjetër Nusret Abdullai ishin në sallë dhe votuan. Ata nuk deklaruan votën paraprakisht.
Nga votat e tyre me gjasë rezultoi një pro, një kundër dhe një abstenim për Presidentin e Republikës.
Kjo sepse një tjetër aleate e PD, Monika Kryemadhi tha se votat e LSI-së do të ishin kundër.
As ajo nuk e paragjykonte kandidaturën e Bajram Begajt por nuk legjitimoi procesin e ndjekur nga PS.
Për t’i vënë kapakun ishte grupi i Enkelejd Alibeajt.
Një ditë më parë përcollën përmes një njoftimi në Facebook se emërimi i tij përfaqësonte mafien e pronave.
24 orë më pas ndryshim qëndrimi. Dashnor Sula një prej deputetëve të rreshtuar me Alibeajn përcolli një deklaratë të gjatë në Facebook se sa i nderuar ishte figura e Presidentit të ardhshëm porse fajin e kishte procesi i ndjekur nga Rama.
Edhe Oriola Pampuri i la rezervat e një ditë më parë për Bajram Begajn duke dhënë një qëndrim të përzier (në emër të grupit) diku vendim për mafie pronash e diku prishje konsensusi nga Rama.
E vetmja pikë që e bashkoi opozitën ishte fakti se Rama kishte ndjekur një proces të njëanshëm dhe farsë.
Për të tjerat, gjithçka linte për të dëshiruar, ku protagonist nuk ishte Presidenti i sapozgjedhur, por opozita, e cila edhe pse e u katandis me vetëm gjashtë deputetë në votim, rezultoi e ndarë edhe aty…
Një votë e tyre shkoi për Presidentin e ri. Ndërsa një tjetër abstenoi.