Sistemi bankar shqiptar sot është fosilizuar nga fakti që qytetarët nuk kanë alternativa për pagesat pasi sistemi rregullator i vendit favorizon bankat dhe jo klientët. Dhe kjo ka sjellë që bankave të mos ua ndjejë për cilësi shërbimi. Problemi dukshëm nuk qëndron te bankat por te rregullatori, që në rastin konkret është shteti, i përfaqësuar nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo institucione të tjera përgjegjëse për pagesat.
Nga Gjergj Erebara
Kryeministri Edi Rama u ankua së fundmi ndaj bankave, pasi këto të fundit, gjithnjë e më shumë, po bëhen simbol i radhëve të gjata. Sipas Ramës, “bankat nuk janë gjëkundi me shërbimet online”. Ky gjykim duket jo shumë i mbështetur në fakte. Bankat kanë qenë pararojë të shërbimeve online në Shqipëri me shërbimet e para të kësaj natyre të ofruara që nga fillimi i viteve 2000. Problemi me bankat duket se qëndron gjetkë: ai qëndron te fakti që bankat kanë sot biznes të sigurt nga detyrime të ndryshme që qytetarët kanë për t’i përdorur shërbimet e tyre, pavarësisht nëse u pëlqen t’i përdorin apo jo. Me pak fjalë, bankat gëzojnë biznes të sigurt dhe njëkohësisht, përmes disa teknikave të njohura si “kufizim horizontal i konkurrencës”, janë në gjendje të përcaktojnë çmime predatore dhe kushte predatore për shërbimet që japin. Situata nuk është e panjohur, ajo është hetuar disa herë nga Autoriteti i Konkurrencës, por ky institucion ka rezultuar ose i paaftë, ose i pafuqishëm për të bërë punën e vet.
Problemi nuk është vetëm te radhët që qytetarët duhet të mbajnë për shërbime bankare dhe as ngushtësisht i lidhur me kostot në rritje të këtyre shërbimeve. Fakti është që, bankat, – duke qenë në gjendje të sigurojnë të ardhura të majme nga komisione për shërbime që qytetarët detyrimisht do të duhet t’i marrin, si dhe të ardhura akoma më të majme nga interesat e borxhit publik ku ato dominojnë falë fuqisë ekonomike dhe asimetrisë së informacionit dhe disa kufizimeve administrative, – kanë mundësinë t’i lejojnë vetes të mos rrezikojnë duke dhënë kredi por të bëjnë qejf me të ardhura të sigurta dhe pa rrezik. Kjo natyrisht që përbën problem për ekonominë kombëtare. Paratë që duhej të investoheshin përmes kreditimit bankar në aktivitete fitimprurëse dhe që hapin vende pune në sektorin privat, në fakt përfundojnë për të financuar borxhin publik, duke bllokuar efektivisht zhvillimin ekonomik të vendit, ose duke e ngadalësuar atë.
Zgjidhja për këto dy probleme nuk është aq e vështirë: sistemi rregullator, (Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Konkurrencës), duhet të imponojë funksionimin e konkurrencës në tregun e shërbimeve bankare ndërsa qeveria, si pronare e borxhit publik, duhet të ulë borxhin publik dhe të reklamojë tërheqjen e investitorëve të rinj në këtë treg, me qëllim që dominimi i bankave në të, të pakësohet.
Në çdo rast, problemi nuk qëndron te bankat sepse ato janë biznese private dhe nga biznesi privat nuk mund të presësh ndjeshmëri sociale dhe as largpamësi në lidhje me zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit. Këto dy gjëra, ndjeshmërinë sociale dhe largpamësinë, duhet ta presësh nga autoriteti publik.
Një përdoruesi të shërbimeve bankare vështirë se do t’i ketë shpëtuar të vërejë se si, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, cilësia e shërbimeve bankare ka rënë ndërsa kostot e shërbimeve bankare janë rritur. Rënia e cilësisë mund të vërehet te rradhët e gjata që duhet të presësh për veprimin më të thjeshtë si dhe, nëse vëren më me vëmendje, kohën tejet të gjatë që një punonjësi shërbimi në banka të ndryshme, i nevojitet për të bërë veprimin më të thjeshtë, si, fjala vjen, të numërojë 20 kartëmonedha apo të printojë një dokument. Por për këtë nuk mund të ketë matje të saktë, ky është thjeshtë një konkluzion disi abuziv. Ajo që mund të matet më saktë është kostoja e shërbimeve bankare, të matura këto nga pasqyrat financiare të vetë bankave. Po flas për të ardhurat që bankat kanë nga komisionet bankare, të tilla si komisionet për pagesat e taksave apo komisionet e “mirëmbajtjes” së llogarive bankare, veçanërisht, llogarive që qytetarët janë të detyruar të hapin për të marrë pagën.
Situata ishte krejt e kundërta pesëmbëdhjetë vite më parë. Cilësia e shërbimit ishte e lartë, rradhët ishin të pakta dhe komisionet bankare ishin absolutisht shumë më të ulëta se sa sot.
Ngadalësia e punës nga punonjësit e bankave ka gjasa që lidhet me statusin e tyre si prekariat. Bankat janë institucione me pabarazi të mëdha në të ardhura dhe lista e pagave e rrjedhur më nëmyrë famëkeqe disa muaj më parë, tregon se si sportelistët nëpër banka marrin paga fare pranë pagës minimale zyrtare ndërsa drejtorët e tyre i kanë rrogat dhjetëfish e njëzetfish më të larta.
Fitime të sigurta
Dy gjëra duket se e ndryshuan situatën për keq përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit: 1. Vendimi i Bankës së Shqipërisë rreth vitit 2005 për të mbyllur sportelin e hapur për blerjen e titujve të borxhit publik, vendim që bëri që bankat të rifitojnë një kontroll mbi tregun e borxhit publik dhe, më e rëndësishmja, mbi informacionin që u jepet investitorëve potencialë për mundësinë në investimin në borxh publik. 2. Vendimi i Ministrisë së Financave në vitin 2007 për të detyruar të gjitha bizneset që të paguajnë rrogat e punëtorëve në banka.
Sot tregu i borxhit publik të brendshëm është 702 miliardë lekë, të cilat prodhojnë 36 miliardë lekë interesa. Vetëm 10% e këtij borxhi mbahet nga individët ndërsa 90% mbahet nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.
Përgjatë vitit 2020, të ardhurat e bankave ishin rreth 98 miliardë lekë gjithsej ndërsa të dhënat e borxhit publik sugjerojnë se një e treta e të gjitha këtyre të ardhurave, sigurohen nga borxhi publik. Me kaq shumë fitime me rrezik zero, ku roli i bankës qëndron thjeshtë te marrja e depozitave të klientëve dhe blerja me këto depozita, të borxhit publik, ndërsa avantazhi konkurrues i bankës qëndron te injoranca e shumicës dërrmuese të depozituesve për ekzistencën e borxhit publik si mundësi investimi, nuk është çudi që bankave të mos ua ndjejë për cilësi shërbimi.
Por është fenomeni tjetër, ai që nisi me vendimin për të detyruar punëmarrësit të hapin llogari bankare si dhe prirjes së institucioneve publike që, nën lobimin e bankave, të detyrojnë qytetarët të përdorin bankat edhe për pagesat më të vogla, ai që ka krijuar më së shumti këtë historinë e rradhave.
Historia e shkurtër është pak a shumë kështu: në vitin 2004, Bankës së Shqipërisë i shkoi ndër mend që të pajisë punonjësit e vet me shërbime bankare, pra që pagën të mos e merrnin te zyra e financës, por te një bankë. Ishte një ide e mirë. Sot është absurde të mendosh se një punonjës i një banke qendrore, nuk ka llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë, por gjërat në atë kohë, ashtu ishin. BSH përzgjodhi bankën ku do të transferonte pagat e punonjësve përmes një konkursi, një beauty contest, në të cilin, bankat konkurruan me njëra-tjetrën për të ofruar kushtet më të mira të mundshme. Banka fituese ofroi zero komision për llogaritë bankare dhe lehtësi të tjera. Kjo ishte një mënyrë e mirë, por jo tamam siç duhet, në zgjidhjen e problemit. Logjika ta do që ai që bën zgjedhjen se ku e merr shërbimin bankar, duhet të jetë klienti, pra punëmarrësi dhe jo punëdhënësi. Dhe logjika ta do që punëmarrësi, jo vetëm që duhet të ketë të drejtë të zgjedhë bankën ku merr rrogën, por duhet të ketë të drejtë edhe ta ndryshojë bankën, nëse ajo nuk i pëlqen.
Në vitet që pasuan, institucionet e ndryshme publike ndoqën nismën e BSH-së, duke transferuar punëmarrësit në banka dhe duke i dhënë në proces e sipër, bankave, klientë qyl. I ashtuquajturi beauty contest jo vetëm që nuk u përsërit, por u zëvendësua me kapitalizëm të llojit far west bankar. Drejtorë degësh bankash, të cilët, kanë gjithësecili kuotat e veta për të plotësuar, në bazë të së cilave, varen kompensimet financiare, filluan të pazarohen me lloj-lloj drejtorësh institucionesh publike. Dhe duke qenë se gjetja e klientit nuk varej më nga bindja e klientit potencial për cilësinë dhe çmimin e shërbimeve të ofruara, por nga humori i këtij apo atij drejtori a drejtoreje a ministri a ministreje, natyrisht që marrja e pagave në bankë filloi të shoqërohej me komisione bankare. Komisioni bankar mujor tip prej 150 lekësh në fakt nuk është shtrenjtë për përdoruesin por për bankën, qindramijëra komisione të tilla çdo, nuk janë më të qelbura.
Në vitin 2007, Ministria e Financave, në emër të luftës kundër evazionit fiskal, urdhëroi biznesin privat të transferojë pagat në banka. Sërish, nuk ka asgjë të keqe që punëmarrësi të ketë një llogari bankare, madje është gjë e mirë. Por edhe në këtë rast, nuk ishte klienti, pra punëmarrësi, ai që zgjidhte bankën por ishte punëdhënësi.
Ky lloj far west-i degjeneroi deri në banalitet. Ishte një kohë kur bankat lobonin pranë zyrtarëve të qeverisë me qëllim që pagesa të tilla si ndihma ekonomike, të mos shpërndahej më nëpër zyrat e postës apo nëpër zyrat e njësive të pushtetit vendor, por edhe më të varfrit e më të varfërve të detyroheheshin të shkonin nëpër banka. Në një rast, për këtë kategori, një bankë ofroi komision promocional prej 50 lekësh në muaj. Ky komision për një varfanjak që në atë kohë merrte ndihmë ekonomike prej 2 mijë lekësh në muaj, natyrisht që ishte e barabartë me një bukë, por ama për bankën, mijëra komisione të tilla 50 lekëshe nuk ishin pak. Akoma më tutje, për pagesa të vogla, të tilla si tarifa regjistrimi nëpër shkolla e kopshte, komisionet e pagesave filluan të ishin më të larta se sa vetë pagesat.
Bankat, me qëllim që të çimentonin kontrollin e tyre mbi klientin dhe të mbronin veten nga konkurrenca, përdorën disa mekanizma që njihen si “kufizimet horizontale” të konkurrencës. Konkretisht, transfertat brenda një banke kanë në përgjithësi kosto zero, ndërsa transfertat jashtë banke kanë kosto dyzet herë më të lartë se sa kostoja që Banka e Shqipërisë ka pas zbatuar për klerimin e pagesave. Dhe ka banka që për transferimin brenda llogarive të të njëjtit klient, mbajnë komision ndërsa për transferimin brenda bankës, nuk mbajnë. Qytetari, kur gjen një vend pune, automatikisht duhet të pranojë shërbimet e bankës ku mban llogaritë punëdhënësi. Prej këtu lindin dhjetëra të tjera “kufizime horizontale” të konkurrencës. Kur një qytetar paguan me kartë bankare të lëshuar nga një bankë shqiptare në monedhë të huaj, kursi i këmbimit i mbajtur nga banka, është zhvatës.
Gjatë vitit të kaluar, bankat fituan rreth 7.9 miliardë lekë nga komisionet bankare, fitime këto që janë rritur gjatë viteve të fundit, duke filluar nga niveli thuajse zero në epokën para se drejtorët e shtetit dhe bizneset private të zgjidhnin bankën që punëmarrësit e tyre do të duhej të merrnin shërbime.
Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës vërejti se komisionet për shërbimet kryesore bankare janë thuajse identike në të gjithë tregun, një tregues ky i konkurrencës së ulët në këtë segment të shërbimeve. Por Autoriteti pranoi shpjegimet e bankave dhe mbylli hetimin pa ndonjë masë konkrete, hera e dytë që ky institucion zbythet para fuqisë së bankave.
