Një tjetër emër me origjinë shqiptare po ngjitet në skenën politike amerikane. Robert Lulgjuraj, prokurori shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Partisë Republikane, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke synuar të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michiganit në zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2026.
Ky është një hap i madh jo vetëm për Robertin, por për të gjithë shqiptarët që jetojnë e kontribuojnë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara. Ai përfaqëson energjinë, punën dhe vlerat që na bashkojnë si komunitet, duke dëshmuar se shqiptarët mund të arrijnë majat kudo në botë.
Urimet për Lulgjurajn janë bërë edhe nga përtej oqeanit. Ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai i cili i ka uruar suksese Lulgjurajt në këtë garë dhe me këshillën e Skëndërbeut u ka bërë thirrje shqiptarëve që ta mbështesin.
“Historia e shqiptarëve të Amerikës po ecën drejt një momenti historik. Prokurori shqiptaro-amerikan Robert Lulgjuraj robertlforcongress po kandidon për Kongresin e SHBA në distriktin 10 të Miçiganit, ku shqiptarët janë një nga komunitetet më të mëdha. Prandaj shqiptarët aty duhet të ndjekin këshillën e Skënderbeut: bashkimi (rreth Robert Lulgjuraj) bën fuqi. Ka ardhur koha për një shqiptar në Capitol Hill, krahë për krahë me Presidentin Trump”, shkruan Balla.
Familja e tij i ka rrënjë nga viset shqiptare në Mal të Zi, ndërsa gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969, duke u larguar nga komunizmi dhe persekutimi fetar. Ai ka lindur në Sterling Heights dhe gjithmonë është shprehur krenar për origjinën e tij dhe për kontributin që komuniteti shqiptar ka dhënë në Shtetet e Bashkuara.
“Shqiptarët në Amerikë meritojnë zërin e tyre në Kongres,” është shprehur ai në një deklaratë publike.
Pas përfundimit të studimeve në Holy Cross College dhe më pas në University of Detroit Mercy School of Laë, Lulgjuraj ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në drejtësi. Aktualisht ai shërben si prokuror në Macomb County Prosecutor’s Office, ku është dalluar për përkushtimin ndaj ligjit dhe rendit.
Në platformën e tij politike, Robert Lulgjuraj përqendrohet te çështje si siguria e kufirit, forcimi i ekonomisë amerikane, mbështetja për prodhimin vendas dhe mbrojtja e vlerave tradicionale të familjes. Ai thekson se fushata e tij do të jetë një thirrje për bashkim të komunitetit, pavarësisht origjinës apo përkatësisë politike.
“Jam krenar për mbiemrin tim dhe për rrënjët e mia shqiptare, por mbi të gjitha jam krenar që jam amerikan. Dua të punoj për të forcuar vendin tonë dhe për të qenë një zë i qytetarëve që ndihen të harruar nga politika,” është shprehur Lulgjuraj, ndërkohë që ka theksuar më tej se ka ardhur koha që shqiptarët të përfaqësohen në Kongres.



