Klodjan Braho është zgjedhur këtë të enjte drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke marrë zyrtarisht drejtimin e institucionit më të rëndësishëm në vend për luftën ndaj korrupsionit në nivelet më të larta dhe grupeve të strukturuara kriminale.
Zgjedhja e tij vjen pas një procesi kandidimi ku ai u paraqit i pari për postin dhe siguroi mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke marrë mandatin për të udhëhequr strukturën më të besuar të drejtësisë së re.
Rrugëtimi profesional i Klodjan Brahos në sistemin e drejtësisë nisi më 14 nëntor 2007, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe diplomimit në Shkollën e Magjistraturës. Vendin e parë të punës e mori në Prokurorinë e Beratit, ku shërbeu deri në vitin 2012. Gjatë viteve të para të punës së tij ai u shqua për angazhimin e tij në hetimin çështjeve kriminale, gjë e cila i dha një bazë të fortë për lëvizjet e mëvonshme.
Në vitin 2012, ai u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku shërbeu deri në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, Braho mbajti edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të prokurorisë, duke nisur të njihej si një prokuror i aftë në menaxhimin e dosjeve voluminoze dhe të natyrës së veçantë.
Viti 2015 ishte vendimtar pasi ai u bë pjesë e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, strukturë që në atë kohë trajtonte çështjet më delikate. Me firmën e Adriatik Llallës, kryeprokurorit të atëhershëm, Braho u soll në Tiranë. Asokohe ai u angazhua në hetime të nivelit të lartë, përfshirë çështje që lidhnin zyrtarë dhe rrjetet kriminale të organizuara.
Me shpërbërjen e Krimeve të Rënda dhe krijimin e SPAK, më 19 dhjetor 2019, Klodjan Braho u emërua prokuror i posaçëm. Më herët, në korrik të vitit të njëjtë, ai ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim që i hapi rrugën përfshirjes së tij në strukturën e re të reformës në drejtësi.
Në SPAK ai mori një rol aktiv në seksionin e korrupsionit dhe u njoh për angazhimin e tij në dosje që preknin administratën publike, pushtetin vendor dhe çështje të krimit ekonomik.
Ndër dosjet më të njohura që ai ka ndjekur renditet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, një çështje që pati jehonë të madhe dhe përfundoi me dënim të formës së prerë ndaj Llallës, duke qenë se ky i fundit ishte dhe ai që e “lëvizi” Brahon.
Braho, tashmë si prokuror i SPAK, ishte ndër drejtuesit e hetimeve që çuan Llallën drejt një dënimi të formës së prerë prej dy vitesh burg për fshehje pasurie, si dhe drejt sekuestrimit e konfiskimit të pasurisë së tij. Kjo çështje provokoi largimin e Llallës nga vendi dhe marrjen e azilit politik në Itali, ndërsa Braho, në cilësinë e prokurorit të dosjes, i dërgoi autoriteteve italiane letërporosi për ekstradimin e tij
Në mars 2023, ai dha dorëheqje nga një pjesë e hetimit në dosjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga subjekte të përfshira, duke kërkuar të shmangte çdo perceptim të mungesës së transparencës. Ky vendim u ndoq me interes nga opinioni publik, duke e vendosur sërish Brahon në qendër të vëmendjes.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën e Klodjan Brahos lidhet me kohën kur ai dhe Aurel Zarka shiheshin si “dyshja e artë” e prokurorisë së Vlorës. Të rinj, ambiciozë dhe aktivë në dosje të ndjeshme, ata hetuan së bashku kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për “shpërdorim detyre”, një çështje që më pas ndikoi në rënien e tij nga drejtimi i bashkisë. Por rrugët e dy miqve të dikurshëm morën kahje diametralisht të kundërta. Më 24 korrik 2024, ishte pikërisht Klodian Braho që firmosi për arrestimin e Aurel Zarkës.
Ndër dosjet që i dhanë Brahos një profil më të lartë publik, mund të veçohet edhe hetimi ndaj drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në atë të ashtuquajturën skema “5D”. Me firmë të Brahos u lëshuan masa arresti me burg për Redi Mollën, ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime, Taulant Tushën, ish drejtor i Punëve Publike, dhe Mariglen Qaton, ish drejtor i IMT.
Ndërkohë që një tjetër çështje e rëndësishme është dhe ajo e Inceneratorit të Elbasanit, një aferë prej 22 milionë eurosh që për vite me radhë është konsideruar si shembull tipik i korrupsionit qeveritar.
Në këtë dosje, Klodjan Braho punoi në bashkëpunim me Arben Krajën. Hetimet përfunduan me dërgimin përpara drejtësisë të ish-ministrit Lefter Koka dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në ministri dhe në kompani private. Çështja u mbyll me dënimin e Kokës me 5 vite e 8 muaj burg dhe me sekuestrimin e një pjese të pasurisë së tij, ndërsa u dhanë gjithashtu dënime për Alqi Bllakon, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.
Në vitin 2022, Braho u përfshi për herë të parë në garën për drejtimin e SPAK, por procesi i atëhershëm përfundoi pa kandidaturën e tij, pasi ai u tërhoq për arsye që nuk u bënë publike. Ndërkohë që këtë vit vendosi që të kandidonte sërish dhe duke marrë kështu dhe besimin e shtatë prej anëtarëve të KLP-së.
Zgjedhja e Klodjan Brahos si kreu i ri i SPAK vjen në një moment kyç për institucionin dhe për gjithë procesin e reformës në drejtësi. Me dosje të shumta në hetim, me pritshmëri të larta publike dhe me një klimë politike të nxehtë, mandati i tij pritet të jetë ndër më të vështirët, por edhe ndër më përcaktuesit.