Gjatë viteve të fundit, pasi fuqia e klientit për të zgjedhur bankën u eliminua, bankat kanë preferuar që ta përzënë klientin nga sporteli. Sportelet kushtojnë, pagat e sportelistëve, sado pranë pagës minimale, kur mblidhen bashkë, bëhen shumë kështu që bankat kanë zgjedhur të transferojnë me detyrim qytetarët online ose në bankomate. Sërish, përdorimi i bankingut online nuk është keq dhe përkundrazi, lehtëson shumë punë, si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorin. Por bankingu online logjikisht duhet të kushtojë më lirë, me komisione më të ulëta se sa bankingu fizik. E pra kjo nuk ndodh sepse konkurrenca është e kufizuar. Dhe njerëzit, të trembur nga arbitrariteti i autoritetit shtetëror, (për të cilin Rama ka kontributin e vet me shpronësimet arbitrare dhe shkatërrimet e pronave), nuk beson te dokumentet elektronike dhe shkon me këmbëngulje te sportelet e bankës, jo për të marrë shërbimin, por për të marrë vulën. Pagesat e TVSH-së më datë 14 dhe të sigurimeve më datë 20 mund të bëhen online në shumicën dërrmuese të bankave sot, por ka shumë që mbajnë rradhë sepse nuk janë të sigurt pa pasur dokumentin fizik. Dhe pastaj, shumë qytetarë që kanë veprime për të bërë në më shumë se një monedhë, nuk mundet që t’i bëjnë online sepse kjo nënkupton pranimin e një marzhi zhvatës nga bankat në kurs këmbimi, shpesh 3 apo 5 për qind mbi shumën e këmbyer, dhe për këtë arsye, detyrohen të shkojnë në bankë, të tërheqin paratë në valutë, të shkojnë te një zyrë këmbimi valutor normal ku këmbimi valutor kushton 0.2 apo 0.3 për qind, dhe pastaj të kthehen në bankë për të depozituar në lekë, në mënyrë që të bëjnë, fjala vjen, pagesën e sigurimeve shoqërore online. Shumë biznese që punojnë me më shumë se një monedhë, përdorin për kurs këmbimi kursin mesatar fiks të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa si rregull, gjigandët ndërkombëtarë të pagesave, si Visa dhe Mastercard, mbajnë kurse këmbimi në marzhe 0.2 për qind nga kursi mesatar. Por bankat shqiptare, të cilat janë edhe më të pozicionuarat për të ofruar lehtësi të kësaj natyre, zgjedhin të mbajnë marzhe zhvatëse. Sërish, përfitimi i bankave varet nga ai fenomeni jo shumë i njohur i asimetrisë së informacionit, studiuar nga Joseph Stiglitz, që thotë se shumë klientë nuk kanë dijeni se në treg nga oferta më të mira. Ndërsa nga ana tjetër, ka raste kur qytetarët pranojnë këto kurse zhvatëse për shkak se kryejnë shkëmbime në vlerë të vogël, për të cilat nuk ia vlen të shkojnë në bankë, të bëjnë tërheqje, të shkojnë në agjenci këmbimi valutor dhe të kthehen në bankë.
Ka aktualisht banka që nuk kanë rradhë. Por qytetarët e kanë shumë të vështirë që të zhvendosen nga bankat me rradhë te ato pa rradhë për shkak të këtyre kufizimeve në konkurrencë të përshkruara më lartë.
Të gjitha këto probleme vështirë se zgjidhen duke sharë bankat, këto institucione shumë të vlefshme për të studiuar kapitalizmin e xhunglës, dhe as duke sugjeruar, në mënyrë të pavërtetë, se ato “nuk janë asgjëkundi me shërbimet online”. Këto probleme zgjidhen me ndërhyrje rregullatore. BSH mund të detyrojë bankat që të mos diskriminojnë në komisione transfertash brenda dhe jashtë bankave, me qëllim që një qytetar të ketë të drejtë të zgjedhë bankën ku merr rrogën, ndërsa punëdhënësi i tij të mos ketë komisione shtesë për ta transferuar rrogën nga banka e tij te banka e punëmarrësit. Apo mundet që marzhet e kursit të këmbimit të mbikëqyren më nga afër për të parë nëse janë apo jo predatore. BSH duhet gjithashtu që të lexojë mirë e mirë udhëzimet e Bashkimit Evropian për konkurrencën dhe të analizojë me vëmendje të gjitha rastet kur bankat vendosin kushte kufizuese në shërbimet bankare, të tilla si komisione për mbylljen e kredisë apo komisione për mbylljen e llogarisë, sepse këto lloj kufizimesh janë të ndaluara nga rregullat e konkurrencës pasi kufizojnë aftësinë e klientit për të ndryshuar bankë për ato që BE i quan “shërbime të vazhduara”.
Qeveria duhet që të ulë borxhin publik në mënyrë që bankat të kenë më pak fitime duke vegjetuar ndërsa duhet gjithashtu t’u reklamojë shqiptarëve më mirë mundësinë për të investuar në borxh publik drejtpërsëdrejti, me qëllim që tregu i borxhit të ketë më shumë investitorë dhe bankat, më shumë konkurrencë. Dhe Ministria e Financave apo Banka e Shqipërisë duhet të hapë një zyrë për treg sekondar të titujve të borxhit, në mënyrë që bankat të mos kenë oligopol në tregtimin e titujve para maturimit.
Këto dhe zgjidhje të tjera nuk janë të vështira, por kërkojnë diçka që qeveria nuk e ka: administratë publike profesionale dhe jo të mbushur me militantë partie, të cilët kanë interesa të tjera në jetë.