15.5 C
Tirana
E premte, 13 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Poza një-dy-tre… dhe populli në sfond

    Nga Ilir Demalia

    Poza një-dy-tre… dhe populi në sfond

    Një-dy-tre… buzëqesh!

    Pak anash, pak më afër flamurit, pak më shumë dritë në fytyrë. Mos harro kapjen nga krahu. Sa më fort ta shtrëngosh diplomatin e huaj, aq më shumë duket sikur të ka zgjedhur historia vetë.

    Çfarë parade. Çfarë ekspozite fytyrash që shiten si “arritje”. Fotot e tyre janë si ato tek “dritat e kuqe” në Amsterdam që rrinë duke pozuar pas xhamave: qëndrojnë në pritje, të rreshtuar, të gatshëm për t’u përzgjedhur nga i pari që troket. Vetëm se këtu nuk shitet trup – shitet iluzion. Shitet “peshë ndërkombëtare”. Shitet “respekt global”. Shitet një buzëqeshje që zgjat sa shkrepja e aparatit.

    Kam shkruar edhe më parë për këtë epidemi fotografike. Për këtë mani kapjeje krahu, për këtë etje për selfie diplomatike. Takim formal? Foto. Kalim korridori? Foto. Shtrëngim duarsh dysekondësh? Foto. Ngritje gotash me lëng portokalli në një pritje ambasade? Foto, patjetër foto.

    Sikur politika të ishte studio mode. Sikur diplomacia të ishte sfond për Instagram. Sikur serioziteti të matej me numrin e buzëqeshjeve të ngrira përpara flamujve të tjerë.

    Këta më kujtojnë provincialët e dikurshëm që vinin me autobusë ekskursion në Tiranë. Zbrisnin me sandale plastike dhe me çantë me bukë me vete, dhe bënin foto tek lulishtja e Skënderbeut. Një herë para monumentit të Stalinit, kur nuk ishte Skënderbeu. Më pas para shtatores së Enver Hoxhës në fund të viteve ’80, me të njëjtin entuziazëm fotografik. Monumenti ndryshonte. Poza mbetej. Kompleksi mbetej.

    Sot monumenti është diplomati i huaj.

    Sot shtatorja është ministri evropian.

    Sot sheshi është korridori i një samiti.

    Po provinciali? Provincializmi? Ai jo vetëm që nuk ka vdekur – ka hyrë në zyrë. Ka marrë mandat. Ka marrë eskortë. Ka marrë llogari zyrtare në rrjete sociale.

    I ke në parlament, në administratë, në parti – nga hurdha, nga qepa – me të njëjtin mall për t’u dukur. Mendojnë se po mahnisin qytetarët si magjistarë të lundrimeve të mëdha që u tregonin pasqyra indianëve të Amerikës. Shikoni, thonë, si na buzëqesh bota! Shikoni si na pret! Shikoni si na fton në tryezë!

    Por tryeza nuk është e jotja vetëm pse të lanë të ulesh për foto.

    Është një lloj kar-navalizmi grotesk. Një paradë e pafundme buzëqeshjesh plastike. Një teatër ku rolet janë të vegjël, por vetëpërceptimi është madhështor. Çdo foto shoqërohet me përshkrime bombastike: “Takim i frytshëm”. “Bisedë e thellë”. “Mbështetje e pakursyer”. Fjala “historike” përdoret më shpesh se buka.

    Ndërkohë, realiteti rri si figurant i heshtur në sfond. Pa filtrin e kamerës. Pa dritë të rregulluar. Pa buzëqeshje.

    Dhe kjo është ajo që e bën gjithë këtë shfaqje të neveritshme. Sepse fotografia nuk është më kujtim. Është zëvendësim i përmbajtjes. Është fasadë që zë vendin e punës. Është reklamë bosh për një produkt që nuk ekziston.

    Sa më shumë foto, aq më pak thelb.

    Sa më shumë kapje krahu, aq më pak shtyllë kurrizore.

    Sa më shumë selfie, aq më pak seriozitet.

    Dhe ne duhet të duartrokasim? Të mahnitemi? Të ndihemi të përfaqësuar nga këta turistë të përhershëm të korridoreve ndërkombëtare?

    Kur mendon në dorë të kujt ndodhen shqiptarët, buzëqeshja ngrin. Sepse kupton që nuk kemi përfaqësues – kemi putana politike. Nuk kemi diplomaci – kemi fotoalbum. Nuk kemi strategji – kemi poza.

    Një-dy-tre… buzëqesh!

    Dhe ndërkohë, kombi pret që dikush të bëjë diçka më shumë se sa të dalë në foto duke na e shitur si vlerë. Janë pikërisht ky soj që kanë sjell Shqipërinë në këtë gjëndje. Në vend që fotot e tyre të jenë në zyrat e policisë për vjedhjet, korrupsionin, vrasjet demëmet dhe gjëmat që i kanë bërë këtij vëndi tash 35 vjet dhe vazhdojnë, këta na shiten prap si vlerë dhe shpëtimtarë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit