Gëzimi, një shqiptari i cili prej vitesh jeton dhe punon në shtetin fqinj, Itali, është duke u përballur me një sëmundje të rëndë e quajtur skleroza laterale amiotrofike.
Si pasojë ai prej kohësh po qëndron i shtruar në Qendrën Klinike NeMo në Trento duke u përballur me sëmundjen e rëndë, por edhe të rrallë.
E në këto ditë të vështira për Gëzimin, kanë qenë kolegët e tij, me të cilët prej vite me radhë ka punuar në fabrikën e drurit, të cilët kanë ndërmarrë një nismë të veçantë.
Ata kanë vendosur që t’i dhurojnë shqiptarit të gjitha ditët e tyre të pushimit, përfshirë edhe lejet e mbledhura nga orët shtesë të punës.
Nga krevati i spitalit, me mirënjohje të thellë Gëzimi nuk ka qëndruar pa falenderuar të gjithë kolegët e tij, të cilët nuk e lanë vetëm në këtë moment të vështirë.
Lidhur me këtë gjest ka reaguar edhe Shoqata Italiane e Sklerozës Laterale Amiotrofike, e cila përmes një reagimi u shprehu mirënjohje kolegëve të shqiptarit.