4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Prokuroria italiane bëri atë që duhet: Nis hetimet për çmimin e karburantit në Itali

    Nga Alba Malltezi

    Ashtu si në mbarë Europën, në Shqipëri, edhe në Italinë fqinje çmimet e naftës, benzinës, gazit kanë pësuar rritje të fortë, por reagimi i shtyllave të shtetit dhe të shoqërisë, është disi ndryshe.

    Ashtu si dhe në Shqipëri politika, grupet e ndryshme të interesit nisën akuza dhe kundërakuza që përmbanin skenarë dhe prapaskena nga më të larmishmet. Shoqatat italiane të konsumatorëve ngritën zërin këto ditë të parat pasi dyshonin thellësisht se në emër të luftës në Ukrainë, shpërndarësit e karburanteve dhe të gazit po abuzonin.

    Edhe ministri i Tranzicionit Ekologjik Roberto Cingolani hodhi akuzat e tij të forta pasi dyshonte se “tregu kishte ngritur çmimet në mënyrë jo logjike dhe sipas tij, – po kryhej një mashtrim kolosal nga nervozizmi i tregut”.

    Pra, shoqatat e konsumatorëve të parat, ministri i dyti, autoriteti i konkurrencës i treti, Guardia di Finanza e katërta, e cila është e autorizuar të verifikojë veprimet e ndërmarrjeve të naftës dhe të derivateve për të parë nëse ka spekulime apo veprime të jashtëligjshme në dëm të qytetarëve.

    Shoqata e Ndërmarrjeve të Naftës në Itali u shpreh e qetë: “Të bëhen të gjitha kontrollet, pasi kështu të gjithë do të kuptojnë se jo vetëm nuk ka spekulime, por ndërmarrjet energjitike dhe të naftës janë prej muajsh me humbje për shkak të lëvizjeve të tregjeve pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë”.

    Pra, të gjithë kërkojnë të bëjnë detyrën për të hedhur dritë mbi një situatë që është e paqartë dhe në dukje thellësisht abuzive. Edhe në shtetet më perfekte në botë do të ketë përherë “hileqarë” që do të kërkojnë të abuzojnë, të përfitojnë nga rrethana të vështira, por ama një shoqëri duhet të krijojë shtyllat e saj të verifikimit për t’u vetëmbrojtur.

    Nëse ne në Shqipëri nuk e kemi bërë ende këtë gjë, nëse vazhdojmë të marrim të mirëqëna vetëm atë që thotë nga kush është në qeveri, apo nga kush është në opozitë; nga kush është në pushtet apo nga kush ëndërron të vijë në pushtet, do të jemi përherë viktima të një paqartësie e të një dizinformimi të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm jo vetëm për çmimet, por për këdo tjetër situatë të paqartë.

    Djemtë e vajzat tanë më të mirë duhet të marrin përsipër me zemër detyrat e tyre në prokurori, drejtësi, avokati, shoqata konsumatorësh, tatime, për të mos lënë një popull të tërë të vazhdojë të trajtohet si spektator ping-pongu politik.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit