Zbulohen prapaskenat e përjashtimit të deputetëve Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Vendimi i “grupit Alibeaj”, për përjashtimin e deputetëve që mbështesin Berishën, erdhi për shkak të një nisme të ndërmarrë nga deputeti Ervin Salianji për marrjen e drejtimit të grupit parlamentar të PD-së.
Salianji kishte mbledhur votat e nevojshme që të zëvendësonte Alibeaj në postin e kryetarit të grupit.
Me përjashtimet e bëra, Alibeaj mundi të siguronte “karrigen e tij”.
“Dukej në sipërfaqe apo në opinion publik se kishte një qetësi në PD, të paktën gjatë dy javëve të fundit të dhjetorit dhe gjatë kësaj jave të parë të janarit, por brenda kësaj qetësie grupi parlamentar ziente. Prej disa javësh deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji kishte ndërmarrë një nismë për të mbledhur firma të deputetëve anëtarë të grupit parlamentar demokratë, për tu kërkuar mbështetjen që ai të marrë drejtimin e grupit parlamentar.
Zoti Alibeaj i parapriu shkarkimit dhe u ndje i rrezikuar. Vendimi i djeshëm është një tentativë për të ruajtur karigen e grupit parlamentar.
Me firmat që zoti Salianji ka mbledhur deri ditën e djeshme, së bashku me deputetët e përjashtuar, ai kapërcente shumicën e nevojshme dhe ditën e hënë kur të zyrtarizohej ky ndryshim do të ishte ai kreu i ri i grupit dhe jo zoi Alibeaj.
Masa e djeshme i ka prerë rrugë këtij ndryshimi, por jo plotësisht, pasi në dijeninë time edhe pas këtyre 4 përjashtimeve zoti Salianji ka ende shanse të ketë shumicën në grupin parlamentar, të cilën do ta tentojë sërish”.