15.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    PROFILI/ Nga komedian në “shënjestrën” numër 1 të Putin. Kush është presidenti ukrainas Zelensky?

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dikur një komedian pa eksperiencë në fushën e politikës, sot 3 vite pas zgjedhjes së tij po dëshmon se është një udhëheqës i denjë lufte. I diplomuar për Drejtësi në Universitetin Ekonomik Kombëtar të Kievit, ai shpejt u gjend përballë një profesioni të ri në fushën e aktrimit dhe komedisë, duke arritur që në vitet 2010 të bëhej një “yll televiziv” në Ukrainë, me serialin “Servant of the People” (Shërbëtori i popullit).

    Zelensky komedian?

    Në këtë serial, ai luan rolin e një mësuesi të shkollës së mesme, që ishte lodhur me politikanët e korruptuar dhe që bëhet aksidentalisht president. Ironia e fatit, nëse do ta quajmë kështu, është se vetëm pak vite pas bujës së këtij seriali, Zelensky u zgjodh me të vërtetë president i Ukrainës.

    Ashtu si edhe personazhi që ai interpretonte, presidenti Zelensky erdhi në detyrë me një fitore dërrmuese në zgjedhje ndaj një biznesmeni miliarder. Ai i premtoi popullit ukrainas se do të eliminonte pushtetin e oligarkëve të korruptuar, që kontrollonin Ukrainën që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

    Po pas aktrimit?

    Ardhja e Zelensky në skenën politike ishte një rast i artit që imitonte jetën. Kandidimi i tij në zgjedhjet presidenciale të 2019 fillimisht u pa nga disa si shaka. Partia e tij u quajt po njësoj si seriali, “Shërbëtori i Popullit”. Zelensky kishte gëzuar mbështetjen e oligarkut Ihor Kolomoisky gjatë fushatës së tij presidenciale, duke bërë që shumë njerëz të frikësoheshin se ai do të rezultonte të ishte një lider kukull, i kontrolluar nga një njeri që është nën hetim në SHBA për mashtrim dhe pastrim parash. Ai në fakt kishte dëshmuar se ishte më i pavarur nga sa mendonin skeptikët, duke refuzuar të lejonte riprivatizimin e PrivatBank, e cila ishte në pronësi të Kolomoisky përpara se të shtetëzohej.

    Gjithashtu Zelensky u përfshi në politikën e SHBA-së pasi u pretendua se Trump u përpoq ta detyronte atë të hetonte rivalin demokrat Joe Biden mbi marrëveshjet e biznesit në Ukrainë. Presidenti Zelensky refuzoi të kritikonte telefonatën e zotit Trump, duke thënë se nuk donte të përfshihej në politikën e një vendi tjetër. Ukraina me zgjedhjen e zotit Zelensky në vitin 2019, u bë i vetmi vend përveç Izraelit me një president dhe kryeministër hebre.

    Si nisi konflikti me Putin?

    Zelensky bëri fushatë elektorale me premtimin se mund të negocionte paqen me Rusinë, e cila kishte aneksuar Krimenë nga Ukraina dhe u dha formë dy rajoneve separatiste pro-ruse në vitin 2014, duke shkaktuar një konflikt të ngrirë që mendohet se mori jetët e mbi 14 mijë personave. Edhe pse u realizua një shkëmbim të burgosurish, këmbëngulja e Putin që Ukraina t’i largohej Perëndimit u bë edhe më intensive. Zelensky më tej, këmbënguli në shtytjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe aleancën ushtarake të NATO-s, një veprim që ishte i detyruar të zemëronte presidentin rus. Ai gjithashtu kundërshtoi paralajmërimet e përditshme nga SHBA dhe qeveritë e tjera perëndimore për një sulm të afërt rus, duke thënë se ato ishin të parakohshme dhe mund të shkaktonin panik.

    Çfarë po ndodh tani?

    Një moment kyç në transformimin nga një lider që dështonte në votime, në një figurë kombëtare erdhi në orët e para të së enjtes, pak orë përpara pushtimit të Rusisë. Në një fjalim të matur, të postuar në mediat sociale, duke folur pjesërisht në rusisht, Zelensky tha se ishte përpjekur të telefononte Vladimir Putin për të shmangur një luftë dhe si shkëmbim kishe marrë vetëm heshtje.

    Të dy vendet nuk kishin nevojë për një luftë, “as për një luftë të ftohtë, një luftë të nxehtë, një luftë hibride”, tha ai, i veshur me një kostum të errët ndërsa qëndronte përpara hartës së Ukrainës. Më tej ai shtoi se nëse ukrainasit do të sulmoheshin ata do të mbroheshin. “Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën”.

    Menjëherë pas kësaj filloi pushtimi dhe në postimin e tij të radhës, i veshur me një bluzë në ngjyrë ushtarake, ai paralajmëroi udhëheqësit perëndimorë se nëse nuk ofrojnë ndihmë, atëherë nesër “lufta do të trokasë në dyert tuaja”. Presidenti ka regjistruar edhe mesazhe të tjera për bashkatdhetarët e tij në rrjetet sociale në ditët e fundit për të forcuar moralin dhe për të theksuar se ai nuk do të shkojë askund, por do të qëndrojë për të mbrojtur Ukrainën. Pas një oferte nga Shtetet e Bashkuara për ta larguar drejt një vendndodhjeje më të sigurt, Zelensky u përgjigj të shtunën: “Kam nevojë për municion, jo për transport”.

    Inteligjenca perëndimore pretendon se emri i Zelensky është i pari në listën e njerëzve që forcat ruse synojnë të vrasin.

    “Lufta e ka transformuar ish-komedianin nga një politikan lokal me iluzione madhështie në një burrë shteti të mirëfilltë,” shkruante të premten Melinda Haring e Qendrës për Euroazinë në Këshillin e Atlantikut.

    Megjithëse ai mund të kritikohet se nuk i ka ndërmarrë aq shpejt sa ç’duhet reformat politike dhe se nuk e forcoi me shpejtësinë e duhur kufirin e gjatë të Ukrainës me Rusinë gjatë vitit të kaluar, tha Haring, Zelensky “ka treguar vendosmëri. Ai ka demonstruar guxim të madhe, ka refuzuar të fshihet në strehime, duke zgjedhur të qarkullojë hapur me ushtarët dhe një patriotizëm të palëkundur që jo shumë vetë e e prisnin nga dikush rusishtfolës nga Ukraina lindore. E meriton të vlerësohet. Ai ka qenë i palëkundur.”

     

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit